Lokale
Shkollat shqipe në Bujanoc, temë diskutimi rreth kompetencave
(i plotësuar -16h)
Seanca e Kuvendit Komunal të Bujanocit e filluar në orën 10h ka përfunduar punimet në orën 16h me aprovimin e pikave të parapara në rend të ditës.
Në këtë seancë janë aprovuar edhe pikat më të “nxehta” për shkarkimin, respektivisht emërimin e anëtarëve të rinj të Këshillave në tri shkolla shqipe në këtë komunë.
Kryshefi i Drejtoratit për Çështje Publike dhe Veprimtari Shoqërore, Arbër Pajaziti, para këshilltarëve propozoi nga nëntë anëtarë të rinj të këshillave të shkollave.
Sipas Pajazitit, tre anëtarët që vijnë nga vetadministrimi lokal janë kandidatët e propozuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar.
Përveç këtyre kandidatëve të vetadmnistratës lokale nga tre janë propozuar edhe nga Këshilli i prindërve dhe ai i arsimtarëve.
Anëtarët e rinj nga Këshilli i prindërve respektivisht ai i arsimtarëve, paraprakisht janë zgjedhur nëpër shkolla.
Këshilli i shkollës është organi më i lartë vendimmarrës në institucionet arsimore. Ai njëherit bënë shkarkimin dhe emërimin e drejtorëve.
Në mbledhjen e sotme u aprovuan edhe propozimet vendimet mbi taksat lokale komunale për këtë vit, raporti i punës dhe ai financiarë i “Drejtoratit për Ndërtim” dhe pika të tjera./Titulli.com/
*********************************************************************************************************************************
Kuvendi Komunal i Bujanocit në një seancë të rregullt zhvilloi debat të nxehtë lidhur me gjendjen e këshillave nëpër disa shkolla shqipe në komunën e Bujanocit. Diskutimet e gjata janë bërë duke shpjeguar njëri tjetrit se kush ka kompetenca më shumë rreth emërimit të këshillave të shkollave, Kuvendi Komunal apo Këshilli Kombëtar Shqiptar.
Gjatë kësaj seance të paraparë me dhjetë pika të rendit të ditës, temë sherri ishte emërimi i anëtarëve të Këshillit në shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, shkollën fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc dhe shkollës “Migjeni” në Muhoc.
Shaip Kamberi, këshilltarë komunal i Partisë për Veprim Demokratik potencoi se me këto veprime Kuvendi Komunal po e shkel ligjin dhe se me këto në këtë formë nuk i kontribuohet ecurisë së procesit arsimorë në shkolla.
Ndërsa Jonuz Musliu, kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanocit shpjegoi para këshilltarëve se vendimi është marrë nga Ministri i arsimit dhe se këshillat e shkollës duhet ndërruar.
Mezon Ismaili, këshilltar komunal nga LPD lidhur me këshillat e shkollave është shprehur i bindur se emërimi i anëtareve në disa shkolla shqipe ka ardhur nga vota e prindërve dhe kolektivit të shkollës.
Më i zëshmi rreth problematikës së këshillave të shkollës ishte Ragmi Mustafa, këshilltarë nga radhët e PVD-së, i cili kërkoi që të respektohen procedurat gjatë emërimeve të këshillave të përkohshëm dhe drejtorëve në shkolla.
Vlen theksuar se shkollat shqipe në Komunën e Bujanocit janë politizuar skajshmërish, sidomos me emërimin e drejtorëve që emërohen kryesisht nga partitë në pushtet dhe opozitë dhe aspak nuk merren parasysh kuadrot që ndihmojnë në zhvillimin e arsimit./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!