Lokale
“Sezai Surroi” ndanë diplomat për maturantët (foto)
Solemnisht, sot në shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc është bërë ndarja e diplomave për nxënësit maturantë që kanë përfunduar shkollimin e mesëm
Në prezencë të punëtorëve arsimor, prindërve dhe nxënësve, drejtuesi i kësaj shkolle Zejni Fejzullahu me bashkëpunëtor ka bërë ndarjen e diplomave për 310 nxënës.
“Të gjithë maturantët që i kanë kryer detyrat dhe obligimet në mënyrë solemne i kanë marrë diplomat dhe me këtë kanë përfunduar shkollën e mesme”, tha gjatë ceremonisë për ndarjen e diplomave ushtruesi i detyrës (UD) së drejtorit të shkollës, Zejni Fejzullahu.
Sipas Fejzullahut nxënësit janë të gatshëm për të vazhduar shkollimin e mëtutjeshëm, ndërsa shprehet se rezultatet e treguara janë më të mira se viteve të kaluar.
“Suksesi në krahasim me vitet e kaluara është pak më i mirë me qenë se edhe kushtet janë më të mira për shkollim. Është shtuar edhe numri i kabineteve dhe mjeteve të konkretizimit, kështu që edhe rezultatet duhet të jenë gjithsesi më të mira”, tha Fejzullahu.
Ai njëherit nënvizoi se përveç diplomimit të 310 maturantëve edhe 19 janë në riprovim të cilët ditëve në vijim do t’i nënshtrohen provimeve.
Nxënësit që sot ishin prezent në ceremoninë e ndarjes së diplomave u shprehën të kënaqur me suksesin e arritur edhe pse disa thonë se do të kishin mundur të arrinin rezultate edhe më të mira.
Albina Rashiti, nxënëse e klasës IV/6, e përzgjedhur nxënëse e gjeneratës, shprehet e kënaqur me rezultatin e arritur.
“Profesorët më kanë përkrahur vazhdimisht, suksesi gjithmonë ka qenë pozitivë, jam angazhuar në maksimum me gjithë vullnetin që me arrit deri në këtë pikë”, u shpreh nxënësja e gjeneratës.
Ajo thotë se gjatë katër viteve në shkollë të mesme nuk ka pasur asnjë mungesë dhe gjithmonë vitin e ka përfunduar me sukses të shkëlqyeshëm. Albina Rashiti planifikon studimet në mjekësin e përgjithshme, ndërsa vetëm se ka aplikuar në universitet turk për këtë drejtim.
Ceremonia festive për ndarjen e diplomave për nxënësit maturantë për herë të parë në këtë mënyrë është aplikuar në shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!