Pse jam kundër konceptit të Qoses për shkëmbim territoresh?
Lokale Vështrime

Pse jam kundër konceptit të Qoses për shkëmbim territoresh?

09.Dec.2018 10:03
0

Këto ditë, akademiku Rexhep Qosja botoi shkrimin, “Jam pro shkëmbimit të territoreve me Serbinë, kundër ndarjes”. Nuk është hera e parë që ai shkruan rreth kësaj çështjeje. Ka rreth 30 vjet që e trajton si ide, por tani ai e paraqiti atë si një koncept të përpunuar.

Midis mbështetësve të tezës së shkëmbimit të territoreve, Qosja ofron konceptin më të qartë dhe me të guximshëm. Është më i qarti, sepse ai nuk bën lojëra fjalësh, si Presidenti Thaçi, “korrigjim kufijsh”, “korrigjim i lehtë”, “demarkim”, “definim” etj., por përdor termin konkret, “shkëmbim territoresh” midis Kosovës dhe Serbisë. Është më i guximshmi, sepse e pranon hapur që bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën “mund të realizohet vetëm duke iu dhënë Serbisë pjesët e veriut të Kosovës me shumicë serbe”.

Duke pranuar shkëmbimin e territoreve, Qosja përpiqet të argumentojë se është kategorikisht kundër ndarjes së Kosovës, të cilën ai e konsideron një tezë të vjetër serbe.

Me të drejtë, akademik Qosja distancohet nga politika dhe diplomacia e tanishme e Kosovës, e cila sipas tij, është e pamenduar, diletante, dogmatike, që flet me kategori folklorike e romantike, që nuk njeh as gjënë më elementare – jetëshkrimin e bashkëbiseduesve dhe, për më keq, takimet me palën serbe i quan dialog (shkëmbim i lirë mendimesh, pa pretenduar të arrihet një përfundim), kur në të vërtetë ato janë bisedime dhe jo dosido, por shumë të vështira dhe serioze.

Qosja kritikon ashpër ata që përpiqen të mashtrojnë opinionin vendor “për sukseset e tyre të sotme e të ardhshme”, për gjoja sigurinë e anëtarësimit të Kosovës në OKB, në rast të arritjes së marrëveshjes me Serbinë. Në shënjestër të tij, në radhë të parë është kryetari i shtetit, Hashim Thaçi, të cilin Rexhep Qosja nuk e ka kursyer as në shkrimet e tij të mëparshme, duke e quajtur despot dhe pjesë të “juntës së sotme politike të Kosovës”.

Pavarësisht kritikave, qasja e akademikut Qosja për shkëmbimin e territoreve me Serbinë, në disa elementë thelbësorë është e ngjashme apo e njëjtë me atë të Presidentit Thaçi, me të cilin unë nuk jam pajtuar dhe qëndrimin tim kundër e kam bërë publik në një numër shkrimesh. Kundërshtimi im ka të bëjë me idetë dhe konceptet, jo me bartësit e tyre si individë. Gjithashtu, nuk jam apriori kundër çdo shkëmbimi territorial. Kjo është një dukuri e njohur në marrëdhëniet ndërkombëtare, që në varësi të rrethanave a interesave, ka ndodhur e mund të ndodhë edhe në të ardhmen.

Atëherë, pse jam kundër konceptit të Qoses për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë?

Së pari, mendoj se është lajthitje strategjike futja në rend të ditës e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, pa u përmbyllur subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës. Thaçi mendon se ky është çelësi magjik që i hap rrugë njohjes së Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimit të saj në OKB, BE dhe NATO. Qosja është më i rezervuar, por gjithsesi, thekson se mund të shpresohet që shkëmbimi i territoreve “sjell paqe midis këtyre dy shteteve dhe popujve, paqe të përtashme dhe historike”.

Si rregull, për çështje territoriale diskutojnë shtetet me subjektivitet të plotë ndërkombëtar. Serbia e gëzon këtë atribut, Kosova jo. Që këtu fillon pabarazia dhe diskriminimi në procesin e bisedimeve për këtë çështje kaq të ndërlikuar. Serbia ulet në tavolinë me mentalitetin e shtetit që bisedon me krahinën e vet, të qendrës, që bisedon me periferinë, jo për kufij shtetërorë, por për rregullim të atyre administrativë, siç ka bërë Beogradi, mëse një herë, që nga pushtimi i Kosovës më 1912. Veç kësaj, futja në rend të ditës e ndryshimit të kufijve sjell pështjellim të madh, brenda e jashtë vendit, të cilin Serbia do ta shfrytëzojë për ta paraqitur si të vërtetë tezën e saj të njohur që çështja e Kosovës është e pazgjidhur, duke sjellë si argument faktin që me tezën e shkëmbimeve territoriale, edhe shqiptarët i janë bashkuar qëndrimit serb.

Që bisedimet për këtë çështje madhore të jenë të barabarta dhe të mos krijojnë asnjë pështjellim, duhet që fillimisht Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e sovran dhe kjo e fundit të anëtarësohet në OKB. Që të sendërtohet njohja e Kosovës nga Beogradi, nuk ka rrugë tjetër veç vazhdimit të bisedimeve shumëplanëshe me Serbinë, forcimit të shtetësisë së Kosovës në të gjitha hallkat dhe nivelet dhe, ajo që ka rëndësi kritike, shfrytëzimit më të mençur të kushtit të Brukselit të vënë ndaj Beogradit për nënshkrimin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Kosovën, juridikisht të detyrueshme, para anëtarësimit në BE.

Së dyti, nuk jam dakord me kohën e zgjedhur për të biseduar me Serbinë për çështje territoriale. Thaçi flet për “momentum” të favorshëm, i bindur se duke zëvendësuar fjalët që përdor shqipja, “çast” ose “moment” me një term latin, duket më i ditur dhe më në modë. Qosja, ndërkaq, konsideron se për brezin tonë është shfaqur një gjasë e papritur që, nëpërmjet shkëmbimit të territoreve, të arrijmë një zgjidhje, jo të përkohshme, me arnime, por të përhershme, historike. “Momentumin” e tij, Presidenti e lidh me “gatishmërinë” e Vuçiçit për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën, gjë që sipas tij, i ka munguar Beogradit në Rambuje, (1999) dhe në bisedimet për statusin (2005-2007).

Në gjykimin tim, tani është momenti më i papërshtatshëm që Kosova të diskutojë çështjet territoriale me Serbinë. Pse? Sepse, aktualisht, Serbia është në avantazh politik, diplomatik dhe psikologjik në krahasim me Kosovën. Dështimi ynë ne UNESCO, në Interpol dhe fillimi i tërheqjes së njohjeve të Kosovës janë dëshmi të mjaftueshme për Prishtinën dhe Beogradin që të kuptojnë se në favor të kujt po fryn era. Në plan individual, mundet që “momentumi” është në favor të Thaçit, për arsye që ai i di vet më mirë, por kurrsesi në interes të Kosovës e popullit të saj. A mund të quhet racionale politika që në momentin më të favorshëm për kundërshtarin shtron për diskutim çështje kaq serioze, si ato territoriale?

As “shprehjet mirëkuptuese” të figurave të larta të administratës amerikane dhe të disa vendeve të BE-së për të cilat flet Qosja, nuk janë të mjaftueshme, as të sigurta, për të nxjerrë përfundimin se na është krijuar mundësia që, nëpërmjet shkëmbimeve territoriale me Serbinë, të arrijmë një zgjidhje historike me të. Sepse, krahas “shprehjeve mirëkuptuese” ka edhe shumë të tjera “moskuptuese”, nga aktorë të tillë ndërkombëtarë, si Gjermania dhe Britania e Madhe. Ajo që mund të thuhet me bindje të plotë tani, është që komuniteti ndërkombëtar është i përçarë dhe nuk ka një qëndrim unik ashtu si për shumë çështje të tjera globale e rajonale, as për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Në qoftë se si garanci për mbështetjen e këtij koncepti merret komenti i Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit amerikan, Xhon Bolton, sipas të cilit, në bisedimet Kosovë – Serbi nuk përjashtohen ndryshimet territoriale, atëherë ka rrezik që Rexhep Qosja dhe ithtarët e tij të zhgënjehen keq. Ata duhet ta dinë që ky nuk është qëndrimi zyrtar i SHBA-ve, por vetëm mendimi i një përfaqësuesi të administratës, i dhënë në një konferencë shtypi në Kiev, më 24 gusht 2018, në përgjigje të pyetjes së një gazetari se si e vlerëson ai idenë e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës e Serbisë. Që atëherë, ai nuk e ka përmendur më këtë ide, ta paktën publikisht dhe, siç njofton “Zëri i Amerikës”, as në takimin e fundit që ai zhvilloi me Presidentin Thaçi në Shtëpinë e Bardhë, më 27 nëntor 2018.

Boltoni dhe Trampi janë në kërkim të aleatëve për t’iu kundërvënë Kinës rivale. Në skemat e tyre gjeostrategjike duket se është llogaritur edhe Presidenti rus V.Putini, i cili mund t’u bashkohet ose jo, në varësi të interesave të Rusisë, si fuqi e madhe. Por, nëse u përgjigjet pozitivisht, këtë nuk do ta bëjë pa një shpërblim të majmë, në një zonë me interes gjeostrategjik për Moskën, siç mund të jetë Ballkani. Në një zhvillim të tillë, Kosova duhet të jetë e përgatitur për lajme jo të mira. Jo bashkëpunimi me Rusinë, por kundërshtimi i saj i vendosur sollën ndërhyrjen e NATO-s në Jugosllavi, në vitin 1999 dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës në 2008.

Së treti, Qosja natyrisht nuk bie në folklorizmin politik të Thaçit, prapa të cilit në të vërtetë,fshihet mashtrimi për, gjoja, bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me Kosovën, pa i dhënë Serbisë asgjë në këmbim. Por kur profesor Qosja pohon se zgjidhja e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë vjen si rezultat i shkëmbimit të “Veriut të Mitrovicës, natyrisht, pa objektet vitale për zhvillimin e Kosovës, me Luginën e Preshevës”, e pakta që mund të thuhet është se kemi të bëjmë me naivitet të skajshëm gjeopolitik dhe historik.

Naiviteti gjeopolitik qëndron në mosnjohjen apo injorimin e së vërtetës që Serbia e kërkon Veriun e Kosovës, pikërisht për “objektet vitale për zhvillim”, siç janë pasuritë e tij të shumta, nëntokësore e mbitokësore, si dhe pozita e tij gjeostrategjike e veçantë, me vargmalet e Kopaonikut dhe majën Pantiç. Naiviteti historik qëndron në nënvlerësimin e së vërtetës historike, të cilën Qosja e njeh shumë mirë, që interesat gjeo-ekonomike të fuqive të huaja, përfshirë Serbinë, kanë qenë dhe mbeten të drejtuara nga pasuritë e Veriut të Kosovës. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Gjermania naziste jo më kot e mbajti për vete këtë zonë; gjatë sundimit të saj të gjatë në Kosovë, Serbia, jo më kot e pati përqëndruar industrinë e saj nxjerrëse e pasuruese të mineraleve në Veri. Qosja e ka përjetuar politikën, “Trepça prodhon, Beogradi ndërton”, të cilën Vuçiçi kërkon ta riaktivizojë sot. Shkurt, e vërteta e thjeshtë është që Serbisë nuk i interesojnë fare serbët që e popullojnë këtë rajon, por pasuritë e tij.

Po aq naive dhe e pabazë është ideja se Serbia mund ta japë Luginën e Preshevës, me rëndësi gjeostrategjike kritike për të, në shkëmbim të Veriut. Beogradi, në masë të madhe, e kontrollon Veriun dhe nëpërmjet Listës Serbe ndikon jo pak edhe në vendimmarrjen e Prishtinës zyrtare. Çfarë ndikimi ka Kosova në Luginën e Preshevës që të mund ta detyrojë Serbinë të pranojë “bashkëngjitjen” e saj me Kosovën? Përgjigjja është e qartë, asnjë ndikim. E vetmja ujdi që Vuçiçi mbase është gati të bëjë, është që pas përfshirjes së Veriut në përbërje të Serbisë, në këmbim, të njohë një Kosovë të cunguar, të zhveshur nga pasuritë e veta dhe nga kufijtë mbrojtës natyrorë.

Së katërti, Qosja me të drejtë argumenton se shkëmbimi i territoreve është çështje shumë e rëndësishme politike, shtetërore dhe kombëtare. Që do të thotë se, për trajtimin e saj duhet një konsensus minimal, në nivel shtetëror e kombëtar, i cili në rastin konkret mungon. Faktorët politikë vendimmarrës në Kosovë, pozita, opozita dhe opinioni publik janë të përçarë. As Shqipëria nuk është unike në qëndrimet e saj. Një përçarje e këtyre përmasave, në nivel kombëtar e shtetëror, nuk ka ekzistuar më parë. Atë e shkaktoi pikërisht ideja e ndryshimit të kufijve dhe bartësi i saj kryesor – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ai që ruajtjen edhe forcimin e unitetit të popullit e ka në tagrin e vet kushtetues.

Në kuptim figurativ, “gjarpri” i shtëpisë, “ora” e saj, që e mbron atë prej të ligave e të këqijave, është kthyer në kërcënim real për interesat jetike të Kosovës. Pasi e tjetërsoi ªakorrin në Mal të Zi, të njëjtën teknologji Thaçi po kërkon ta zbatojë edhe me Serbinë: nënshkrimin e marrëveshjes me Beogradin, për kalimin e Veriut në Serbi, paraqitjen e saj për ratifikim në Kuvend dhe në rast të refuzimit, dyndja e komisionerëve të Brukselit për të ushtruar presion me pseudoargumente: votojeni, sepse e ka firmosur Presidenti juaj; shteti kosovar duhet të jetë serioz e i përgjegjshëm në zbatimin e angazhimeve ndërkombëtare; moszbatimi do të dëmtojë procesin e integrimit europian të Kosovës; ratifikimi i hap rrugë njohjes së Kosovës, integrimit, anëtarësimit… Ashtu siç ndodhi me Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Sot ªakorri, Belluha, Kulla e Zhlepit kalë kaluar përfundimisht në përbërje të fqinjit tonë veriperëndimor. Ku mbetën premtimet e kryeteknologut Thaçi dhe të komisionerëve europianë për liberalizimin e menjëhershëm të vizave, pas ratifikimit të demarkacionit? Afati më i afërt që u dha këto ditë nga komisioneri Han është viti 2020.

Zemërimi popullor është i ligjshëm. Besimi ndaj institucioneve shtetërore është goditur keq. Shpresat e qytetarëve për një jetë më të mirë e më dinjitoze në atdheun e tyre janë venitur. Me një shoqëri të përçarë dhe të zhgënjyer, me institucione shtetërore të dobëta dhe që nuk gëzojnë besimin e qytetarëve të vet, me udhëheqës politikë pa kredibilitet dhe dyshues ndaj njëri tjetrit, hapja e çështjeve territoriale me Serbinë, në gjykimin tim, do të ishte vetëvrasje politike.

Së fundi, Rexhep Qosja përpiqet të argumentojë se shkëmbimi i territoreve me Serbinë “do ta bënte më të madhe se ç’është sot mundësinë politike, kombëtare e ndërkombëtare, për zgjidhjen përfundimtare, historike, të çështjes së Kosovës: për bashkimin e Kosovës më Shqipërinë”.

Ashtu si Qosja, edhe unë besoj në kauzën e drejtë dhe të pashmangshme të bashkimit kombëtar. Por ndryshe nga ai, unë nuk e shoh realizimin e saj nëpërmjet shkëmbimeve territoriale me Serbinë, sidomos në rrethanat aktuale, krejtësisht të pafavorshme për ne. Për më tepër, sipas meje, është e dëmshme të flitet për bashkim kombëtar, para se Kosova të anëtarësohet në OKB. Për bashkim, ndarje a çështje të tjera strategjike, flasin shtetet e pavarura dhe sovrane, pra subjektet e barabarta/Panorama.

Shkruar nga Islam Lauka: *Ish-ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë

Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration