Lokale
PVD ndryshon qëndrim, delegon Driton Rexhepin në grupin punues
Partia për Veprim Demokratik (PVD) dega në Bujanoc, në mbledhjen e mbajtur të premten ka propozuar Driton Rexhepin, anëtarin e Kryesisë së përgjithshme të këtij subjekti politik, për anëtarë në grupin punues në Kuvendin Komunal, për përgatitjen e iniciativës për ndryshimin e emërtimit të rrugëve dhe shesheve të qytetit të Bujanocit.
Sipas kumtesës të cilën e transmeton Titulli, PVD thotë se “pjesëmarrja në këtë proces po del të jetë e domosdoshme dhe se njëkohësisht me pjesëmarrje në këtë grup punues PVD do t’ia heqë alibinë partive në pushtet për prolongimin e kësaj çështje”.
“PVD do të japë kontributin e vet në frymën e propozimit të dërguar më herët me shkrim, bashkë me partitë e tjera opozitare Unionin Demokratik Shqiptarë (UDSH) dhe atëbotë Lëvizjen e Progresit Demokratik (LPD)”, thuhet mes tjerash në kumtesë.
Ky subjekt politikë shqiptar thotë se do të mbetet konsekuent propozimit të dorëzuar me shkrim duke e mbrojtur qëndrimin që në qytetin e Bujanocit rrugët të emërohen me personalitete nga historia, kultura dhe letërsia shqipe.
Vlen theksuar se PVD deri më tani nuk kishte dërguar anëtarin në komisionin për emërtimin e rrugëve dhe shesheve në kuadër të Asamblesë Komunale të Bujanocit edhe pas ftesës publike të kryetarit të atëhershëm Hajredin Hyda, andaj edhe nuk ishin mbajtur mbledhje lidhur me ndryshimin e emërtimeve të rrugëve në Bujanoc./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!