Progresi Evropian shpall konkurs për të rinjtë që hapin bizneset e tyre, mund të konkurrojnë edhe të rinjtë nga Lugina e Preshevës
Progresi Evropian ka shpallur konkurs për ndarjen e mjeteve të pakthyeshme për të rinjtë e 34 komunave të Serbisë juglindore dhe jugperëndimore për hapjen e bizneseve të tyre, raporton Titulli.com.Siç dihet në mesin e 34 komunave të përfshira në këtë program janë edhe komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës.
Këtë aktivitet i cili ka për qëllim të stimulojë ndërmarrësinë në mesin e të rinjëve, Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Zvicrës do ta mbështesin me 180 mijë euro.
Të drejtë pjesëmarrje në konkurs kanë të rinjtë e papunësuar të moshës prej 18 deri në 30 vjet, që në momentin e shpalljes së konkursit janë të regjistruar në evidencën e Entit nacional për punësim më së paku tre muaj pandërprerë, që kanë vendbanim të përhershëm dhe planifikojnë të hapin biznes në njërën prej komunave të përfshira në realizimin e programit Progresi Evropian.
Programi do të mbështes 20 ndërmarrje start-up në fushën e prodhimtarisë, teknologjisë informative dhe industrisë ushqimore, me më së shumti 10.000 euro, e më së paku 2.500 euro për një projekt, njofton Titulli.com.
Konkursi është i hapur deri më datën 11 maj 2016, njofton Progresi Evropian./Titulli.com/