Sa duputetë mundë të fitojnë shqiptarët sipas Shaip Kamberit
Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi, ka mirëpritur marrëveshjen politike për pjesëmarrjen e përbashkët të partive politike shqiptare të Luginës së Preshevës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Serbisë.
Kamberi, i cili është edhe kryetar i Komunës së Bujanocit, ka thënë se iniciativa e katër subjekteve shqiptare në Luginë ka për qëllim përfaqësim më të fuqishëm të shqiptarëve në institucionin qendror shtetëror. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka bërë me dije se përmes kësaj liste subjektet politike të Luginës së Preshevës synojnë t’i marrin më shumë se dy deputetë.
“Reale është të kemi dy mandate, megjithatë ne duhet të synojmë edhe më shumë”, ka thënë Kamberi.
Ai ka vlerësuar se ky unifikim i spektrit politik shqiptar do të ndikojë në faktorizimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Sipas Kamberit, kjo do të sjellë edhe mundësi më të madhe të sensibilizimit të bashkësisë ndërkombëtare me situatën reale në Luginë të Preshevës.
“Nisur nga ky fakt, synimi ynë me pjesëmarrje në këto zgjedhje, në rend të parë, ka të bëjë me fuqizimin politik të shqiptarëve dhe me mundësinë më të madhe të sensibilizimit të bashkësisë ndërkombëtare me situatën reale në Luginë të Preshevës, me mundësinë e përdorimit të të gjitha mekanizmave institucionalë për përmirësimin e jetës reale në këtë rajon”, është shprehur Kamberi.
Kryetari i PVD-së pret që unifikimi i katër subjekteve politike në një listë për zgjedhjet në Serbi, që do të mbahen në pranverë të këtij viti, do të ndikojë që shqiptarët të dalin në zgjedhje në numër më të madh.
“E thashë se edhe kur kemi garuar në këto zgjedhje si parti e vetme ne kemi arritur të sigurojmë një mandat në parlament, përkundër pragut relativisht të lartë që kërkohet, prej 11 mijë deri në 15 mijë vota prandaj, kur në këtë iniciativë kemi katër parti politike të grumbulluar nën një ide, besoj se dy mandate do të sigurohen, duke pasur para sysh edhe faktin se në të njëjtën datë në Bujanoc do t’i kemi edhe zgjedhjet lokale të cilat do ta rrisin daljen e elektoratit në zgjedhje”, ka thënë Kamberi.
Z. Kamberi, katër subjekte politike shqiptare të Luginës së Preshevës janë marrë vesh që të garojnë me një listë të unifikuar zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të Serbisë. Çka ju shtyri ta bëni këtë unifikim?
Kamberi: Fillimisht më duhet të sqaroj se sa i përket Partisë për Veprim Demokratik, vendimi për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare nuk është risi. Në vazhdimësi që nga viti 2007 ne kemi participuar në këto zgjedhje dhe kemi arritur të fitojmë herë një, herë dy mandate. Në tërë këtë periudhë kemi tentuar t’i bindim edhe subjektet e tjera të marrin pjesë, herë pas here, si në vitin 2017, 2008 dhe 2012, dhe kemi pasur sukses kur kemi garuar me emërtimin ‘Koalicioni i shqiptarëve të Luginës së Preshevës’. Më 2014 dhe më 2016 kemi marrë pjesë si subjekt i vetëm. Kësaj here, me angazhimin e drejtpërdrejtë të ministrit Cakaj në Tiranë, është arritur një marrëveshje parimore për pjesëmarrje të përbashkët të katër subjekteve që ka për qëllim përfaqësim më të fuqishëm të shqiptarëve në institucionin qendror shtetëror. PVD-ja, e interesuar që kjo filozofi politike të cilën e ka trasuar me dekada, të pranohet edhe nga partitë e tjera në Luginë të Preshevës, ka pranuar që në këtë iniciativë të ministrit Gent Cakaj të jetë pjesëmarrëse.
Cili është kontributi i ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj, në këtë drejtim?
Kamberi: Do ta kisha përkufizuar si një mediator i interesuar dhe i përkushtuar që t’i grumbullojë partitë shqiptare nën një ombrellë të përfaqësimit politik të shqiptarëve për t’u fuqizuar kundrejt autoriteteve në Beograd.
Çfarë ndikimi do të ketë kjo tek elektorati shqiptar? Prisni të rritet dalja e shqiptarëve në zgjedhjet të cilat do të mbahen në pranverë të këtij viti?
Kamberi: E thashë se edhe kur kemi garuar në këto zgjedhje si parti e vetme ne kemi arritur të sigurojmë një mandat në parlament, përkundër pragut relativisht të lartë që kërkohet, prej 11 mijë deri në 15 mijë vota, prandaj kur në këtë iniciativë kemi katër parti politike të grumbulluar nën një ide, besoj se dy mandate do të sigurohen, duke pasur para sysh edhe faktin se në të njëjtën datë në Bujanoc do t’i kemi edhe zgjedhjet lokale të cilat do ta rrisin daljen e elektoratit në zgjedhje.
Cilat janë pritjet e juaja nga kjo listë e përbashkët. Sa deputetë shqiptarë pritni t’i keni në parlamentin e Serbisë?
Kamberi: Reale është t’i kemi dy mandate, megjithatë ne duhet të synojmë edhe më shumë.
Me rritjen e numrit të deputetëve shqiptarë në parlamentin serb, sa do të bëhen faktorë ata për formimin e qeverisë së re?
Kamberi: Nëse kemi para sysh përvojën e deritashme, nuk mund ta kemi pritjen reale që partitë qendrore të tregojnë dëshirë të madhe për të pasur partitë shqiptare brenda një shumice qeveritare. Kjo edhe për shkak të një klime antishqiptare që, me dekada, po mbretëron në Serbi. Prandaj, nisur nga ky fakt, synimi ynë me pjesëmarrje në këto zgjedhje, në rend të parë, ka të bëjë me fuqizimin politik të shqiptarëve dhe me mundësinë më të madhe të sensibilizimit të bashkësisë ndërkombëtare me situatën reale në Luginë të Preshevës, me mundësinë e përdorimit të të gjitha mekanizmave institucionalë për përmirësimin e jetës reale në këtë rajon.
Muhamet KOCI