Privatizimi i mediave publike do ta kthejë Luginën në errësirë
Ndërmarrjet publike radio-difuzive në Luginën e Preshevës të cilat janë themeluar nga kuvendet komunale të komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë pas vitit 2000 me qëllim të kënaqjes së nevojave të përgjithshme të shoqërisë sot janë vërë para sfidës më të madhe gjatë tërë ekzistimit të tyre.Më shumë se kurrë më parë tani u kanoset rreziku i përfshirjes në valën e privatizimit të mediave në Serbi si rezultat i ndryshimeve legjislative, proces ky i cili do të vë në pikëpyetje ekzistimin e tyre të mëtejmë pasiqë kushtet për privatizim të suksesshëm janë pothuajse të pamundura. Pa asnjë sqarim, madje edhe tentativë që këto media të mbrohen për shkak të punës së mirë dhe të palodhshme që bëjnë gjatë tërë këtyre viteve në informimin sa më objektiv të shoqërisë, demokratizimin e saj, kultivimin e multietnicitetit, sot i tërë ky ankth ka gjasa të bëhet realitet dhe po kalon në hije dhe qetësi.
Ky mund të konsiderohet si një veprim i papërgjegjshëm i radhës dhe me pasoja shkatërruese për popullatën shqiptare të Luginës së Preshevës nga Qeveria e Vuçiqit, ndërsa faktori politik shqiptar dhe të gjitha institucionet të cilat përfaqësojnë komunitetin shqiptar në Serbi heshtin para këtij rreziku të madh.
Privatizimi i mediave publike në Luginën e Preshevës më shumë i ngjanë një procesi që do të rrezikojë informimin shqip sesa një procesi që ka për qëllim racionalitetin ekonomik. Fillimisht kushtet ekonomike për privatizimin e këtyre mediave janë të pafavorshme. Lugina e Preshevës nuk ka treg dhe nuk është treg, jo vetëm se unë e them këtë si autor por për arsye të thjeshtë se komunat e Luginës bëjnë pjesë në grupin e komunave më të pazhvilluara të Serbisë. Për katërmbëdhjetë vjetë sa është duke zgjatur procesi i tranzicionit në Serbi ato vazhdojnë të mbesin të pazhvilluara, me status pothuajse të pandryshuar, sepse ato nuk kanë treg dhe nuk kanë kapacitet për ta krijuar. Në nivel shtetëror ekonomia e Serbisë është ende në tranzicion. Ky proces ende nuk ka mbaruar prandaj nuk mund të quhet ekonomia e Serbisë ekonomi e tregut, ndërsa për Luginën ky është vetëm një nocion ekonomik për të cilin mund të diskutohet. Për këto arsye tentativa për privatizimin e mediave mund të konsiderohet vetëm si një eksperiment që mund t’i kushtojë shumë Luginës. Sa ka qenë procesi i privatizimit të ndërmarrjeve publike në Serbi i suksesshëm?! Çfarë garanton suksesin e këtij procesi?!
Në ekonominë e tregut ndërmarrjet janë të orientuara kah profiti. Nuk ka profit, nuk ka punë. Kaq është e thjeshtë kjo. Nëse mediat private nuk do të kenë fitim, çka do të ndodhë? A do të vazhdojnë të punojnë ato në dëm të vetë duke rrezikuar pasurinë e pronarit apo pronarëve për të mirën e popullatës. Unë kisha me thënë se jo?
Çfarë ndodhë në vendet ku nuk ka treg? Aty Qeveria duhet të intervenojë, ashtu siç ka bërë para 13 apo 14 vjetësh kur ka themeluar këto media e tani në një ekonomi të devastuar pa kurrfarë analizash ekonomike tenton t’i privatizojë, vetëm për t’i hequr qafe.
Në parim, mediat publike akuzohen nga “konkurrenca” si konkurrencë jolojale për shkak të statusit “të privilegjuar”, pasiqë financohen nga shteti. Pyetja është: kujt ato i bëjnë konkurrencë jolojale?! Sa janë të forta mediat private në Luginë?
Misioni dhe motivi kryesor i mediave publike është që të kënaqin nevojat e përgjithshme të shoqërisë, e jo profiti. Si të tilla, këto media në punën profesionale janë të orientuara kah përmbajtja informative e jo komericale. Ato ndër vite kanë formuar reputacionin e vetë në komunat ku realizojnë veprimtarinë e tyre. Përveç kësaj ato kanë edhe kuadro profesionalë. Me përvojën shumëvjeçare që kanë, trajnimet dhe seminaret që kanë ndjekur punëtorët, gjegjësisht gazetarët dhe stafi tjetër profesional i këtyre mediave, mund të konsiderohen si profesionistë. Duhet të pranojmë se themelimi i këtyre mediave si dhe formimi profesional i punëtorëve janë një kosto e madhe për komunat dhe për shoqërinë në përgjithësi. Në anën tjetër, këtyre punëtorëve përveç se u kanoset rreziku i humbjes së punës nga dështimi i privatizimit, do të jenë të detyruar të bëjnë rikualifikim për të siguruar ndonjë punë tjetër, gjë që do të iniciojë kosto shtesë e që edhe më tej do të përkeqësojë statusin e tyre ekonomik.
Ku qëndron këtu arsyeshmëria ekonomike? A duhet të pranojmë që në një ekonomi të devastuar, në të cilën ende nuk shihet drita në fund të tunelit, ku edhe kryeministri rrënshqethet nga parashikimet ekonomike të lejohet të bëhen eksperimente kaq të rrezikshme? Në një ekonomi ku zvogëlohen pagat, ku fjala më e shpeshtë është bankrotimi, ku punëtorët mbesin pa punë, në të cilën parashikohet të ulët tërë aktiviteti ekonomik ndërsa ku në të njëjtën kohë shtohen tatimet dhe procedurat burokratike për mediat. Në çfarë bazohen analizat e Qeverisë, në shpresa dhe objektivizëm?!
Shpeshherë mediat publike akuzohen se janë dorë e zgjatur e pushtetit, ky etiketim është i zakonshëm. Mos vallë mikro mediat private kanë kapacitet për objektivitet? Po edhe nëse dëshirojnë të jenë objektive në punën e tyre e kanë të pamundur ta arrijnë këtë në kushtet e tanishme ekonomike. Këto media nuk kanë treg prandaj pronarët për një ndihmë të vogël financiare nga organizatat, komuna, partitë politike etj. janë të detyruar të shtrembërojnë informimin, ta kamuflojnë atë. Financimi i tyre prapë do të jetë problem pasiqë do të krijojë varshmëri. Në anën tjetër, nga pasiguria në punë gazetarët do t’i nënshtrohet çdo urdhëri sepse tani puna është, merre ose lëre. Unë këtë nuk e shoh si zgjidhje të qëndrueshme. Së paku jo në këto rrethana.
Të ndalemi për një moment tek rasti i komunës së Medvegjës, në këtë komunë ekziston vetëm një radio stacion publik “Radio Medvegja”. Nuk ka konkurrencë. Në rast se dështon privatizimi gjë që është shumë reale për të ndodhur, çfarë do të ndodhë me informim shqip në Medvegjë? Kush do të jetë përgjegjës për këtë? Qeveria?! A kujdeset Qeveria për interesat e popullatës sonë apo këtë duhet ta bëjnë përfaqësuesit tanë dhe institucionet legjitime që përfaqësojnë interesat e komunitetit shqiptar?
Nëse merren parasysh të lartpërmendurat, vetëm në bazë të analizës cost-benefit duhet thënë jo kësaj tentative. Kjo është e rrezikshme dhe e dëmshme për Luginën. Një aksion i tillë i Qeverisë Vuçiq është për ta kundërshtuar. Duhet siguruar status special për mediat të cilat informojnë në gjuhën e pakicave kombëtare në Serbi dhe në këtë kuptim ato duhet të përjashtohen nga privatizimi. Kjo nuk do të dëmtojë shtetin e Serbisë aq sa mund të dëmtojë privatizimi i mediave publike pakicat në Serbi. Tash është koha për të vepruar.
Shkruar nga: Mr. Fidan Kosumi
redaktor/gazetar/publicist