Salihu: Mjetet e mbledhura nga LR-ja akt për të na bashkuar në aksione solidare
Kryetari i LR – PDSH-së, Sami Salihu në një intervistë për Titulli.com pasi ka shpallur aksion për grumbullimin e të hollave për ti ardhur në ndihmë personave të prkur nga tërmeti i fundit në Shqipëri deklaroi se gjesti i tyre është të sensibilizojnë qytetarët për akte solidare. Në një postim para dy dite Salihu bëri me dije se vetëm në 48 orë Partia Lëvizja për Reforma ka mbledhur 1300 euro për Shqipërinë.
“Solidariteti dhe mbështetja e Preshevarëve gjithmonë është treguar në momentet e duhura. Aktivistë të Lëvizjes për Reforma, për këto 48 orë pas tragjedisë kombëtare që na kapluar gjithë neve e veçanërisht Shqipërinë, kanë arritur që të mbledhin mbi 1300 euro për vëllezërit dhe motrat tona. Ne e dimë që kjo shumë është simbolike, por më thelbësore është që të sensibilizojmë të gjithë në aksione humanitare” – shkruante Salihu në facebook.
Ai më tej për Titulli.com ngushëllon familjet e viktimave dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës më shumë se kurrë janë treguar përkrahës të solidaritetit.
Salihu tha se menjëherë pasi kemi marrë vesh që ka ndodhur tërmeti ne kemi filluar mobilizimin për ti dalë në ndihmë Shqipërisë.
“Konkretisht, është e vërtetë që një grup anëtarësh e simpatizantësh të Lëvizjes për Reforma, pasi u informuam për tërmetin që i kishte ndodhur shtetit tonë amë, jemi mobilizuar që sadopak të japim kontributin tonë. Ne jemi të vetëdijshëm që mjetet që kemi mbledhur për një afat më pak se 48 orësh është shumë pak në krahasim me çfarë kanë nevojë njerëzit atje, por idea jonë ishte që të tregojmë që së bashku, ajo çfarë është pak për ne, do të thotë shumë për dikend, por edhe të sensibilizojmë qytetarët tanë të bashkëngjiten në akte solidare të tilla. Në fakt, në këtë kohë nevoje e përkrahje, vlerat, shifrat nuk janë të rëndësishme aspak, nuk po flasim për ekonomi apo për shifra matematikore, ajo që është kryesore dhe vlera që ka rëndësi është vlera e të qëndruarit afër, dashurisë, dhembshurisë, ndihmës e solidaritetit që mund të japim ne ndaj vëllezërve e motrave tona, ndaj vet shtetit tonë amë” – tha Salihu.
Ai duke i shprehur ngushëllime familjeve të viktimave nga ana e LR-së, theksoi se vullneti i mirë nuk mungon jo vetëm tek luginasit por tek gjithë shqiptarët. Ndërkaq vë theks të veçantë në organizimin e të gjitha mekanizmave për humanitet në Bujanoc dhe Preshevë.
“Do të doja të shprehja edhe një herë ngushllimet e mia personale, të institucionit dhe subjektit (Lëvizja për Reforma) që unë përfaqësoj për viktimat dhe për tragjedinë që i ka ndodhur kombit tonë, por edhe t`ju faleminderoja për interesin që keni shfaqur për t`i informuar për aktivitet solidare e humanitare në Luginë për vëllezërit dhe motrat tona në Shqipëri, e veçanërisht për aktivitetin humanitar që ka realizuar Lëvizja për Reforma. Shqiptarët në përgjithësi, por Luginasit e Preshevarët në veçanti padyshim e me krenari e them që edhe këtë herë, si të gjitha herave treguan se janë njerëz të vullnetit të mirë, të përkrahjes e solidaritetit. Ajo që vlen të theksohet është që Preshevarët, përmes QSA, përmes Komunës së Preshevës, përmes organizimit që bëri RTV Aldi, por jo vetëm, edhe organizimi që është bërë në Bujanoc nga Komuna e Bujanocit, por edhe përmes Bashkësive Islame në Luginë është një thirrje e një sensibilizim që në këto momente, që do Zoti të mos përsëriten, duhet t`i qëndrojmë afër me çfarëdo lloj mënyre njëri tjetrit”, tha Sami Salihu, kryetarë nga Lëvizja për Reforma në Preshevë.