Kosova dhe Serbia shkëmbejnë akuza për sulmin në Banjskë
Rajoni dhe Politika

Kosova dhe Serbia shkëmbejnë akuza për sulmin në Banjskë

24.Oct.2023 08:18
0

Kosova dhe Serbia kanë këmbyer akuza gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku u diskutua për raportin për Kosovën të sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres.

Përderisa Serbia mohoi çdo përfshirje në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë dhe tha se ngjarjet ishin rezultat logjik i "terrorit" ndaj serbëve, Kosova tha se më 24 shtator ishte “cak i agresionit nga Serbia”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë paraqitjes para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha se Serbia dëshiron territor të Kosovës “por, nuk do ta marrë kurrë”.

“Ne duam paqe dhe Serbia e dëshmoi më 24 shtator se do luftë. Por, ne nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo”, tha Osmani.

Sipas Osmanit, më 24 shtator plani ishte “destabilizimi i rajonit” të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm i Kosovës.

 

Osmani tha se burimi kryesor i financimit, armatosjes dhe trajnimit të grupit të armatosur në Banjskë “është Republika e Serbisë”.

“Çfarë dëgjuam nga Serbia sot ishte minimizimi i aktit të agresionit ndaj Kosovës”, tha Osmani.

Më 24 shtator, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Nga shkëmbimi i zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

Presidentja e Kosovës iu drejtua me një mesazh serbëve që jetojnë në Kosovë, duke u thënë se Kosova është shtëpia e tyre.

“Konfirmoj se jemi të përkushtuar që të bëjmë më shumë për serbët në Kosovë. Por, ne nuk do t’i japim Serbisë instrumente përmes së cilave ata mund të shkatërrojnë jetën e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe të vazhdojnë të tentojnë të shkatërrojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial”, tha Osmani.

Ajo tha se Kosova është e përkushtuar për paqe dhe mbetet e angazhuar për dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë.

“Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga dialogu si mënyrë për të zgjedhur dallimet mes nesh”, tha Osmani.

Bërnabiq: Serbia nuk ka qenë e përshirë në sulmin në Banjskë

Ndërkaq, lryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se Serbia nuk ka qenë e përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Bërnabiq tha se hetimet do të tregojnë se dy nga tre sulmuesit serbë që u vranë gjatë përleshjeve, janë “vrarë pasi janë dorëzuar".

“Beogradi ose forcat e sigurisë, strukturat e sigurisë nuk kanë qenë të përfshirë në këtë ngjarje dhe jemi të gatshëm të ofrojmë dëshmitë te komuniteti ndërkombëtar për të vërtetuar këtë”, tha ajo, duke thënë se ngjarjet në Banjskë janë “pasojë logjike e terrorit që Prishtina ka zbatuar ndaj serbëve”.

 

Gjatë fjalimit para Këshillit të Sigurimit, Bërnabiq akuzoi Kosovën se injoron zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Bërnabiq, tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kusht për zbatimin e marrëveshjeve të tjera nga Serbia.

“Asociacioni është një element i pashmangshëm për zbatimin e çdo marrëveshjeje tjetër”, tha ajo.

Kosova dhe Serbia kanë arritur më 2013 dhe 2015 dy marrëveshje për Asociacionin. Por, Gjykata Kushtetuese ka gjetur se marrëveshja e vitit 2015 nuk është plotësisht në harmoni me aktin më të lartë juridik të shtetit dhe duhet të harmonizohet përmes akteve nënligjore.

Qeveria e Kosovës druan se Asociacioni mund të cenoi funksionalitetin e shtetit.

 

Kosova, sipas kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, ka tri mesazhe për serbët dhe komunitetin ndërkombëtar. Mesazhi i parë, sipas saj është që serbët që janë larguar nga Kosova pas luftës më 1999 “nuk janë të mirëpritur” që të kthehen. Mesazhi i dytë, serbët që jetojnë në Kosovë “duhet të largohen” dhe mesazhi i tretë, “marrëveshjet e arritura nuk do të zbatohen”.

Sipas Bërnabiqit, që kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pushtetin dy vjet më parë, “11 për qind e serbëve janë larguar nga komunat” në veri të Kosovës.

Ajo akuzoi Kosovën për “fushatë të dhunshme” ndaj serbëve, duke pretenduar se vitin e kaluar kanë ndodhur mbi 400 incidente ndëretnike.

SHBA kërkon ekstradimin e sulmuesve në Banjskë

Ndërkaq, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në OKB, Robert Wood, tha se “duhet të ketë përgjegjësi të plotë” në bazë të ligjit për personat e përfshirë në sulm.

“Personat që janë larguar për në një shtet të tretë duhet të ekstradohen dhe ndiqen penalisht”, tha përfaqësuesi i SHBA-së.

SHBA-ja tha se po punon nga afër me Bashkimin Evropian dhe partnerët e NATO-s për të ndihmuar që veriu i Kosovës - i banuar me shumicë serbe - të jetë i qetë. Uashingtoni u bëri thirrje palëve që të kthehen në dialog, të përgatitur "që të ndërmarrin hapa konkretë përpara".

Është e rëndësishme që palët të bëjnë përparim në të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, tha ambasadori Wood.

 

Ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, akuzoi Kosovën për "shtypje" të serbëve, që tha se mund të rikthejnë edhe një konflikt të armatosur, teksa foli për sulmin e armatosur në Banjskë.

"Kemi shumë pyetje për ngjarjet në Banjskë. E para, pse përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk u përfshin. Në ngjarjet të ngjashme në të kaluarën, EULEX-i ka patrulluar zonën dhe KFOR-i ka shkuar menjëherë për të ndarë palët luftuese. Tani e gjithë situata iu la në dorë shqiptarëve të Kosovës, që çoi në këtë përfundim tragjik. Perëndimi nuk priti për hetimet, por menjëherë e quajti sulm të tmerrshëm", tha ai.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Kinës në OKB tha se Pekini mbështet një zgjidhje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Por, Kina akuzoi Prishtinën për rritjen e tensioneve në veri.

“Ne kundërshtojmë veprimet e njëanshme të autoriteteve të Kosovës që rritën tensionet dhe u bëjmë thirrje që t’i kthehen dialogut dhe konsultimet”, tha përfaqësuesi i Kinës, duke kërkuar që Kosova të themelojë menjëherë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Si Kina, ashtu Rusia nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008.

Shefja e UNMIK-ut kërkon rikthimin në dialogun e Brukselit

Gjatë mbledhjes, shefja e misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, Caroline Ziadeh, pavarësisht se nuk përfshihet në raportin gjashtëmujor, foli për "incidentin e sigurisë" në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Ajo tha se pas hetimeve, përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë. Shefja e UNMIK-it tha se ngjarja ku u vra një zyrtar policor i Kosovës dhe tre sulmues, “ka përkeqësuar situatën” e sigurisë, e cila sipas saj, edhe para 24 shtatorit ishte e rëndë.

"Është thelbësore që hetimet që po zhvillohen aktualisht të ofrojnë mundësinë për të dokumentuar me fakte këto ngjarje dhe për ti mbajtur autorët përgjegjës", tha ajo.

Ajo kërkoi që palët t’i kthehen dialogut dhe tha se pret nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë masa të shtensionimit të situatës, duke vënë theksin në nevojën e një “kompromisi politik” në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

"Dialogu është e vetmja rrugë përpara", tha ajo.

 

Ziadeh tha se shpreson që takimi i diplomatëve ndërkombëtarë në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor do të bëjë që palët t’i kthehen dialogut për normalizimin e raporteve.

Shefja e UNMIK-ut tha se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duhet të zbatohen.

Raporti i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, përfshin periudhën gjashtëmujore nga 19 marsi deri më 18 shtator.

Gjatë takimit, SHBA-ja përsëriti qëndrimin se UNMIK-u nuk ka rol në Kosovë dhe një herë kërkoi që të përfundojë mandati i këtij misioni. Në të kaluarën edhe Kosova ka kërkuar që mandati i UNMIK-ut në Kosovë të përfundojë./REL/

Shaqiri: Shifrat e pasivizimit në Luginë vazhdimisht në rritje, duhet ndalur padrejtësitë
Protestohet në Prishtinë kundër politikës serbe në Luginë të Preshevës (video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration