Lokale
Pse na pengojnë sukseset e Dafinës nga Bujanoci?
Njerëzit sapo lindin bartin në veti vlera të cilat gjatë moshës së pjekurisë dhe nën ndikimin e rrethanave të caktuara i sjellin në pah gjatë periudhave të caktuara jetësore. Dikush më herët e dikush më vonë por mundet edhe të mos i sjellin në shprehje fare për arsye të ndryshme. Ato vlera janë të natyrave të llojllojshme nga çdo lëmi jetësore.
Një vlerë të tillë nga lëmi i muzikës po e bartë edhe bashkëqytetarja jonë 12 vjeçare, Dafina Aliu, nga qyteti i Bujanocit. Ajo tani është bërë emër i njohur në fushën e muzikës. Për të arritur këtë sukses kuptohet se është dashur të mposhten shumë sfida e që familja e Dafinës i kapërceu ashtu si diti e mundi.
Por, ajo që nuk do të duhej të ndodhte ka të bëj me anashkalimin apo më mirë të themi injorimin e saj nga institucionet komunale ku ajo jeton dhe vepron, pas tërë atyre sukseseve si në të kaluarën por edhe tani. Kjo vajzë ambicioze disi sikur po anashkalohet edhe nga mediat televizive vendore ‘’ që flasim vetëm shqip’’.
U deshtë që korrespodenti i televizionit shqiptar Top Channel nga Beogradi të promovojë talentin e saj, e pastaj shumë qytetarë të komunës sonë të pyesnin se ‘’si është e mundur që të mos kemi dëgjuar për të?.’’
Në të kaluarën për prapambeturin tonë në nivel komunal shpesh fajin e adresonim te pushteti serb dhe për gjithçka i bënim fajtor ata. Mirëpo në këto 12 vitet e fundit, komuna udhëhiqet nga vetë shqiptarët dhe tani kujt t’ia adresojmë fajin për mos përkrahjen mediale dhe institucionale të Dafinës? Përflitet se në nivel komunal ekzistojnë shumë klube sportive që nuk kanë zhvilluar asnjë aktivitet ( asnjë rezultat) e në anën tjetër financohen nga komuna. E kur vjen puna për Dafinën të gjithë bëhen sikurse nuk kanë dëgjuar, nuk janë të njoftuar apo kanë prioritete tjera?
Po ashtu shqiptarët kanë edhe Këshillin Kombëtar të pakicës shqiptare në Serbinë e jugut e cila bazon aktivitetin e saj në 4 fusha të veprimit e njëra nga ato është edhe promovimi i kulturës. Çka bën ai Këshill, a ka ndonjë fond për promovimin dhe përkrahjen e vlerave të talenteve të rinj apo ky Këshill ka punë tjera më të rëndësishme se përkrahja e një të reje?.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm për gjendjen e rëndë të cilën kemi qenë, jemi dhe do të jemi edhe në të ardhmen nëse vazhdojmë të veprojmë ashtu siç jemi duke vepruar.
Partitë politike dhe Këshilli Kombëtar nuk e kanë për obligim që të merren vetëm me politikë por edhe me sferat tjera të jetës njerëzore, në veçanti me krijim e kushteve për brezat e rinj të cilët dëshmohen në fusha të ndryshme.
Kjo përkrahje në nivel komunal duhet të ishte e njëjtë për të gjithë e jo të bëjë dallime në baza lokaliste apo siç është krijuar bindja në popull se, për të pasur përkrahje komunale duhet të plotësosh një kriter të pakuptimtë, të jesh nga ky apo ai fshat. Dafina nuk ka mundur të zgjedh vendlindjen nga vjen, sikurse askush nga ne.
Suksesit të saj duhet t’i gëzohemi të gjithë. Kur e përkrahim atë ne i përkrahim edhe shumë talente/a tjerë të ardhshëm, e aq me tepër nëse janë të gjinisë femërore. Përkrahja e Dafinës nënkupton përkrahjen jo vetëm të një të reje të talentuar por, edhe vetë njerëzimit, duke ditur vlerën e muzikës në afrimin dhe miqësimin e popujve të ndryshëm.
Përkrahja e jonë ndaj talenteve është përkrahje e njerëzimit ndaj nesh. Mospërkrahja jonë ndaj tyre do të thotë habitje e njerëzimit me ne. Brezi i ri nuk duhet të jetë viktimë e zileve, inateve, tekave, sistemeve të dështuara dhe mosdijes sonë, ata meritojnë një jetë më të mirë me vepra konkrete e jo me fjalë boshe.
Pse për shembull të mos ketë një fond të veçantë në nivel komunal për njerëzit me dhunti dhe talente të veçanta? Ata janë krenaria e komunës dhe ne duhet të ndihemi krenarë që janë pjesë e jona pa marr parasysh kush janë, të kujt janë dhe nga janë.
Të mos harrojmë se për çdo ngecje tonë shoqërore nuk mund të akuzojmë të tjerët. Tani të gjithë si bartës të privilegjeve kemi emër, pozita, dhe mbi të gjitha përgjegjësi. Barra do të bie mbi të gjithë ne. Institucionet dhe partitë politike nuk duhet të garojnë dhe ngatërrohen vetëm për privilegje por edhe llogaridhënie. Arsyetimet për të ia kaluar fajin tjetërkujt apo ndonjë etnie tjetër i takon së kaluarës.
Apo ndoshta fajit për mospërkrahjen e Dafinës i ka edhe koha e papërshtatshme që ndodhemi. Atë që për francezët paraqet festivali filmik i Kanës për ne paraqet, defilimi i maturantëve dhe fillimi i sezoneve të dasmave, e zhanri i muzikës së Dafinës disi si duket nuk shkon me muzikën e llojit tallava ‘’kalle kalle e qitja flakën apo kufiri Kosovës deri te Molla Kuqe’.
Ky opinion është shkruar nga Fadil Isufi-Bujanoc
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!