Pushteti pa identitet
Lokale

Pushteti pa identitet

26.Dec.2014 10:32
0
Mosdurimi, apo e quajtur shkencërisht "distanca etnike", në Serbi është një fenomen i cili po manifestohet negativisht edhe në jetën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Shkruan: Shaip Kamberi

Si problematikë, ky fenomen, nuk ka lënë pa rënë në sy as nga ndërkombëtarët. Në opinionin e tretë të Komitetit Këshillëdhënës të Konventës në kuadër të KE-së, duke e përshkruar zbatimin praktik të Konventës në Serbi, për distancën etnike theksohet: “Komiteti Këshillëdhënës me brengosje e përcjell gjendjen në të cilën ksenofobia dhe intoleranca fetare mbeten gjerësisht të shtrira, shkalla më e lartë e distancës etnike shprehet ndaj shqiptarëve, kroatëve, romëve dhe boshnjakëve”.

Distanca etnike është kategori e ndryshueshme, dhe shpeshherë, apo, gati, çdoherë, është nën ndikimin e drejtpërdrejtë të mjeteve të komunikimit masiv, sikurse edhe qëndrimeve të zyrtarëve më të lartë shtetërorë.

Disa hulumtime që ndër vite janë bërë në Serbi, lidhur me këtë fenomen e konfirmojnë ndryshueshmërinë e distancës etnike. Kështu, në hulumtimin, p.sh. të D. Pantiq të vitit 1985, shënohet se “30% e shqiptarëve do t’i kishin pranuar serbët për partnerë martese“, ndërsa, përqindja e serbëve që do të pranonin shqiptarët për bashkëshortë shkon në “44%”.

Ndërkohë, sipas hulumtimit të vitit 1999 (Popadiq) stereotipat e krijuara për shqiptarët ishin: “primitiv”, “nuk i duan popujt e tjerë”, “të papastër”, “të pakulturuar”, “të pasinqertë”, “të ftohtë” dhe “qyqarë“.

 Nën fushatën e shfrenuar antishqiptare, e cila në Serbi u ri aktualizua, pas ndeshjes futbollistike Serbi-Shqipëri, e veçmas pas deklaratave të kryeministrit Rama në Beograd, rreth pavarësisë së Kosovës, kjo intolerancë antishqiptare u manifestua edhe në forma të dhunës së shfrenuar të bandave të cilat, lirshëm, kërcënuan e rrezikuan jetën dhe shkatërruan pronën e shqiptarëve nëpër shumë qendra në Serbi.

Deklarata e presidentit serb, Tomisllav Nikolliq, se “shqiptarët janë komb të cilit i duhen decenie e shekuj për t’u bërë normal”, sikurse edhe deklaratat e ngjashme të disa zyrtarëve të tjerë, vetëm se e kanë rritur distancën dhe stereotipat antishqiptare në mbarë Serbinë.

Në një opinion të publikuar në portalin “PešÄanik”, Nadezhda Milenkoviq shkruan “Pushteti jonë po tregohet shumë i ndjeshëm kur është në pyetje fjala e shprehur dhe pasojat që mund t’i sjellë ajo. Mjerisht, kjo veç kur janë në pyetje fjalët e të tjerëve”.

“Por”, konsideron autorja, “kur pjesëtarët e pushtetit fyejnë qytetarët e vet apo qytetarët e shteteve të tjera, pushteti nuk sheh asnjë lidhje mes fjalëve të tyre dhe krimeve që dalin nga ato fjalë. Sa i përket pushtetit, veç ata që nuk i duan të mirën shtetit, munden që djegien e furrave (të shqiptarëve) ta ndërlidhin me fjalët e rënda që pushtetarët kanë thënë, e mediet e tyre e kanë stolisur”.

Pra, distanca etnike në Serbi ndaj shqiptarëve, edhe sot, nën ndikimin e fushatave të shpeshta që nisen nga zyrtarët shtetërorë e stolisen nga mediet e pushtetit, mbetet më e madhja dhe në këto momente as që duhet pritur diçka më pozitive. Është çështje tjetër se si do të reagojë shteti kur të hapen kapitujt 23 dhe 24, për bisedime me BE-në, në rrugën e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, ajo që më së shumti të ndjellë neverinë është fakti se pse kjo distancë etnike ekziston edhe në Bujanoc, ku shqiptarët dhe Serbët po bashkëqeverisin dhe po merren vesh për ndarjen edhe të dinarit më të fundit sipas sferave të interesave partiake e klanore dhe gjithë privilegjeve tjera që pushteti sjell?

Nuk mund të shpjegohet me asnjë argument logjik politik, që serbët lokalë nuk e paskan përkrahur iniciativën që Sheshit të Bujanocit t’i vendoset emërtimi “Skënderbe”. Iniciativë kjo e nisur që më 2013, nga opozita në Bujanoc, e përbërë nga (PVD, LPD dhe UDSH). Pse ky mosdurim i këshilltarëve serb që, me shqiptarët po merren vesh për ndarjen e fondeve, e nuk pranojnë që një pjesë e këtij qyteti multietnik, të emërohet sipas emrit të kryetrimit shqiptar Skënderbe. Pse ky mosdurim ndaj heroit të atij që e ke partner në qeverisje?

Neveria bëhet edhe më e madhe kur kupton se në seancën e Kuvendit Komunal, zv/kryetari i Komunës, Stojança Arsiq, paska konsideruar se “propozimet si ky (për Skënderbeun) veç mund të nxisin tensione ndëretnike”. Aq më tepër, me një konstatim të këtillë, në heshtje, është solidarizuar edhe kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, dhe ai i Kuvendit Komunal, Jonuz Musliu, si dhe 18 këshilltarët e tyre. Ata kanë përkrahur konstatimin e partnerit të tyre serb edhe de fakto, kur, në seancë, kanë votuar në anën e tij.

Është e pakuptueshme kjo rezistencë e serbëve të Bujanocit, ndaj emërtimit “Skënderbej” të Sheshit të Bujanocit, kur kemi parasysh faktin se në Beograd kemi rrugë të emërtuar me emrin e tij (rr. Skenderbegova).

Dhe aq më i palogjikshëm dhe neveritës është veprimi i kryetarit të Kuvendit, Jonuz Musliu, i cili deri sa ishte në opozitë, me dorën e vet, e kishte nënshkruar iniciativën për këtë propozim, por, si kryetar i Kuvendit, duke mos e përkrahur iniciativën, meqë nuk dëshiron t’i prishë marrëdhëniet me partnerët serbë, ka hequr dorë nga një element i identitetit kombëtar.

Të mos harrojmë, Jonuz Musliu është edhe kryetar i Këshillit Kombëtar, institucion ky me detyrë “mbrojtjen dhe avancimin e vlerave kombëtare të shqiptarëve”.   

Pra, paradoksi qëndron se në Bujanoc, as “Skënderbeu” nuk arriti t’i bashkojë shqiptarët. Të 12 këshilltarët e PD-së së Nagip Arifit dhe 6 të tjerë të Jonuz Musliut, të bashkuar me 11 këshilltarë serbë, refuzuan, në seancën e së hënës së 15 dhjetorit, iniciativën që Sheshit të qytetit në Bujanoc, t’i jepet emërtimi “Skënderbej”.

Duke mohuar të drejtën e përdorimit zyrtar të simbolit kombëtar, përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip, tash edhe identifikimit me heroin kombëtar, shqiptarët e Bujanocit, “vullnetshëm” po zhvishen nga elementet kryesore të identitetit kombëtar edhe atë për hir të “ruajtjes së multietnicitetit në pushtet”.

Logjikë kjo antievropaine sepse, është pikërisht “Aftësia për t’i integruar dallimet pa i zhdukur ato, ajo që “dallon Evropën nga shumica e hapësirave të mëdha politike botërore” shkruan Tzvetan Todorov në “Frymën e iluminizmit”.

  (Autori është deputet nga Lugina e Preshevës në Parlamentin e Serbisë)

Reagon Salihu: Nuk jam këshilltarë e as zëvendësdrejtor
Dy libra të rinj për shqiptarët e Luginës, promovimi në Bujanoc
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration