Në veri serbët e shohin sigurinë si problem kryesor, në Preshevë shqiptarët papunësinë
Lokale

Në veri serbët e shohin sigurinë si problem kryesor, në Preshevë shqiptarët papunësinë

07.Mar.2023 16:50
0

Siguria është çështja që e konsiderojnë si më problematike qytetarët serbë të komunave veriore të Kosovës, ndërsa për shqiptarët në Luginë të Preshevës problemi kryesor është papunësia, sipas anketës “Sfidat e përbashkëta te zgjidhjet e përbashkëta” nga Organizata joqeveritare “Aktiv” dhe Qendra për Demokraci dhe Arsim. Siç kanë bërë të ditur në një konferencë për media anketuesit, pos ekonomisë, edhe migrimi është problem që i prek të dyja komunitetet.

“Gjithsesi ka shumë dallime mes Luginës dhe veriut të Kosovës. Siguria është problemi më i madh. Këtu flasim për sigurinë personale në veri, ndërkaq në Luginë është ndryshe. Emëruesit e përbashkët edhe për shqiptarët edhe serbët janë ekonomia dhe papunësia. Institucionet nuk kanë punuar në mënyrë adekuate për t’i ndaluar të rinjtë që të dalin jashtë vendit”, ka thënë Miodrag Miliqeviq nga “Aktiv”. “Qytetarët janë të pakënaqur me përfaqësuesit e tyre politikë dhe provokimet nga Policia kanë qenë një faktor tjetër në veri të Kosovës. Lufta me korrupsionin është një nga çështjet që duhet të punohet”.

Sa i përket sigurisë dhe incidenteve multietnike mbi 60 për qind e qytetarëve në veri mendojnë se kanë jetët e rrezikuara, ndërsa në Preshevë qytetarët vlerësojnë situatë më të qetë. 

Ndërsa Agon Islami, koordinator i organizatës nga Bujanoci, ka thënë se një problem tjetër me të cilin përballen shqiptarët e Luginës dhe serbët në veri është nostrifikimi i diplomave. 

“Janë disa problematika të përbashkëta që ballafaqohen shqiptarët e Luginës me serbët në veri. Nostrifikimi i diplomave ka qenë një problem dhe vazhdon të jenë problem. Që nga viti 2008, nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, qytetarëve që jetojnë në Luginë, atyre që kanë kryer shkollimin e lartë në Kosovë, nuk iu janë njohur diplomat”, ka thënë ai. 

Deri në 38 për qind të të anketuarve në Luginë si problem e kanë paraqitur nostrifikimin e diplomave. Këtë e kanë ndërlidhur edhe me migrimin dhe papunësinë.

 

Sipas anketës, gati 60 për qind e qytetarëve të Luginës presin që periudha e ardhshme trevjeçare të jetë edhe më keq se ajo e shkuara. Rreth 65 për qind e të anketuarve në moshën 18 deri 29 vjeç, nuk shohin të ardhme në këtë vend. Ekonomia dhe siguria janë dy çështje që do t’i bindnin ata të mos linin vendlindjen, sipas anketës. Nepotizmi është përmendur si problem në të dyja vendet. Njëjtë është edhe korrupsioni.

Rreth 45 për qind e të anketuarve në Luginë, shqiptarë e serbë, kanë vlerësuar se kanë raporte “jo të mira” mes vete. Ndërsa në veri, ky opsion është përzgjedhur nga 31.8 për qind e të anketuarve.

93.9 e shqiptarëve në Luginë kanë thënë se s’do të pranonin të martoheshin me një serb, ndërsa 80.7 për qind e serbëve në veri kanë dhënë përgjigjën e njëjtë.

Miodrag Miliçeviq nga “Aktiv” ka thënë se 70 për qind e shqiptarëve në Luginë kanë menduar se vendimi për vendosje të stikerave nëpër vetura ka vështirësuar lëvizjen në kufij. Ndërsa në veri të Kosovës serbët kanë thënë se prej vendosjes së stikerave, çdo i pesti qytetar nuk ka dalë nga Kosova.

Në të dyja vendet komunitetet kanë vlerësuar se duhet të jenë pjesë e dialogut mes dy shteteve.

Në Serbi, të rinjtë shqiptarë kanë besim të madh në institucionet e Kosovës me 64 për qind që i besojnë Qeverisë. Në veri, serbët më shumë i besojnë Qeverisë së Serbisë dhe jo asaj të Kosovës. Sipas të dhënave, edhe Lista Serbe gëzon besim të vogël në veri.

Në Luginë mendojnë se duhet pranuar shteti i Kosovës, e në veri “autonomia e komunave”./koha.

Sot shënohet 7 Marsi: Dita e Mësuesit, historia
Projekti i Medvegjës nga arkitekti Sadiki, fitues i çmimit prestigjioz të arkitekturës islame
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration