Samiti “Edukimi për Paqe” në Turqi, mundësi avancimi për mësuesit nga Serbia
Një grup i mësimdhënësve, pedagogëve në shkollat shqipe në Bujanoc e Preshevë dhe mësimdhënësve tjerë serb nga qytete të ndryshme të Serbisë do të marrin pjesë në një samit ndërkombëtarë në Stamboll të Turqisë.
Grupi përbëhet prej 12 vetave dhe do të shoqërohet nga drejtuesit e Organizatës Kulturore Humanitare “Vëllazërimi” nga Bujanoci, e cila është pjesë e nismës së projektit turk “Edukimi për Paqe”.
Ibrahim Rustemi, kryetar i organizatës “Vëllazërimi” njëherë edhe përfaqësues i nismës për Serbi thotë se pjesëmarrja në këtë samit është vazhdimësi e projektit të filluar në janar të këtij viti.
“Është një nismë e mirë e Turqisë që do të ndihmojë në përmirësimin e punës së mësimdhënësit nëpër shkolla dhe në këtë mënyrë do të arrijmë të ndikojmë në edukimin e gjeneratave të reja në mënyrë sa më të mirë dhe të suksesshme”, thotë Rustemi.
Në këtë samit i cili do të mbahet nga 23 deri 25 qershor pjesëmarrësit do të jenë nga Turqia, Iraku, Azerbajxhani, Pakistani, Kazakistani, Libia, Qipro, Bullgaria, Serbia, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria.
Organizatorë i këtij projekti është Organizata e Mësuesve Ndërkombëtarë Lider “Öncü Derneği” me seli në Stamboll në bashkëpunim Agjencinë Turke për Bashkëpunim Zhvillim Ndërkombëtarë-TIKA.
Ibrahim Rustemi nga organizata “Vëllazërimi” i bën thirrje mësimdhënësve të shkollave të nga Lugina që t’i bashkohen këtij aktiviteti përmes organizimeve brenda kësaj organizate, e cila planifikon dhe po punon në përmirësimin, edukimin dhe avancimin e punës së mësuesve.
Vlen theksuar se për dallim nga pjesëmarrja në seminarin e organizuar në janar të këtij viti nga e njëjta organizatë në Stamboll, kësaj here pjesëmarrësit janë në përbërje prej 7 mësuesve shqiptarë nga Lugina dhe 5 mësues nga qytete të ndryshme të Serbisë./Titulli.com/