Lokale
Ragmi Mustafa “përgatitet” për dorëheqje
Pllaka përkujtimore për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës e vendosur para godinës së komunës së Preshevës ka aktivizuar spektrin politik shqiptar mbarëkombëtar për t’i dalë në ndihmë idealit të atyre që luftuan për një jetë më të mirë dhe të drejta të garantuara sipas konventave ndërkombëtare.
Ivica Daçiq, kryeministër i Serbisë ka deklaruar këto ditë se deri më 17 janar, me dëshirë apo dhunë do të largohet pllaka përkujtimore.
Në mbrojtje të kësaj pllaka kanë dalë të gjithë liderët politik të Luginës, mirëpo Ragmi Mustafa, kryetar i komunës së Preshevës i cili ka barrën më të madhe, ka deklaruar edhe dorëheqjen nëse një gjë e tillë ndodhë.
Në konferencën për gazetar të mbajtur pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshme të tre kuvendeve shqiptare, Mustafa ka ritheksuar se përveç dorëheqjes së tij ai do të ndërpresë çdo bashkëpunim me Beogradin zyrtar.
Në pyetjen e gazetarit të Titullit se çfarë do të bëjë Ragmi Mustafa, pas 17 janarit nëse largohet pllaka përkujtimore, ai është përgjigjur se partia e tij do të mblidhet menjëherë dhe do ta paraqes dorëheqjen e tij para Kuvendit Komunal të Preshevës.
“Nëse hiqet pllaka përkujtimore, qeveria në Beograd duhet të heq dorë përfundimisht nga Lugina e Preshevës, sepse me rrënime, vandalizma dhe ushtrim dhune nuk mundë të punohet me qeverinë në Beograd”, deklaroi Mustafa i revoltuar me deklaratat kërcënuese të krerëve të qeverisë së Serbisë.
Vlen të theksohet se Kuvendi Komunal i Preshevës dhe Bujanocit gjatë seancave të mbajtura ditën e djeshme kanë aprovuar konkluzionet me të cilat kërkohet maturi politike dhe gjakëftohësi për situatën e krijuar në Luginë. /Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!