Protestohet në Prishtinë kundër politikës serbe në Luginë të Preshevës (video)
Nëpërmjet një marshi, të hënën u kundërshtuan politikat shtypëse të Serbisë ndaj shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Protestues nga të gjitha trojet shqiptare kërkuan që shqiptarët në Luginë të trajtohen njësoj sikurse serbët në Kosovë.
Me fustanellë, flamuj e plisa, burra e gra u nisën nga sheshi “Zahir Pajaziti” për të marshuar edhe në sheshet e tjera të Prishtinës, si shprehje e pakënaqësisë ndaj politikave të shtetit serb që po i aplikon ndaj shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Në protestë u ngrit zëri ndaj praktikës së Serbisë për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginë, ndërkohë u kërkua që shqiptarëve në këto troje t’u garantohen të drejtat e njëjta sikurse serbëve në Kosovë.
“Të kërkohet nga Serbia, ndërmjetësit ndërkombëtar, SHBA dhe BE, të vendoset reciprocitet i plotë në trajtimin e pakicës serbe në Kosovën Veriore dhe pakicën shqiptare në Kosovën Lindore. Nëse është vendosur për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe në Kosovë pa të drejta ekzekutive, i njëjti Asociacion të krijohet për komunat me shumicë shqiptare në Serbi”, deklaroi kryetari i Unionit shqiptar të shoqërisë civile, Dashamir Uruçi.
Refik Hasani, qytetar nga Bujanoci, u ankua për politikat shtypëse të Serbisë ndaj shqiptarëve atje.
“Jetojmë në kushte të një pushtimi klasik, jemi ekspozuar frikës, urrejtjes, militarizimit nën tendenca të vazhdueshme për shpërngulje, asimilim e spastrim etnik. Ndaj nesh Serbia vazhdon shkelje, cenim, mohim të së drejtës në përfaqësim proporcional me numrin e banorëve. Aktualisht jemi njëri ndër rajonet më të diskriminuara dhe më të pazhvilluara në të gjithë Evropën”, tha Hasani.
Linda Shaqiri, koordinatore e Kuvendit kombëtar shqiptar, tha se shteti serb po i diskriminon në mënyra të ndryshme qytetarët e kësaj pjese.
“Ndal pasivizimit të adresave në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc si rrjedhojë e kësaj, komunat tona po zbrazen, po boshatisen, sepse përfaqësia e tyre është nën përfaqësi në institucione publike”, theksoi Shaqiri.
Sipas statistikave, komuna më e prekur nga pasivizimi i adresave e rrjedhimisht edhe humbja e të drejtës së votës është ajo e Medvegjës. KOHA ka raportuar më herët se vetëm vitin e kaluar rreth 6 mijë shqiptarë janë hequr nga listat e votuesve në Serbi, 4 mijë prej tyre nga Medvegja.
Protesta u organizua nga Kuvendi Kombëtar Shqiptar për Kosovën dhe Unioni Shqiptar i Shoqërisë Civile.