Pse Biden inkurajon Vuçiqin për njohjen e Kosovës
Lokale

Pse Biden inkurajon Vuçiqin për njohjen e Kosovës

07.Feb.2021 17:45
0

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbesin të palëkundura në qëllimin për të mbështetur integrimin evropian të Serbisë, mirëpo ka kërkuar reforma dhe arritjen e një marrëveshjeje me Kosovën e cila përfshin njohjen e ndërsjellë.

“Ju inkurajojmë të vazhdoni të ndërmerrni hapa të vështirë për të arritur atë qëllim përfshirë realizimin reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën, e cila përqendrohet në njohjen e ndërsjellë”, thuhet në një letër të cilën presidenti Biden i ka dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë që shënohet me 15 shkurt. Letra është publikuar në faqen zyrtare të presidencës së Serbisë.

Çfarë ka thënë Vuçiq për kërkesën amerikane?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se edhe në Uashington ka pasur përpjekje që “njohja e ndërsjellë” të imponohet si zgjidhje përfundimtare, por është detyrim i tij të “mbrojë interesat serbe dhe se Dita e Shtetësisë (15 shkurt) është më e rëndësishme sesa dëshirat e shqiptarëve dhe amerikanëve”.

“Kam pranuar urimin, e falenderoj. Sa i përket njohjes, ajo nuk përmendet në asnjë dokument. Ne e kuptojmë se kjo është politikë e re amerikane. Ka pasur përpjekje për të imponuar këtë frazë. Ua kam thënë në fytyrë se çfarë mendoj në lidhje me të dhe qëndrimi im nuk do të ndryshojë. Është e qartë se qëllimi i tyre nuk është arritja e një marrëveshjeje por poshtërimi deri në fund i Serbisë”, tha Vuçiq, të dielën, gjatë një vizite në një kazermë të ushtrisë serbe në Pançevë.

Thirrja e Bidenit për njohje të ndërsjellë është mirëpritur nga autoritetet në Kosovë. Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se “është pa dyshim e qartë se e vetmja rrugë përpara në dialog është marrëveshja për njohje reciproke”.

“Një qasje e munguar që nga fillimi i dialogut - një qasje e nevojshme për përfundimin e tij me sukses”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Twitter.

Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, zhvillojnë bisedime që nga viti 2011. Dialogu është thënë se ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.

Serbia i quan bisedime teknike dhe refuzon të diskutohet për njohje derisa Kosova insiston që në një marrëveshje të mundshme të përfshihet edhe njohja e ndërsjellë.

Çka mendojnë në Kosovë dhe Serbi për dialogun?

Presidenti serb, Vuçiq dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti takimin e fundit e kanë pasur në korrik të vitit 2020. BE-ja, si ndërmjetësuese e këtij procesi, ka thënë se raunde të reja të bisedimeve nuk do të ketë, deri pasi në Kosovë të dalin institucionet e reja nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që janë caktuar të mbahen më 14 shkurt.

Më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Ato u ndërmjetësuan nga i dërguari i atëhershëm i Trumpit për dialogun, Richard Grenell.

Pas zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Prishtina dhe Beogradi janë zotuar se do të vazhdojnë zbatimin e marrëveshjeve, pavarësisht ndryshimit të administratës amerikane.

Alternativa Demokratike Shqiptare synon "balancin" politik në Preshevë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration