Preshevë: Salihu i përgjigjet stuhisë opozitare të Shqiprim Arifit
Kryetari i kuvendit të komunës së Preshevës, Sami Salihu ka reaguar ndaj situatës së krijuar dje në seancë me Shqiprim Arifin, kryetarin e opozitës komunale.
Ky është reagimi i plotë i Sami Salihut në Facebook:
Të dashur qytetarë të Komunës së Preshevës, votues të nderuar, qofshi ju votues të Lëvizjes për Reforma, përkrahës të Pushtetit Lokal apo votues të partisë opozitare.
Pa dashur që t'ju rikthej edhe një herë në kujtesë atë që ndodhi dje në Kuvendin Komunal, pamje të cilat askush nga ju nuk i meriton ti shoh, por edhe askush prej nesh nuk meriton ti përjetojë. Konsideroj që ia vlenë, së paku dhe një herë, spektri politik i Preshevës, por edhe më gjerë, votuesit e të gjitha partive politike, mediat por edhe shoqëria civile t'i analizojë e që të japë verdiktin e tyre dhe të vlerësojë se a meriton shoqëria Preshevare t'i serviren pamje të tilla të vandalitetit dhe të nxitjes së dhunës ndaj kundërshtarëve politik.
Për më tepër, është e dhimshme të dëgjosh "piskamat" por edhe t'i shohësh pamjet kur "lideri opozitar" dëmton pronën publike, duke shkulur kabllot e mikrofonave të Kuvendit Komunal si dhe duke grisur fletat e rendit të ditës, sikur të ishin ato gjëra të pavlefshme.
Dua që përmes këtij postimi, veçanërisht ti drejtohem banorëve të Komunës së Preshevës, me një kërkim ndjese për pamjet që atyre iu kanë shfaqur në ekranet e tyre, sepse konsideroj që populli nuk meriton një qasje të tillë, por dua gjithashtu ti drejtohem edhe këshilltarëve të opozitës që, duke parë një pasqyrë të tillë skandaloze, të distancohen nga çdo lloj akti i dhunës dhe i shkatërrimit të pronës sonë të përbashkët. Ne nuk jemi të tillë, Ju nuk jeni të tillë!
Ajo çfarë është e dhimshme është që pamjet e tilla kanë filluar të përsëriten.
Ne nuk e kemi këtë përmbajtje të dhunës.
Ne nuk kemi një kulturë të tillë dhe neve nuk na kanë edukuar që dhuna është zgjidhje!
Ne vërtetë jemi kundërshtarë, ama jemi kundërshtarë politik, e jo armiq me njëri tjetrin!
Sami Salihu, Kryetar i Kuvendit Komunal të Komunës së Preshevës