Përkujtohet veprimtari nga Malësia e Bujanocit, Njazi Kadriu
Të shtunën (4 tetor) janë mbushur tre vite nga vdekja e atdhetarit, ish të burgosurit politik, kontribuuesit të madh të UÇK-së e UÇPMB-së dhe themeluesit të shoqatës "Vatra", Njazi Kadriu.Me rastin e përvjetorit të vdekjes, Kryesia e Lëvizjes “Vatra”, dhe kryesia e Shoqatës se ish-të burgosurve politik bënë homazhe tek varri i veprimtarit të çështjes kombëtare Njazi Kadriu, në Gjilan.
“Njazi Kadriu për shtatë vite radhazi vuajti kazamateve serbe, qelitë e burgjeve të Vranjës e Nishit jo rrallë ishin ngopur me gjakun e tij nga torturat çnjerëzore të uniformës çetnike serbe, e megjithatë torturat nuk e thyen”, thuhet në kumtesën e lëshuar sot nga Lëvizja “Vatra” me seli në Gjilan.
Mëtej kjo Lëvizje shkruan se Kadriu doli edhe më i fortë shpirtërisht për të vazhduar rrugën që tashmë shokët e tij e kishin çuar edhe më përpara, duke u ndodhur edhe UÇK e UÇPMB, Njaziu qe nga ata veprimtarë që u përfshi shpirtërisht në vorbullën e kryengritjes.
“Me parime shumë të shëndosha njerëzore e shoqërore, komunikoi edhe pas luftës deri sa një ditë nga një sëmundje e rëndë i mbylli sytë për të ikur përgjithnjë”, thekson “Vatra”.
Gjate homazheve të bërë në varrin e të ndjerit e evokuan kujtime për Njaziun nga Kryetari i të Burgosurve Politik në Gjilan Sabit Rexhepi, Ramadan Dermaku, Avni Veliu nga Lëvizja Vatra e Hysen Kadriu nga Familja.
Kush ishte Njazi Kadriu?
Njazi Kadriu u lind në fshatin Ramabuçë të Malësisë së Bujanocit më 28 prill të vitit 1956 në një familje liridashëse.
Jeta e vështirë në fshat, natyra e ashpër, bisedat në oda e ndeja të ndryshme që bëheshin, sidomos gjatë dimrave të gjatë e të ashpër të Malësisë, edukata në frymën atdhetare nga babai Shabani dhe nga xhaxhai Sahiti, Njaziun e kalitën para kohe dhe brumosën me dashuri ndaj atdheut./Titulli.com/