QSA do të hap "Qendrën për edukim dhe arsimim" (Foto)
Presheva, nga dita e diel do të bëhet edhe me "Qendrën për edukim dhe arsimim", që i dedikohet gjinisë femërore të këtij rajoni dhe më gjerë.Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit (QSA) në Preshevë njofton opinionin e gjerë të Luginës së Preshevës se ditën e diel më 28 dhjetor 2014, me fillim në ora 17:00 do të bëhet hapja solemne e “Qendrës për edukim dhe arsimim” të Sektorit të gruas pranë QSA.
Kjo Qendër me një ambient shumë të veçantë dhe të pajisur me një infrastrukturë moderne, do të shërbejë si vendtakim i grave, motrave, bijave, nënave dhe gjysheve tona, ku do të kenë mundësi të jenë pjesë e programeve dhe aktiviteteve të ndryshme që zhvillohen në kuadër të saj.
“Sektori i gruas pranë QSA ka iniciuar ngritjen e “Qendrës për edukim dhe arsimim”, si nevojë imediate për t’u marrë në mënyrë aktive dhe të vazhduar me çështjet që i preokupojnë gjininë femërore në Luginën e Preshevës”, thuhet në njoftimin e QSA-së, transmeton Titulli.
Duke e vlerësuar rolin e gruas si shumë të rëndësishëm në shoqëri, QSA në kuadër të aktiviteteve të rregullta, do të trajtojë problematika të ndryshme duke punuar bashkërisht në gjetjen e zgjidhjeve të tyre.
“Jemi të vetëdijshëm që pa edukimin e femrës, nuk mund të kemi një shoqëri të edukuar. Nëse një Qendër e tillë ka qenë ëndërr e çdo gruaje preshevare, tani e tutje është bërë realitet. Pra, urdhëroni në ambientin tonë dhe tuajin, pasi ai është i hapur nga mëngjesi deri në mbrëmje vetëm për ju motra”, thuhet në njoftim.
Lidhur me këtë projekt, QSA deri më tash ka siguruar një ambient me mbi 200 m2 dhe infrastrukturën e kompletuar, të nevojshme për funksionimin e saj në kushte normale.
Përveç kësaj, në dispozicion janë dhe dy edukatore, të cilat do të merren me mbarëvajtjen e kurseve të edukimit dhe mësimit të leximit të Kur’anit, si dhe shërbime tjera që do të ofrohen në Qendër.
“Programi dhe aktivitetet të cilët do të zhvillohen në kuadër të Qendrës për edukim dhe arsimim janë: mësimi i leximit të Kur’anit, trajnime në sfera të ndryshme (kurse të gjuhëve, kuzhinierisë, shëndetësisë), ligjërata, sohbet, tribuna, debate, tryeza të rrumbullakëta, iftare, mevlude etj. Adresa e Qendrës për edukim dhe arsimim është: Rruga M. Tito nr. 25, në afërsi të xhamisë “Ibrahim Pasha” në qendër të qytetit të Preshevës”, thuhet në njoftimin e QSA-së, të nënshkruar nga Dr. Arbenita Arifi, koordinatore e sektorit të gruas. /Titulli.com/