Lokale
Rregullat e raportimit gjatë fushatës parazgjedhore (foto)
Në qendrën mediale në Nish është mbajtur një konsultim rreth rregullave të raportimit gjatë fushatës parazgjedhore dhe roli i mediave në orientimin e qytetarëve. Përveç mediave të ndryshme serbe në jug të Serbisë, pjesë e këtij diskutimi ishin edhe mediat lokale nga Bujanoci e Presheva, RTV “Spektri”, RTV “Aldi”, RTV “Bujanoci” dhe portali Titulli. Në panelin kryesorë të diskutimit ishin Dragan Lukiq, drejtor Agjencionit Republikan Radiodifuziv (ARR), Millosh Rajkoviq anëtarë i këshillit të ARR-së dhe Petar Jeremiq zëvendës kryetar i këshillit drejtues të Këshillit të Mediave në Serbi. “Pjesëmarrësve të zgjedhjeve duhet t’i jepet kohë e caktuar edhe e barabartë për të prezantuar programin dhe kandidatët e tyre duke respektuar të drejtat e parapara për mediat elektronike, të shkruara dhe ato online”, tha gjatë diskutimit Dragan Lukiq. Ndërsa, Petar Jeremiq deklaroi se drejtuesit e mediave, gazetarët dhe mediat në përgjithësi luajnë një rol të rëndësishëm në orientimin e opinionit në përzgjedhjen e programeve dhe kandidatëve, andaj duhet tu përmbaheni rregullave të përcaktuara nga ARR. Një këshillë për mediat lidhur me rregullat e raportimit gjatë fushatës parazgjedhore dha edhe Petar Jeremiq, i cili porositi që për të qenë të balancuar gjatë raportimit duhet t’i përmbahen mediat vetëm kodit etik të gazetareve të Serbisë. Drejtues të mediave të ndryshme gjatë diskutimit u ankuan për shkeljen e rregullave të disa mediave publike lokale të cilët nuk respektojnë në masë të duhur kohën e rezerveruar për marketing politik dhe hapësirës (minutave) jo të balancuar politike. Shqetësim tjetër ishte se disa mediat publike që financohen komplet nga taksapaguesit e që në shumicën e rasteve udhëhiqen nga partitë në pushtet lokal, nuk respektojnë, përveç tjerash as kodin etikë të gazetarëve duke bërë propagandë politike edhe gjatë kohës së ndaluar nga ARR për emisione politike gjatë fushatës parazgjedhore. Sipas drejtuesve të Agjencionit Republikan Radiodifuziv, nëse shkelen rregullat mediale gjatë raportimit, ankesat mundë të paraqiten tek ARR dhe pastaj do të merren masat e parapara me ligj. Sipas ARR për mediat online të cilët nuk e ka të regjistruar aktivitetin e tij në fushën e informimit nuk vlejnë rregullat e raportimit, ndërsa për ato të regjistruara vlejnë të njëjtat rregulla si për mediat elektronike dhe ato të shkruara. Ky konsultim i zhvilluar në qendrën mediale në Nish është organizuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE)./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!