Lokale
Qendra për Rehabilitim “Nëna Naile” solidarizohet me familjarët e dëshmorëve të UÇPMB-së (video)
Familjarë të dëshmorëve të UÇPMB-së do të pushojnë për 10 ditë në Qendrën për Mjekësi Fizikale dhe Rehabilitim “Nëna Naile” në Kllokot të komunës së Vitisë në Kosovë.
Ky rehabilitim do t’i ofrohet pa pagesë nga drejtuesit e kësaj qendre, të cilët janë solidarizuar me njerëzit që dhanë më të shtrenjtit për një jetë me dinjitet dhe të lirë në Luginë.
Alban Novosella, pronar i Qendrën për Mjekësi Fizikale dhe Rehabilitim “Nëna Naile” në një deklaratë për RTV “Aldin” është shprehur i kënaqur me ardhjen e familjarëve të dëshmorëve dhe ofrimit të shërbimeve që i ka kjo qendër.
Edhe familjarët e ardhur nga Lugina, kanë falënderuar organizatorin për këtë mundësi të humanizmit njerëzorë.
Bejtulla Osmani, babai i Bardhyl Osmanit (komandant Delta) tha se kjo është hera e dytë që marrin pjesë në këtë organizim dhe se ky është një respekt për të gjithë familjet e dëshmorëve, transmeton Titulli.
“E përshëndes pronarin e banjës “Nëna Naile” i cili na ka mundësua që me ardh mu taku të gjithë këtu dhe zoti i dhashtë gjithmonë”, është shprehur kështu Arifi Abazi, babai i dëshmorit Artan Abazi.
Qazim Qazimi, babai i dëshmorit Ridvan Qazimi (komandant Lleshi) i rënë në konfliktin e UÇPMB-së në vitin 2001 ka falënderuar organizatorët dhe ka thënë se ai është i shëndosh por është kënaqësi të tubohen familjarët e dëshmorëve dhe të flasin për problemet e tyre.
Qendra për Mjekësi Fizikale dhe Rehabilitim “Nëna Naile” Banja në Kllokot është e pasur me ujë të pashterrshëm termomineral dhe ofron terapitë profilaktike, fizikale, masazhe, saunë tourmaline dhe shërbime me llampa me spektër të frekuencave.
Kjo qendër gjendet në kilometrin e pesëmbëdhjetë të rrugës Ferizaj-Gjilan, respektivisht 55 km larg kryeqendrës së Kosovës – Prishtinës./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!