Lokale
Shesin ëmbëlsira për të ndihmuar shokët maturantë
Nxënësit e shkollës së mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc të hënën do t’u ofrojnë ëmbëlsira të gjithë qytetarëve me qëllimin e vetëm për të ndihmuar shokët e tyre
Një iniciativë humane është ndërmarrë nga nxënësit e drejtimit të mjekësisë (klasa IV/6) në mënyrë që të ndihmojnë kolegët e tyre të kësaj klase që edhe ata të jenë pjesë e ekskursionit që organizohet gjatë pushimit pranveror.
“Ne së bashku shokët dhe shoqet e klasës menduam që të përgatisim ëmbëlsira të ndryshme vetëm për t’ia mundësuar shokëve tanë ardhjen në shëtitje”, deklaroi për Titullin kryetarja e klasës IV/6, Brikena Ymeri.
Sipas saj, aksioni do të ndërmerret të hënën (22 prill) me fillim në orën 9h, në sheshin e qytetit në Bujanoc.
“Apelojmë tek të gjithë qytetarët dhe moshatarët që të na ndihmojnë duke blerë një copë tortë”, thotë përfaqësuesja Ymeri.
Shkolla e mesme “Sezai Surroi” si çdo vit edhe sivjet organizon ekskursion për nxënësit e viteve të katërta.
Shëtitja e nxënësve do të realizohet në Republikën e Shqipërisë, ndërsa kjo iniciativë ka për qëllim shtrirjen e dorës edhe atyre nxënësve, familjet e të cilëve në këtë situatë të rëndë ekonomike nuk mund t’i sigurojnë fëmijëve mjetet e nevojshme për ekskursion./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!