Shkolla fillore "Selami Hallaçi" në Rahovicë, cila gjuhë është ma e vështirë të mësohet? (foto)
Në shkollën fillore "Selami Hallaçi" në fshatin Rahovicë të komunës së Prershevës viti i ri shkollor 2015/2016 ka filluar me kohë ku vijojnë mësimet 410 nxënës dhe ka të punësuar 48 punëtorë arsimorë.Samet Rexhepi ndihmës-drejtor i kësaj shkolle i tha gazetarit të Titulli.com se procesi edukativo- arsimor në shkollën qendër dhe në paralelet e ndara ka filluar me 1 shtator me problemet e trashëguara nga e kaluara sa i përket teksteve mësimore.
“Tekstet mësimore janë problem jo vetëm në shkollën tonë por edhe në shkollat e tjera në Luginë. Nga Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë pjesërisht ndihmohen nxënësit me tekste mësimore nga klasa e parë deri në klasën e tetë, duke përfshirë këtu nxënës me kushte të rënda dhe ata me asistencë sociale”, theksoi Rexhepi.
Ai thotë se shkolla fillore “Selami Hallaçi” në fshatin Rahovicë i ka paralelet e ndara në fshatrat Shoshajë e Epërme, Gosponicë dhe në Bukoc.
“Kuadri arsimor është me përgatitje shkollore. Shkolla ka 48 punëtorë arsimorë, 4 arsimtar të gjuhës serbe, dhe 410 nxënës të ndarë në dy ndërrime në shkollën qendër”, deklaroi Rexhepi.
Arsimtari i gjuhës serbe pranë kësaj shkolle, Musli Rashiti është shprehur për Titulli.com se gjuha serbe është problem të kuptohet nga nxënësit, është gjuhë e vështirë për t’u kuptuar nga ata.
“Vetë rrethi ku jetojmë nuk flitet gjuha serbe, nuk kanë komunikim të përditshëm nxënësit, andaj edhe po kanë telashe sa i përket kuptimit të gjuhës serbe”, theksoi Rashiti.
Poashtu lidhur me tekstet mësimore arsimtari Rashiti potencoi se me tekste mësimore të gjuhës serbe krejt është në rregull.
“Klasat e ulëta i kanë tekstet me ilustrime dhe me cd, ndërsa klasat e larta nuk i kanë. Librat e gjuhës serbe për nxënësit jepen falas nga Ministria e Arsimit si libri i leximit, gramatika dhe fletorja e punës. Neve na duhet një fjalor me 14000 fjalë, fjalor serbisht sqarues si gjuhë joamtare”.
Nxënësja Alejna Mustafa mësimet e gjuhës mundohet ti kuptoj edhe pse e ka të vështirë, “Gjuha serbe është gjuhë joamtare, por një e mirë është se arsimtarët i kemi shqiptar e po na e sqarojnë ku po hasim në lajthitje”, tha për Titulli.com Alejna Mustafa.
Ka nxënës që thonë se gjuha serbe është mirë të mësohet edhe pse mësimet shkojnë me shumë telashe.
Është mirë të mësohet gjuha serbe, por po kemi telashe, nuk po e kuptojmë sa duhet, por prapëseprapë çdo gjuhë është e mirëseardhur për t’u mësuar. Do të mundohem që sa më shumë të mësoj me qëllim që të arrij rezultat të dëshiruar”, tha Andi Ymeri, nxënësi i shkollës fillore “Selami Hallaçi “ Rahovicë.
Personeli arsimorë dhe ai menaxhues i shkollës thonë se në përgjithësi suksesi i nxënësve nuk është edhe aq i kënaqshëm, por punohet që në të ardhmen të rritet niveli i suksesit./Titulli.com