Lokale
“Sezai Surroi” kundër diskriminimit në shkolla
Shkolla e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc përmes përfaqësuesve të saj nga sot po merr pjesë në seminarin tre ditorë që po mbahet në Soko Banjë.
“Për të drejtat e njeriut dhe kundër diskriminimit” është projekti i cili së bashku me trajnimet dhe implementimin do të zgjasin një vit.
Dy profesorët nga “Sezai Surroi”, Izeir Fejzullahu dhe Imran Aqifi, që po marrin pjesë në seminarin i cili përfundon të premten dhe që ka për qëllim zbatimin e këtij projekti në këtë shkollë, i kanë thënë Titullit se gjithçka që do të mësohet në këtë seminar do të aplikohet edhe në shkollën ku ata janë mësimdhënës.
Sipas tyre gjatë implementimit të projektit njëvjeçar do të inkuadrohet edhe parlamenti i nxënësve me katër përfaqësues të tyre.
Shkolla “Sezai Surroi” javën e kaluar nënshkroi edhe projektin tjetër përmes së cilit synohet ofrimi i të rinjve të komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Luginë.
“Aktivizimin e të rinjve si parandalim i konflikteve”, shkolla e mesme në gjuhën shqipe do ta realizojë me ndihmën e organizatave joqeveritare “Iniciativa qytetare” dhe “Qendra e resurseve civile”.
“Kryesisht në projekt do të inkuadrohen nxënësit e paraleleve të II-ta dhe III-ta, ndërsa do të mbikëqyret nga profesorët e kësaj shkolle, Hysen Saqipi, Tejhane Latifi dhe Arjeta Aliu”, ka thënë drejtori i shkollës Zejni Fejzullahu.
Këto dy projekte dhe të tjerat që ka në planë t’i zbatojë në të ardhmen udhëheqësia e re e shkollës së mesme “Sezai Surroi”, tregojnë për një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor.
Siç ka mësuar portali informativ Titulli, kjo shkollë ka fituar edhe një donacion për pajisjen me kompjutor të një kabineti të informatikës, i cili ditëve në vijimi do të jetë në dispozicion të nxënësve./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!