Lokale
PVD vendos të marrë pjesë në zgjedhjet Parlamentare
Subjekti më i madh politik shqiptarë i cili shtrihet në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Partia për Veprim Demokratik (PVD) pas konsultimeve që ka pas sot në Kuvendin e Përgjithshëm të saj, ka vendosur që të marrë pjesë në zgjedhjet Parlamentare në Serbi, raporton Titulli.
Vendimi u mor sot në sallën e Kuvendit Komunale të Preshevës pas disa debateve të zhvilluara në mesin e anëtarëve të Kuvendit të PVD-së.
Në këtë debat të zhvilluar për gati katër orë pati zëra edhe për bojkot të zgjedhjeve Parlamentare që do të mbahen në Serbi më 16 mars, mirëpo më tepër anëtarë ishin që të marrin pjesë në këto zgjedhje, kështu në fund u morr vendim për pjesëmarrje në zgjedhje Parlamentare.
Për caktimin e kandidatit u la një kohë më e gjatë përderisa në këtë mbledhje është biseduar për mënyrën e mbledhjes së 10.000 nënshkrimeve, për të plotësuar kushtin për pjesëmarrje në këto zgjedhje.
[caption id="attachment_107340" align="alignleft" width="300"] Shaip Kamberi[/caption]
Edhe pse në këtë Kuvend të PVD-së nuk është emëruar kandidati për deputet, Titulli ka arritur të mësoj se si më i përgatitur dhe që do të përfaqësojë më mirë PVD-në, por edhe interesat e të gjithë shqiptarëve të Luginës, sipas delegatëve të këtij subjekti politik do të jetë Shaip Kamberi, ish kryetar i komunës së Bujanocit.
Të shtunën, në takimin e fundit të përbashkët që patën gjashtë subjektet politike shqiptare të Luginës, pesë prej tyre u deklaruan për bojkot të zgjedhjeve, përderisa PVD përmes kryetari të saj Riza Halimi tha se një vendim përfundimtar për pjesëmarrje në këto zgjedhje do të merret pikërisht sot, në Kuvendin e Përgjithshëm të PVD-së.
Vlen theksuar se kundër bojkotit të zgjedhjeve, përveç Tiranës dhe Prishtinës ishin edhe diplomatët e huaj.
Ragmi Mustafa, lider i Partisë Demokratike Shqiptare në Preshevë, të shtunën, bojkotin e arsyetoi duke thënë se deri më tani nuk është përfillur deputeti popullor dhe kërkesat e tij nga qeveria e Serbisë, andaj nuk është e arsyeshme të jemi pjesë e këtyre zgjedhjeve.
Qëndrim të njëjtë për bojkot kishte edhe Nagip Arifi, lider i Partisë Demokratike në Bujanoc i cili përmendi edhe rastin e fundit me gjykatat në Bujanoc e Preshevë.
“Me sigurimin e faktorit ndërkombëtar dhe sugjerimin e Prishtinës kemi hyrë në biseda me qeverinë e Serbisë lidhur me masat urgjente të aprovuar në janar të vitit 2013 për të zgjidhur problemin e shqiptarëve në Luginë, mirëpo nuk kemi pasur rezultat”, tha Arifi.
Ish lideri i UҪPMB-së, Jonuz Musliu, udhëheqës i Lëvizjes së Progresit Demokratik, përsëriti qëndrimin e partisë së tij se marrëveshja e Konҫulit nuk ka gjet zbatim tek Qeveria e Serbisë, andaj nuk ka arsye pse të jemi pjesë e parlamentit të Serbisë.
Duhet theksuar se edhe pse këto subjekte kanë vendosur që të mos marrin pjesë në këto zgjedhje, shumica prej tyre nuk e ka ftuar elektoratin shqiptar që t’i bojkotojnë këto zgjedhje Parlamentare.
Deri më tani në Luginë kanë shpallur kandidaturën për deputet, në Preshevë, Kujtim Sadriu nga Partia Liberale Demokratike e Serbisë, dhe në Bujanoc Nexhmedin Saqipi nga “Shoqëria civile”./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!