Projekti i Medvegjës nga arkitekti Sadiki, fitues i çmimit prestigjioz të arkitekturës islame
Me Xhaminë e projektuar dhe ndërtuar më 2015, Arbër Sadiki është shpallur laureat i ciklit të katërt të çmimit “Abdullatif Al Fozan”. Të hënën, në një ceremoni të mbajtur në Riad, Sadiki ka pranuar çmimin. Projekti i tij paraprakisht bënte pjesë në listën e 22 projekteve që nga 200 të tilla janë vlerësuar për këtë çmim. Sipas listës, projektet janë konkretizuar në 17 shtete e 4 kontinente
Arkitekti Arbër Sadiki ia ka dalë që nëpërmjet projektit ku vlerësohet për kompleksitetin e thjeshtësisë të jetë laureat i njërit prej çmimeve më prestigjioze në botë sa i përket arkitekturës së objekteve të kultit islam. Me Xhaminë e projektuar dhe ndërtuar më 2015, ai është shpallur laureat i ciklit të katërt të çmimit “Abdullatif Al Fozan”. Të hënën, në një ceremoni të mbajtur në Riad, Sadiki ka pranuar çmimin. Projekti i tij paraprakisht bënte pjesë në listën e 22 projekteve që nga 200 të tilla janë vlerësuar për këtë çmim. Sipas listës, projektet janë konkretizuar në 17 shtete e 4 kontinente.
Juria e kryesuar nga arkitekti Rasem Badran (Jordani) dhe anëtarët: Emre Arolat (Turqi), Kashif Choëdhury (Bangladesh), Ahmed Mustafa, (Britani e Madhe) e Sari Hanafi (Francë) kanë vlerësuar në këtë cikël 200 xhami të ndërtuara në mbarë botën.
“Një kub i vogël i bardhë! I zbrazur nga vetja në natyrë, ndërsa drita hyn tinëz nga kufijtë e mureve të tij madhështore. Kjo është Xhamia në Tupallë, Serbi, fituese e çmimit ‘Abdullatif Al Fozan’”, kanë njoftuar organizatorët për çmimin dhe xhaminë që ndodhet në fshatin Tupallë të Medvegjës.
Projekti për xhami i Sadikit është vlerësuar për filozofinë që reflektohet në dizajn. Sipas vlerësimit, veçohen, midis të tjerash, thjeshtësia që lidhet me modernizmin e shekullit XX dhe dizajni që mundëson dritën natyrale ta ndriçojë objektin. Juria ka vlerësuar se ndërtesa nuk është ngarkuar me shumë dizajn, duke bërë që të nxirret në pah kompleksiteti i bukur i thjeshtësisë.
“Hapësira më e mirë për të reflektuar është ajo e hapura. Kur dikush lutet në ambient të jashtëm, mundësia e reflektimit është shumë e hapur. Por kur mund të arrihet që kjo ndjesi dhe ky reflektim të jenë të mundur në një hapësirë të brendshme në një mënyrë të thjeshtë, mendojmë se është e arritura e madhe që xhamitë në të ardhmen duhet të tentojnë ta bëjnë”, ka vlerësuar juria. Sipas tyre, Sadiki me projektin e tij e ka arritur këtë si në rrafshin e reflektimit shpirtëror po ashtu edhe në pikëpamjen arkitekturore, duke bërë që me shpenzime të ulëta të ndërtohet një objekt ikonik.
Xhamia ka vetëm 84 metra katrorë dhe zë vend buzë një kodrine të veshur me vegjetacion. Komunikimi i besimtarëve me hapësirën e jashtme është shumë i madh.
Sadiki, i cili ka doktoruar në Universitetin e Beogradit, pas pranimit të çmimit, ka thënë se për të ka qenë një kënaqësi të jetë fillimisht i nominuar e pastaj edhe fitues për xhaminë më të mirë në konkurrencë me mbi 200 aplikimeve nga e gjithë bota. Sipas tij, duke pasur parasysh edhe jurinë vlerësuese, në përbërje të arkitektit të rëndësishëm si Emre Arollat, çmimi është një vulosje e punës që bën.
“Mbi të gjitha do të doja të ndikonte që te ne, në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, të ndryshojë qasja mbi projektimin e xhamive. Fundja, është qëllimi i këtij çmimi, është pikërisht ky: mbështetja e qasjeve bashkëkohore në projektimin e xhamive”, ka thënë ai.
Në korrik të vitit të kaluar, kur kishte hyrë në rrethin e ngushtë për të qenë laureat, kishte thënë se arkitekturën e kupton si shërbim ndaj një nevoje që ka dikush për diçka.
“Në këtë drejtim i gjithë fokusi im është për të përmbushur këtë kërkesë duke i dhënë përmbajtje shtesë kreative. Por asnjëherë gjatë këtij procesi nuk më shkojnë ndërmend çmimet, rangimet dhe listimet. Mendoj se ato janë më të rëndësishme për ata që konsumojnë arkitekturë për ta pasur më të lehtë filtrimin se çka konsiderohet vlerë në arkitekturë sesa për autorin e veprës”, kishte thënë Sadiki, i cili njëherësh është drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës. Sipas tij, kjo arritje tregon se duhet dhënë hapësirë qasjeve të reja në arkitekturë.
“Në këtë drejtim uroj që përfshirja në listë të ngushtë e Xhamisë modeste të Tupallës për një çmim kaq prestigjioz (ndoshta më prestigjiozi) në fushën e ndërtesave të kultit islam shpresoj të ndikojë që edhe në hapësirat shqiptare çdo ditë e më shumë t’i jepet hapësirë qasjes bashkëkohore të projektimit të këtyre ndërtesave dhe të ndërpritet reprodukimi i pakuptimtë i modeleve historike”, kishte thënë Sadiki, i cili, midis të tjerash, ishte i nominuar për çmimin “Aga Khan” e është edhe laureat i “Annual Prize for Scientific Work in the Field of Cultural Heritage”.
Sipas themelueseve, “The Abdullatif Al Fozan” synon të jepet për veprat që kanë raport të ngushtë me hapësirën, janë moderne sa u përket dizajnit e kreativitetit. Po ashtu, vend të madh në vlerësim zënë edhe të qenit miqësor me ambientin dhe kostoja jo e lartë ekonomike.
Sipas rregullave, 22 projektet e përzgjedhura në listën e ngushtë janë shqyrtuar nga recensues teknikë me përvojë, në një proces për të përgatitur me raporte të plota dhe të detajuara arkitekturore, në mënyrë që t'i riparaqesin ato në detaje para jurisë ndërkombëtare gjatë takimit të mbajtur në nëntor të vitit të kaluar krahas Konferencës së Tretë Ndërkombëtare për Arkitekturën e Xhamive.
Çmimi “Abdullatif Al Fozan” për arkitekturën e xhamive është themeluar në vitin 2011 dhe synon aspektet arkitekturore, urbane dhe teknike të xhamive në të gjithë botën. Objektivi kryesor i këtij çmimi është zhvillimi i dizajnit bashkëkohor i xhamive, në një bazë të dhënash të specializuara dhe të klasifikuara.
“Për më tepër, ai inkurajon arkitektët të krijojnë dizajne të reja të xhamive, në të cilat përfaqësojnë xhamitë në shekullin XXI. Në përgjithësi, çmimi siguron rëndësinë e arkitekturës së xhamisë së shekullit XX, e cila perceptoi dhe riprodhoi shpirtin e ideve tradicionale të xhamisë dhe e konceptuar mbi bashkëkohoren si një mesazh themelor”, shkruhet në ueb-sajtin e çmimit.