Lokale
Memorial në kujtim të Rexhep Adilit
Iniciativë për ngritjen e memorialit në nder të ish futbollistit, trajnerit dhe aktivistit të palodhshëm, të ndjerit Rexhep Adilit – Rexhës.
Nisma për ndërtimin e memorialit me një bust të Adilit, sipas ideatorit Nexhat Behluli nga Llucani i komunës së Bujanocit, është diçka e vogël që mund të bëhet në nderim të veprës së Rexhës.
“Është njoftuar Bashkësia Lokale (BL)e fshatit Tërnoc për këtë ide, pritet që ata ta japin propozimin konkret për lokacionin ku mundë të ngritet memoriali për Rexhën, poashtu BL e Tërnocit do ta njoftoje edhe familjen e Rexhës, do të merret pëlqimi dhe mendimi edhe i tyre”, ka thënë për Titullin afaristi dhe miku i Rexhep Adilit, Nexhat Behluli.
Ai poashtu thekson se ka kontaktuar edhe byronë projektuese e cila brenda disa ditëve do të i përgatisë disa versione ideore se si do të mundë të dukej dhe ndërtohej kjo qendër memoriale dhe pastaj një komision i veçantë do ta zgjedhë versionin final i cili edhe do të ekzekutohet.
Behluli thotë se bartës të investimeve financiare në tërësi për ngritjen e bustit për Rexhën do të jenë bizneset private të Komunës së Bujanocit, por, nuk do të refuzohet as dëshira individuale për të marrë pjesë në realizimin e këtij projekti i të gjithë atyre që shprehin dëshirën vullnetare, duke e pasur parasysh se Rexha kishte një rreth dhe shoqëri të gjerë të cilët e donin dhe respektonin shumë.
I ndjeri Rexhep Adili nga Tërnoci, sa ishte në mesin tonë kontribuoi në shumë fusha të jetës, ndërsa në detyrën e trajnerit të KF Tërnocit shënoi rezultate historike, derisa edhe shkolloi brezin e ri në sportin e futbollit, rezultate të cilat i shohim edhe sot.
Rexha, pas një sëmundje të rëndë ndërroi jetë në moshën 46 vjeçare. Këtë vit ai u përkujtua për herë të pestë nga banorët e fshatit Tërnoc si dhe dashamirët e tij nga vendbanime të ndryshme nga rajoni./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!