Rënie drastike e numrit të nxënësve në shkolla (Foto)
Lokale

Rënie drastike e numrit të nxënësve në shkolla (Foto)

20.Oct.2015 10:48
0
Në fillim të vitit të ri shkollor 2015/2016 në dhjetë shkollat fillore dhe dy shkollat e mesme të komunës së Bujanocit mësimet i vijojnë gjithsej 5.338 nxënës, prej tyre 3.764 nxënës të shkollave fillore dhe 1.574 nxënës të shkollave të mesme.

Sa i përket strukturës etnike të nxënësve, shqiptarët janë shumicë, pasi 3.174 nxënës janë shqiptarë, prej tyre 2.006 nxënës të shkollave fillore dhe 1.168 nxënës të shkollës së vetme të mesme në komunë “Sezai Surroi”.

Numri i nxënësve që mësimet i vijojnë në gjuhën serbe është gjithsej 2.164 nxënës, prej tyre rreth 950 janë nxënës të nacionalitetit rom, ndërsa 1.264 nxënës të përkatësisë etnike serbe. Në shkollat fillore në gjuhën serbe mësimet i vijojnë 1.758 nxënës, prej tyre 900 janë romë, ndërsa shkolla e mesme “Sveti Sava” ka 451 nxënës, prej tyre 50 janë romë.

Si në vitet e mëparshme, edhe këtë vit arsimi në komunën e Bujanocit po përballet me trendin e rënies së numrit të nxënësve.

“Ende nuk kemi bërë një analizë të saktë rreth rënies së numrit të nxënësve, por ky numër është në rënie edhe këtë vit, si në vitet paraprake. Përndryshe, të gjitha përgatitjet i kemi bërë dhe mësimi ka filluar me kohë në të gjitha shkollat”, thotë për Titullin, Bajram Fejzullahu, kryeshef i drejtoratit për veprimtari publike dhe çështje shoqërore pranë komunës së Bujanocit.

Fejzullahu shton se shkollat shqipe edhe këtë vit po përballen me mungesën e teksteve mësimore në gjuhën shqipe që paraqet një pengesë të madhe për procesin e rregullt edukativo – arsimor.

Në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc këtë fillimvit shkollor mësimet i vijojnë gjithsej 360 nxënës, që në krahasim me vitin 2003 është për 195 nxënës më i vogël.

“Shkolla fillore ‘Naim Frashëri’ këtë vit shkollor e ka nisur me gjithsej 360 nxënës dhe 52 të punësuar. Prej tyre 38 të punësuar janë mësimdhënës, arsimtarë dhe profesorë”, thotë për portalin Titulli.com Vesel Sejdiu, drejtor i kësaj shkolle.

Sa i përket mësimit të gjuhës serbe, si gjuhë joamtare në këtë shkollë, drejtori Vesel Sejdiu thekson se për këtë lëndë janë të angazhuar tre mësimdhënës, njëri për ciklin e ulët dhe dy në ciklin e lartë.

“Prej tre mësimdhënësve të gjuhës serbe, dy prej tyre janë të pakualifikuar, pasi nuk ka profesorë me kualifikim përkatës. Shkollat e Preshevës dhe Bujanocit kanë nevojë për së paku 30 profesorë për lëndën e gjuhës serbe si gjuhë joamtare, pasi sipas ligjit, profesori i gjuhës serbe duhet të dijë edhe gjuhën shqipe”, thotë Sejdiu.

Shkolla fillore “Naim Frashëri” është njëra prej katër shkollave të Luginës së Preshevës, e përfshirë në projektin e Trupit Koordinues “Avancimi i gjuhës serbe si gjuhë joamtare në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”.

Në kuadër të këtij projekti në këtë shkollë është angazhuar si asistente profesoresha e gjuhës serbe, Milica Gjorgjeviq, nga Nishi, të cilën e takuam duke asistuar në orën e gjuhës serbe të profesoreshës Gordana Cvetkoviq, që e kishte në orar me klasën e shtatë.

“Ne do të punojmë më shumë në komunikim me nxënësit dhe shpresojmë të arrijmë qëllimin që ata të avancojnë në mësimin e gjuhës serbe brenda një viti që do të jemi këtu. Kemi ardhur para një muaji dhe jemi të kënaqur sepse kemi hasur në mikpritje, si nga ana e personelit, ashtu edhe nga nxënësit”, thotë Milica Gjorgjeviq.

Profesoresha e gjuhës serbe, Gordana Cvetkoviq, ka një përvojë dhjetë vjeçare në këtë shkollë. Ajo thotë se nxënësit kanë interesim, por nuk janë shumë komunikativ në orët e mësimit.

“Nxënësit dëgjojnë, kanë interesim, por nuk janë shumë komunikativ, pasi prej 20 nxënësve, ndoshta dhjetë prej tyre dinë të flasin. Kur nuk kuptojnë diçka unë i them në gjuhën shqipe, pasi e kam përfunduar gjuhën shqipe si e çrregullt në Beograd”, thotë profesoresha Gordana Cvetkoviq, nga Vranja.

Tre nxënës të dalluar të klasës së shtatë në lëndën e gjuhës serbe janë: Valza Rexhepi, Eron Islami dhe Kaltrina Hajrullahu. Me këtë rast realizuam një intervistë të shkurtër me këta nxënës. 

Titulli: Si kaloni në orët e gjuhë serbe?

Eroni: Mirë kalojmë, ora kalon shpejtë dhe me profesoreshën kalojmë mirë.
Kaltrina: Shumë mirë kalojmë. Mësojmë komunikim në gjuhën serbe, shkrimin dhe gramatikën.
Valza: Mirë kalojmë, mësuesja është e qartë dhe e kuptojmë shumë mirë. Lexojmë, shkruajmë dhe komunikojmë. 

Titulli: A dini të flisni dhe të shkruani gjuhën serbe?

Eroni: Unë di të flas serbisht, kurse të shkruaj po mësojmë shkrimin cirilik.
Kaltrina: Gjuhën e kam mësuar në shkollë dhe nëpërmjet TV-së.
Valza: Gjuhën serbe e kam mësuar edhe në kontakt me fqinjët edhe kur dal për të blerë. 

Titulli: A keni vështirësi në këtë lëndë?

Eroni: Jo, asnjë problem.
Kaltrina: Jo, nuk kam ndonjë vështirësi.
Valza: Jo. 
Alpinizmi në Preshevë bashkon serbët e shqiptarët (Foto)
Kamberi: Kryetari Stankoviq po luan lojë antishqiptare !?
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration