Promovohet Monografia e 50 vjetorit të shkollës së mesme shqipe të Bujanocit
Lokale

Promovohet Monografia e 50 vjetorit të shkollës së mesme shqipe të Bujanocit

11.May.2019 10:34
0

Më 9 maj, në ditën e Evropës dhe në ditën e qytetit të Bujanocit, festoi edhe shkolla e mesme “Sezai Surroi” duke shënuar ditën e këtij institucioni arsimor me mësim në gjuhën shqipe.

Përveç mësimdhënësve, nxënësve, përfaqësues të institucioneve lokale,partive politike, kryetarit të KNSH-së si dhe mysafirë tjere të nderuar, në këtë solemnitet morën pjesë edhe Hadije Morina - Surroi, motra e personalitetit që mban emrin shkolla e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, Shaban Xheladini-veteran i arsimit, njëherësh dhe njëri ndër themeluesit e kësaj vatre arsimore, prof. Dr. Mejdi Bektashi, djali i Nijazi Bektashit i cili kontribuoi në pavarësimin e gjimnazit, deputetit Fatmir Hasanit, Lindita Sejdiu-Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë ne Prishtinë, dr Dergut Aliu, dr Riad Ramadani, e shumë figura tjera të rëndësishme.

Me rastin e 51-vjetorit të themelimit të paraleleve të para me mësim në gjuhën shqipe në Bujanoc dhe 46 vjetorin e pavarësimit të shkollës së mesme nga gjimnazi “Skënderbeu” i Preshevës, u mbajt edhe promovimi i librit të Monografisë së kësaj shkolle, autor i të cilit është Bejzad Abdullahu, mësimdhënës prej më se katër dekadash të kësaj vatre arsimore, tani në pension dhe iniciuesi i kësaj Monografie, drejtori i shkollës Zejni Fejzullahu.

Kryesuesi i promovimit, drejtor i shkollës Zejni Fejzullahu, pasi përshëndeti mysafirët prezentë, me këtë rast, të promovimit të Monografisë së shkollës dhe të shënimit të ditës së kësaj vatre të diturisë së arsimit, para të pranishmëve në këtë manifestim, duke elaboruar për historikun e shkollës theksoi: “Shkolla jonë këtë vit feston 51 vjetorin e hapjes së paraleleve të para, përkatësisht 46 vjetorin e pavarësimit të saj“.

„Manifestimi këtë vit ndryshon nga vitet tjera, në këtë përvjetor kemi botuar monografinë e shkollës dhe sot bëhet promovimi i saj“ theksoi Fejzullahu, duke shtuar se „me këtë rast dua të falënderojë të gjithë ata që ndihmuan në përgatitjen e monografisë siç janë: Lektori Metali Krasniqi, recensentët Llukman Halili dhe Zaim Haliti, për punimin kompjuterik Mensur Avdiun dhe Gëzim Sopin, Dizajnin e kopertinave Valon Dalipin, sekretarin, psikologet e shkollës, e në veçanti, autorin e saj, profesor Bejzad Abdullahun“.

“Falënderoj Komunën e Preshevës, drejtorët e shkollave të Gjimnazit të Preshevës që mundësuan hapjen e paraleleve të ndara në Bujanoc, gjatë viteve 1968/69 deri 1973/74 dhe 1998/99 deri 2006/07”, kumtoi Fejzullahu, duke shtuar: “Falënderojmë edhe bizneset private që ndihmuan materialisht për botimin e monografisë”. 

“Fatkeqësisht shkollat e mesme me mësim në gjuhën shqipe nuk kanë tekste shkollore, përveç për lëndën e gjuhës shqipe”, shprehet më tej Fejzullahu, duke u zotuar se “Ne jemi munduar të gjejmë zgjidhjen alternative”.

Shkolla jonë, theksoi në fund Fejzullahu, sot është një nga shkollat më të përgatitura për zhvillimin e procesit mësimor në formë elektronike në rajon e më gjerë. 

Diskutimin e tij, Fejzullahu e përmbylli me thënien për arsimin: “Mësuesi mediokër flet. Mësuesi i mirë shpjegon. Një mësues superior demonstron. Mësuesi i madh frymëzon”.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa duke folur për rëndësinë e arsimit shqiptar në komunën e Bujanocit, theksoi se kontributi i kësaj shkolle të mesme nuk ka pushuar asnjëherë në misionin e saj, në krijimin e brezave të rinj.
Më tej Mustafa theksoi se  “Sot, pata kënaqësinë që para të pranishmëve të uroj 9 majin. Dita e shkollës së mesme "Sezai Surroi" në 51 përvjetorin e këtij tempulli që i ka dhënë shqiptarëve të Bujanocit shpresën për të ardhmen”.

“Gjithashtu, u bë promovimi i Monografisë së merituar të shkollës nga autori Bejzad Abdullahu”, theksoi më tej Mustafa, duke shtuar urimet: “Urime dita e shkollës së mesme "Sezai Surroi”, Urime dita e komunës së Bujanocit. Urime dita e Evropës. 9 maji”.

Më pas fjalën e rastit e mori edhe Shaban Xheladini, veteran i arsimit shqip në Luginë, i cili evokoi kujtime nga e kaluara duke përkujtuar zotimet e atëbotshme ku sipas tij “falë angazhimit, entuziazmit dhe dëshirës së flaktë të popullatës shqiptare të komunës së Bujanocit, përfshirë këtu edhe nxënësit, arsimtarët dhe inteligjencën shqiptare të kësaj treve, ëndrra e tyre u bë realitet me themelimin e paraleleve të para të shkollës së mesme në Bujanoc”.

Ndërkaq, motra e heroit të popullit dhe të personalitetit që mban emrin shkolla e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, Hadije Surroi – Morina, theksoi: “Më lejoni sot që të shpreh kënaqësinë time që po marr pjesë në promovimin e këtij libri Monografik dhe shënimin e 51 vjetorit të ditës së këtij institucioni arsimor me mësim në gjuhën shqipe, ku do të mbetet gjallë kujtimi i shumë brezave me radhë dhe me këtë libër Monografik i cili do jetë një historik i veçantë i dijës dhe e shkencës që është shënuar në këtë vatër arsimore besoj se do të pasurojë, jo vetëm personalitetin e çdo nxënësi apo arsimtari, por në përgjithësi edhe arsimin dhe edukimin e kësaj vatre diturie në këtë trevë”.

Ndërkohë zonja Surroi i dhuroi drejtorit të shkollës së mesme, Zejni Fejzullahut, kompletin e veprave të Petro Markos, dhuratë kjo dedikuar nxënësve të shkollës së mesme që ta kenë në raftet e bibliotekës së tyre edhe këtë komplet të shkrimtarit të parë të letërsisë bashkëkohore.

Ndërkaq, nxënësja me karrierë nga kjo vatër arsimore, Lindita Sejdiu-Rugova, tani dekane e Fakultetit theksoi: “Jam shumë e nderuar për ftesën që ma keni bërë dhe shumë e lumtur që pas 26 vjetësh u ktheva në tokën ku dikur me shumë qejf e shumë vullnet i nisa mësimet në barakat e atëhershme të QAMO-s “Sezai Surroi”, në Bujanoc”. 

“Ishin kohë të vështira, kohë pa kohë, por kishim një ëndërr, kishim një qëllim”, shprehet e entuziazmuar Lindita Sejdiu-Rugova.

“Sot në mesin tuaj janë fare pak nga profesorët e mi të periudhës 1989-1993 ... për ju që jeni të pranishëm në këtë manifestim, prof Xhahit, Bejzad, Vaxhid, Xhabir, Xhevdet, Zijadin e shumë të tjerë që mund të mos i vërej tash për tash, për ju shkon një falënderim i madh dhe një mirënjohje e pashoqe që ju kemi patur dhe kemi pasur fatin që kemi qenë nxënësit tuaj”, theksoi Lindita, duke shtuar e duke u ndjerë krenare theksoi: ”Për disa nga ish-studentët e mi që tanimë punojnë në këtë shkollë (Tejhanja, Enveri, Valoni, Feridja) shpreh mburrje dhe krenari që po e mbani gjallë frymën e kësaj shkolle”.

“Në ëebfaqen impresive të shkollës e lexova një shifër rreth 1000 nxënës që e vijojnë mësimin në këtë shkollë, m’u bë zemra mal, ngase vazhdimisht jemi të rrethuar me lajme për zbrazjen e Luginës dhe ky numër relativisht i kënaqshëm i nxënësve që e vijojnë mësimin në këtë shkollë mbetet një fije shprese për ta gjallëruar këtë qytezë, në veçanti këtë rajon në përgjithësi”, theksoi Lindita.

Ndërsa recensenti i këtij libri Monografik, Zaim Haliti, theksoi: “Libri, Monografia e Shkollës së Mesme Sezai Surroi, historinë e kësaj shkolle na sjellë në mënyrë kronologjike që nga themelimi e deri në ditët e sotme. Shkrimi, statistikat, fotografitë dhe elementet tjera faktografike në këtë libër, librit i shtojnë vlera që dëshmojnë se arsimimi shqip në Bujanoc është i lidhur mish e shpirt me këtë shkollë”.

Monografia në fjalë, shtoi më tej Haliti, është thesari i çmuar, jo vetëm si historiku i kësaj shkolle, por edhe biografitë e shumta e pasurojnë librin sepse shumë biografi që i hasa në libër me plot bindje po e them se çdonjëra nga ato mund të jetë vepër në vete, monografi në vete”. 

Pra, Monografia e aurorit Bejzad Abdullau, sipas Halitit, nuk qe vetëm imperativ i një përvjetori, por një vepër përkushtuese, që së paku në komunën tonë del mbi sipërfaqe të veprave monografike, jo vetëm në volum, por edhe me vlera. 

Kjo ma forcon bindjen theksoi më tej Haliti, se me punë, përkushtim e sakrifica çdo gjë është e mundur.

Në fund u falënderua edhe autori i librit Monografik profesor Bejzad Abdullahu, i cili shpjegoi: “Në këtë libër të Monografisë janë përfshirë portrete e biografi të mësimdhënësve të parë që ia vunë themelet e forta shkollës sonë. Këtë punë dhe mund me shumë sukses e bënë Shaban Xheladini, Hamdi Daci, Nijazi Bektashi dhe Hadije Morina – Surroi. Natyrisht, se ka pasur edhe miq dhe bashkëpunëtorë të tjerë që kanë ndihmuar zotërinjtë në fjalë, porse kontributi i tyre është i pazëvendësueshëm”. 

“Me këtë Monografi prej rreth 600 faqesh është përfshirë periudha kohore që nga themelimi i paraleleve të para të shkollës së mesme në Bujanoc, më 1968 e deri më sot, një periudhë gjysmëshekullore e kësaj vatre arsimore, çka ju përgëzojë për kontributin tuaj, ju mësimdhënës që i keni vënë themelet e para dhe të forta shkollës sonë të parë shqipe bashkë me profesorët tuaj të dashur dhe të nderuar të gjeneratave me radhë, ngase në këtë libër Monografik do të mbetet i gjallë kujtimi i breznive gjysmëshekullorë të kësaj vatre arsimore”, theksoi Abdullahu. 

Me këtë rast, të promovimit të Monografisë së shkollës dhe të shënimit të ditës së kësaj vatre të diturisë së arsimit, autori i librit Abdullahu, para të pranishmëve në këtë manifestim, duke elaboruar për të arriturat dhe historikun e kësaj shkolle, falënderoi të gjithë mësimdhënësit që kontribuuan me dëshirën më të madhe në hapjen e kësaj vatre të diturisë, që nga themelimi i saj, e gjerë tek arritjet e suksesshme në edukimin e gjeneratave me radhë, deri në ditën e sotme.

Abdullahu në fjalën e tij përshëndetëse rikujtoi kontribuuesit e kohërave të vështira që me punë të pandalshme, me mundime e sakrifica që bënë ata për themelimin e paraleleve të para me mësim në gjuhën shqipe, gjatë hapjes së kësaj shkolle – vatrës së diturisë duke shprehur njëherësh dhe mirënjohje të thellë për ata që disa edhe nuk janë më në mesin tonë, çka dhe i është mirënjohës.

Në fund autori, pasi që i falënderoi organizatorët dhe të pranishmit e këtij promovimi të monografisë së shkollës së mesme “Sezai surroi” u dhuroi atyre nga një ekzemplar të librit. 

Manifestimi i sotëm i promovimit të librit Monografik të kësaj vatre të diturisë u shënua me një sërë aktivitetesh dhe manifestimesh të ndryshme kulturo-artistike ku nuk munguan as ekspozita e piktorit të mirënjohur të rajonit tonë Xhevdet Dulës, që e madhështuan këtë ditë të shënuar të shkollës sonë, si dhe recitimi i disa poezive dhe melodi me piano nga nxënësit e shkollës sonë.

Metali Krasniqi- Shkolla e mesme "Sezai Surroi" në Bujanoc

 

BIPMB organizon iftarë për nxënësit e shkollës së mesme në Bujanoc
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration