Lokale
Donacionin “harrojnë” ta zhdoganojnë, iniciohet procedura penale
Dogana e Serbisë, dega në Vranjë, ka inicuar procedurë penale ndaj administratës komunale të Bujanocit me anë të së cilës kërkohet konfiskimi i pajisjeve të një donacioni japonez në vlerë prej 45 mijë euro.
Fjala është për një projekt që komuna e Bujanocit kishte fituar në vitin 2009 nga populli i Japonisë përmes organizatës për parandalimin e konflikteve “ JCCP “.
“Donacioni, për nevojat e komunës sonë kishte siguruar 8 kamioneta dhe mjete tjera përcjellëse, si: karroca dore, lopata, grabuje, uniforma pune, etj, të gjitha këto në vlerë prej 45 mijë euro “, thotë për Titullin Nexhat Behluli, koordinator i zyrës për Zhvillim Ekonomik Lokal në Bujanoc.
Duke sqaruar problemin, Behluli thotë se “komuna e Bujanocit është dashur të bëjë zhdoganimin e pajisjeve me anë të procedurave të rregullta, pasi që kur janë në pyetje donacionet e huaja nuk paguhet as dogana e as tvsh-ja”.
“Problemi ka lindur ngase administrata e atëhershme lokale nuk e kishte përfillur afatin gjashtë mujor të dhënë nga Dogana Shtetërore për të deponuar dhe magazinuar pajisjet e donacionit, nën mbikëqyrjen e komunës së Bujanocit, derisa të kryhej procedura ligjore. Madje personi që ishte angazhuar për këtë çështje nuk kishte vepruar as për tre vite të tëra”, thotë Behluli.
Koordinatori i zyrës për Zhvillim Ekonomik Lokal, Nexhat Behluli, i cili tani është ngarkuar nga komuna e Bujanocit të merret me këtë rast pohon se “ çështja është mjaft serioze dhe nëse komuna gjykohet sipas “deliktit doganor”, atëherë përveç konfiskimit të pajisjeve pason edhe një gjobë e lartë financiare”.
“E gjithë kjo është pasojë e lëshimeve të bëra nga përbërja e kaluar e administratës dhe menaxhimeve të dobëta dhe papërgjegjësisë të individëve të caktuar. Në vend se të orientojmë mjete aty ku duhen, ne tashti ndoshta duhet të paguajmë dënime enorme”, përfundon Behluli./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!