Lokale
PVD: Serbët në veri të drejta më të larta se sa shqiptarët në Luginë
Kryesia e PVD – së në mbledhjen e fundit duke i analizuar reflektimet e marrëveshjes së Brukselit në Luginë të Preshevës, konstaton se autonomia e serbëve të Kosovës e paraparë me dokumentin e Ahtisarit po zgjerohet dukshëm posaçërisht në veri të Kosovës.
Të drejtat që edhe aktualisht po i realizojnë serbët në Kosovë janë dukshëm më të larta se të drejtat që për shqiptarët ishin paraparë me marrëveshjen e Konçulit apo me programin e qeverisë serbe për zgjidhjen e krizës në Luginë të Preshevës të vitit 2001 të mbështetur nga OSBE dhe NATO, që në pjesën më të madhe ngeli i parealizuar.
Në situatën kur dialogu për çështje teknike, i inicuar nga rezoluta e OKB – së, u zgjerua në dialog politik me anë të presionit të bllokuesëve serb të rrugëve në veri të Kosovës, ishte e qartë se çështja e Luginës së Preshevës nuk do të jetë pjesë e dialogut që po zhvillohet në Bruksel.
Për problemet e rënda me të cilat po ballafaqohen shqiptarët në Luginë të Preshevës, që u paraqitën në protestat masovike të shqiptarëve në Preshevë dhe Bujanoc, pas konsultimeve të grupit të ambasadorëve, miq të Luginës së Preshevës me përfaqësues të lartë të qeverisë serbe në zyren e OSBE – së në Bujanoc, më 25 shkurt të këtij viti, u inicua procesi i diskutimeve në mes të përfaqësuesve politik e institucional të shqiptarëve me kryetarin e Trupit Koordinues të qeverisë serbe për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Kryesia e PVD –së me këtë rast potencon faktin se kjo iniciativë për dialog, deri më tani është në nivel më të ultë se niveli që kishin marrëveshjet e vitit 2001, 2005 dhe 2009, të cilat kryesisht dështuan për shkak të mungesës së gadishmërisë politike të qeverisë serbe për t’i realizuar obligimet që i kishin marrë edhe ndërkombëtarisht, mirëpo duhet të potencohet edhe mungesa e unitetit të faktorit politik shqiptarë.
Kur dihet se prej 25 shkurtit kanë kaluar tre muaj dhe asgjë konkrete nuk kemi deri më tani del qartë se qeveria serbe është e interesuar t’i vazhdojë “lojërat pa kufi” dhe të luaj në kartën e mosunitetit të subjekteve politike shqiptare. Posaçërisht në këto momente qeverisë serbe do t’i konvenojnë deklaratat e nxehta folklorike të disa liderëve shqiptarë që u dëgjuan edhe me rastin e lapidarit të Preshevës.
Përdorimi i retorikës folklorike në funksion të realizimit të interesave të ngushta grupore dhe individuale e ndihmoi qeverinë serbe për t’i margjinalizuar dhe për të mos i zbatuar marrëveshjet e viteve 2005 dhe 2009.
Andaj edhe është momenti i fundit që në mënyrë shumë më racionale të shfrytëzohet kjo iniciativë për zgjidhjen e problemeve shumë të rënda jetësore të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Kryesia e PVD –së është e bindur se me fillimin e normalizimit të raporteve në mes të Serbisë dhe Kosovës do të krijohet hapsirë e volitshme që edhe qeveria e Kosovës të ofrojë ndihmë përmbajtësore në normalizimin e gjendjes në Luginë të Preshevës dhe në avancimin dhe afirmimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Në këtë drejtim Kryesia e PVD – së vlerson se është i domosdoshëm uniteti në veprim i subjekteve politike shqiptare. Andaj, sikur që edhe përskaj manipulimeve dhe mangësive të shumta në zgjedhjet e vitit 2012, grupet e këshilltarëve të PVD – së po e kryejnë funksionin e opozitës në formë konstruktive në Kuvendet e Preshevës dhe Bujanocit, është e domosdoshme që edhe partitë politike shqiptare që i udhëheqin këto dy komuna të respektojnë kompetencat ligjore të Këshillit Nacional të Shqiptarëve, edhe pse nuk kanë marrë pjesë në zgjedhjet e vitit 2012.
Kryesia e PVD – së vlerson se aktualisht në vend të deklaratave folklorike në emër të “grupit të unitetit” është e domosdoshme të koordinohen veprimet konkrete për shumë tema të ndieshme.
Është aktualisht evident rreziku që edhe me korigjimet e reformës së dështuar të sistemit gjyqësorë në Serbi, Presheva të mbetet pa gjykatën dhe prokurorinë e shkallës së parë, e Bujanoci pa gjykatë për kundërvajtje dhe prokurori të shkallës së parë, edhe atë në kushte kur serbëve në Kosovë iu mundësohet edhe gjykata e apelit si shkallë e tretë.
Gjithashtu në situatë kur edhe nëpër fshatra të serbëve në Kosovë po ndërtohen dhe hapen spitale, maternitete dhe stacionare, në Preshevë po vazhdon agonia në shtëpinë e shëndetit, ku jo që nuk po hapet ende edhe pas 25 viteve materniteti jashtëspitalorë, por edhe mbrojtja primare e shëndetit është degraduar në nivel shumë të ultë, që nuk e kemi pasur as para 4 -5 decenieve.
Kemi shumë tema tjera të ndieshme dhe të rënda ku mund të punojnë së bashku pushtetet lokale, Këshilli Nacional i Shqiptarëve dhe deputeti popullorë, në kuadër të unitetit në veprim të subjekteve politike shqiptare në interes të popullatës në Luginë të Preshevës.
Kryesia e PVD – së shpreh shqetësim të posaçëm me politikën diskriminuese ndaj shqiptarëve që po vazhdon në procesin maratonik të montuar gjyqësorë ndaj të rinjëve shqiptarë, edhepse deri më tani nuk është paraqitur asnjë argument valid për ta mbështetur akuzën morbide të prokurorisë speciale.
Gjithashtu u shpreh me këtë rast brengosje edhe me trajtimin diskriminues shtetërorë ndaj Këshillit Nacional të Shqiptarëve të cilit me anë të presionit selektiv dukshëm po i zvogëlohet finansimi për shkak të faktit se shqiptarët nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e fundit të popullatës.
Mirëpo, arsye për brengosje paraqiten edhe për shkak të presionit politik që po ushtrohet me anë të procedurave në gjykatën për kundërvajtje kundër kryetarit të Këshillit Nacional të Shqiptarëve, Galip Beqiri dhe nënkryetarit të PVD – së Shaip Kamberi për shkak të përdorimit publik të simbolit kombëtarë në objektet e Këshillit Nacional të Shqiptarëve dhe të degës së PVD –së në Bujanoc!
Në këtë mënyrë po hapet fushatë ndëshkuese e selektive kundër PVD –së dhe Këshillit Nacional të Shqiptarëve, me qëllim të shkatërrimit të unitetit në mbrojtjen e të drejtës për përdorim zyrtarë të simbolit kombëtarë.
Në këtë mbledhje të PVD – së u shpreh indinjatë e thellë lidhur me indolencën dhe papërgjegjësinë e ministrisë së punëve të brendshme e cila edhe pas 4 viteve nga vrasja makabre e veprimtarit të dalluar të PVD – së, këshilltarit të Kuvendit Komunal të Preshevës dhe afaristit të dalluar të Luginës së Preshevës, Isuf Azizi nuk është e interesuar ta zbardhë këtë tragjedi të rëndë.
Lidhur me këtë çështje shumë të ndieshme, Kryesia e PVD – së vendosi që deputeti popullorë përsëri t’i drejtohet ministrisë së punëve të brendshme që shumë më seriozisht se deri më tani të punohet në sqarimin e këtij akti kriminal, thuhet në Komunikatën e PVD-së./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!