Presheva me delegatët e saj në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (foto)
Lokale

Presheva me delegatët e saj në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (foto)

10.Jun.2014 01:13
0
Me rastin e 136 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 10 qershor 2014 Shkruan: Xhemaledin Salihu Xhemaledin Salihu-konferenca Lugina e Preshevës (Kosova Lindore) është e banuar me shumicë shqiptare dhe aktualisht shtrihet në jug të Serbisë. Ajo qysh në Antikë i takonte Dardanisë, fisit Ilir që kryesisht shtrihej përgjatë lumit Moravë dhe Vardar. Këtë trevë shqiptare e bëjnë komuna e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës (këto tri komuna paraqesin tërësi politike, por jo edhe territoriale dhe gjeografike). Shqiptarët e Luginës së Preshevës, Kosovës dhe të Maqedonisë paraqesin  etnikumin më të vjetër në rajon. Ata bënin pjesë në Mbreterinë Dardane, e cila për këtë etnikum paraqiste tërësi etnogjenetike dhe politike. Pra, një mundësi  e madhe që ky etnikum të jetojë në një territor të përbashkët, me cilësi të përbashkëta etnike, kulturore, gjuhësore, ekonomike e politike. Mirëpo, luftërat e shumta të Mbretërisë së Dardanisë me Maqedonasit aq shumë e dobësuan, sa që pushtuesit e ardhshëm e copëtuan dhe e ndan këtë etnikum në disa territore. Lugina e Preshevës, sëbashku me Luginën e Shkupit, sipas gjeografit serb Jovan Cvijiq, paraqesin rëndësinë më të madhe gjeostrategjike dhe gjeopolitike në Ballkan dhe shteti që mbikqyrë dhe sundon këto dy Lugina qeverisë krejt Ballkanin. Këtu qëndron edhe rëndësia e Luginës së Preshevës, e cila gjatë historisë dhe të kaluarës së saj ishte arenë e shumë betejave dhe luftërave për ta sunduar ate. Hekurudha përgjatë Lumit Moravë dhe Vardar lidh jo vetëm shumë shtete, por edhe kontinente. Autostrada poashtu është me rëndësi të madhe. Kohëve të fundit aktualizohet edhe kanali përgjatë lumit Danub - Moravë - Vardar, për të cilin ishin të interesuar edhe më herët Amerikanët, Françezët, Anglezët. Kështu territorin e Shqiptarëvë të Luginës së Preshëvës e shkelën Sllavët, ushtria bizantine në shekullin XI, ushtria turke në shek. XV, ndërsa më vonë edhe shumë pushtete antishqiptare. Mirëpo, Shqiptarëve të Luginës, asnjëherë dhe kurrë nuk iu shua shpresa për bashkim kombëtar, sepse gjithmonë ishin pjesë përbërësë e kërkesave mbarëshqiptare. Andaj edhe shprehja e Ibrahim Kelmendit, patriot nga Presheva: “Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë”. Poashtu historiani Shukri Rahimi shprehet: “Historia e popullit shqiptar është e pandarë. Shqiptarët në kuadër të Perandorisë Osmane bënin një tërësi tërritoriale, etnike, kulturore, arsimore, pra nuk ishin të ndarë me këta kufij artificial që u vunë më vonë, me dhunë nga forcat e huaja, prandaj edhe sot, këto treva i konsideroj sit të tilla, të ndara artificialisht. Ndërsa historiani Ramiz Abdyli shprehet kështu: “Shqiptarët e Preshevës dhe të viseve përreth, siç është treva e Bujanocit dhe e Kumanovës, apo të Krahinës Verilindore të Karadakut, sikundër viset tjera shqiptare , jo vetëm i bënë ballë asimilmit gjatë robërisë së huaj shekullore, por me pjesëmarrje aktive në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të historisë sonë të përvuajtur, por krenare dhanë kontributin e tyre të çmueshëm për liri dhe mëvetësi kombëtare. Kontributi i tyre është i çmueshëm sidomos gjatë periudhës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që nga vitet e 30-ta të shek XIX, përfundimisht me organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme Antiosmane, që u kurrorëzua me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, kësaj ngjarjeje më të rëndësishme në historinë tone”. Edhe pse pas viteve 1454 e 1455, Lugina e Preshevës ra nën sundimin e Perandorisë osmane, ajo asnjëherë nuk u pajtua me gjendjen e vështirë nën sundimin osman, andaj Shqiptarët e Luginës së Preshevës  gjatë viteve 1841-1845 u hodhën në kryengritje kundër Tanzimatit. Sheh Hyseni dhe Sheh Salihu e shum patriotë të Luginës organizuan protesta  dhe ngritën zërin kundër zbatimit të Tanzimatit në Luginë, sepse popullata e këtij rajoni nuk deshti t’i paguajë tatime të mëdha pushtetit osman. Pastaj të përmendin kryengritjen e Dervish Carës, më 1844, e cila kryengritje çoi në këmbë për liri gjithë popullatën shqiptare të këtij rajoni si dhe përfshiu tërë territorinë e Dardanisë. Shqiptarët e Luginës së Preshevës iu bashkangjitën kërkesave të Qeverisë  Shqiptare të Shqipërisë, e cila kërkoi Autonomi Territoriale - Politike të Shqipërisë në kuadër të Perandorisë Osmane. Ajo nuk i pranoi 14 kërkesat e Shqiptarëve për Autonomi Politike, por vetëm kërkesat kulturore-arsimore.Kështu dështoi kërkesa dhe erdhi  zhgënjimi në Perandorinë Osmane që Shqiptarët të jëtojnë në një shtet të përbashkët shqiptar. Mosnohja e autonomisë politike nga Perandoria Osmane, Shqiptarët e pakënaqur i motivoi të organizojnë Kryengritje. Kësaj iu bashkangjitën edhe  Shqiptarët e Luginës së Preshevës, në krye me patriotin Idriz Seferi. 1.Themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit  [caption id="attachment_124528" align="aligncenter" width="572"] Shtëpia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit Shtëpia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit[/caption] Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878 - 1881) zyrtarisht filloi me tubimin e 300 përfaqësuesve të të gjitha krahinave shqiptare në Kuvendin shqiptar, të mbajtur në Prizren, më 10 qershor 1878. Qëllimi i takimit ishte formimi i një shteti autonom shqiptar që do të mbulonte Vilajetet të Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës. Lidhja ishte përpjekja e  parë e madhe për të krijuar një regjion të bashkuar shqiptar qysh nga dështimi i forcave të Skënderbeut në Mesjetë. Shqiptarët e Luginës së Preshevës, me kohë e lidhën fatin e tyre me Kosovën dhe morën pjesë aktive në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe më vonë në të gjitha Lëvizjet patriotike dhe politike të Shqiptarëvë të ish-Jugosllavisë për të drejta dhe çlirim kombëtar. Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe, e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Burimet serbe e trajtojnë formimin dhe aktivitetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Studiuesi Jovan Hazhivasileviq shkruan: “Edhepse Porta turke e formoi Lidhjen Arnaute/Shqiptare/, ajo nuk dëshironte që kjo ti dalë jashtë ndikimit dhe me pasoja të papara, ndërsa Lidhja Shqiptare e udhëhequr nga Shqiptarë të arsimuar dhe nën ndikimin e agjitacionit të huaj, u zhvillua në drejtim tjetër dhe në përmasa të tjera e jo ashtu siç e planifikoi Porta turke.Në këtë kohë parija shqiptare u thirr në Stamboll, për tu bindur që të mos luftojnë kundër Portës, por kundër Serbisë dhe Malit të Zi, me besim të plotë se Turqia do të angazhohet që kufiri në mes Serbisë dhe Turqisë do të jetë në Toplicë dhe se do ti kthehen tokat e uzurpuara nga Mal i Zi. Për këtë Turqia ndër Shqiptarë dërgoi hoxhallarë, imamë, sheikë, dhe klerikë tjetër për ti bindur shqiptarët, në qëllimin e mirë të Turqisë”. Shqiptarët u mblodhën në Prizren dhe nga Stambolli në mënyrë të pavarur si dhe kundër dëshirës së Portës shkuan në Prizren Abdyl Bej Frashëri dhe Jani Vreto, me program të hartuar, të cilin e shqyrtuan dhe e miratuan në mbledhjet e Lidhjes. “Sipas këtij program, Shqipëria do të formohet nga 4 pashallëqet: 1.Janinës, 2. Shkodrës,Tiranës, Elbasanit,  3.Shkupit, Dibrës,Tetovës, Gostivarit, Prilepit, Velesit, Manastirit dhe Ohrit,  4. Pejës, Gjakovës, Prizrenit, Pazarit të Ri, Mitrovicës, Sjenicës, Prishtinës, Gjilanit, Preshevës dhe Kumanovës”, shkruan Jovan Haxhivasileviqi në librin: Lidhja Shqiptare, Beograd, 1909, f.40. Pas shumë mos pajtimeve në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit u formua Komiteti qendror I Lidhjes, në mesin e të cilëve hyn edhe Maksut Efendija Shehu nga Presheva, si dhe Kamber Aga dhe Haxhi Abazi nga Presheva, shkruan në të njëjtin libër Haxhivasileviqi. Pas kësaj merret qëndrim që të formohen Degët e Lidhjes në disa qytete të shqiptarëve, ndërsa në Degën e Preshevës hyjnë Maksut Efendija Shehu, Kamber Aga, Haxhi Abazi e të tjerë. Degët kishin për qëllim arsimimin e shqiptarëve në këto treva, shkruan Jovan Haxhivasileviqi në Lidhjen Shqiptare, f. 45. Pas Kongresit të Berlinit, Shqiptarët  në Vilajetin e Kosovës, në Shkup, Kumanovë,  Preshevë dhe Gjilan iu dha e drejta e formimit të Gjykatave shqiptare, pos atyre të Portës. Ato përbëheshin prej 10-12 personave. Perandoria osmane nuk ishte e kënaqur me veprimtarinë dhe aktivitetet e Lidhjes Shqiptare, andaj edhe nga Vilajeti i Kosovës kërkohet që Porta e Lartë të dërgojë 40-50 tabore ushtarë për ta shuar Kryengritjen shqiptare. Më poshtë po e paraqesim Letrën e dërguar nga Vilajeti i Kosovës për Portën e Lartë, ku në mes të tjerave thuhet: “Për të rivendosur rregullin dhe qetësinë në këto vise të këtij Vilajeti, për t,i mbrojtur organet e pushtetit dhe popullsinë besnike ndaj Perandorisë kërkohet që sa më parë të dërgohen forca të shumta ushtarake, përkatësisht 40-50 tabore, për ta shkatërruar plotësisht qëndresën dhe rrezistencën e këtyre kryengritësve”. Kështu më vitin 1881 pushoi se vepruari Lidhja shqiptare e Prizrenit dhe Degët e saja nëpër qytetet shqiptare. [caption id="attachment_124529" align="aligncenter" width="514"]Faksimili i telegramit, marrë nga libri: Dr.Iljaz Rexha, Lidhja e Prizrenit në dokumente osmane/1878-1881/Prishtinë, Arkivi i Kosovës,1978 Faksimili i telegramit, marrë nga libri: Dr.Iljaz Rexha, Lidhja e Prizrenit në dokumente osmane/1878-1881/Prishtinë, Arkivi i Kosovës,1978[/caption]   2. Delegatët e Preshevës në Kuvendin e LSHP Për një tubim të tillë të përbashkët ishte caktuar Prizreni, me datën 10 qershor 1878, për të mund kërkesat shqiptare të nxirren para se të mbahet Kongresit i Berlinit dhe protestë e Shqiptarëve ndaj vendimeve të Shën Stefanit. Më 10 qershor 1878, në Prizren kishin arritur përfaqësuesit e Prizrenit, Gjakovës, Pejës, Mitrovicës, Gjilanit, Pllavës, Gusisë, Novi Pazarit, Prishtinës, Vuçitërnës, Manastirit, Ohrit, Dibrës, Gostivarit, Tetovës, Kumanovës, Preshevës, Shkupit, Tiranës, Elbasanit e qyteteve të tjera. “Nga aspekti i përkatësisë klasore, pjesa më e madhe i përkiste shtresës feudale. Në tubim merrnin pjesë edhe pashallarë dhe bejlerë që ishin nën ndikimin e Portës dhe vepronin në interes dhe sipas udhëzimeve të saj”, shkruan Shukri Rahimi, në Gjurmime historike të Rilindjes Kombtare, Prishtinë, 1986, f.87. Pra, qysh me kohë, Shqiptarët e Luginës së Preshevës lidhën fatin e tyre me Kosovën dhe morën pjesë aktive në Lëvizjen Shqiptare të Prizrenit dhe më vonë në të gjitha Lëvizjet politike të Shqiptarëvë të ish-Jugosllavisë për të drejta dhe çlirim kombëtar. Se Presheva dhe Lugina e saj ishte liridashëse, e kyçur në Lëvizjen Mbarëkombëtare dhe se i dha kontribut Rilindjes Kombëtare Shqiptare fletë edhe fakti i themelimit të Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Preshevë, me në krye me Sheh Maksut Efendiun, si dhe pjesëmarrja e patriotëve nga Presheva në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878 : Sheh Maksut Efendiu, Osman Çaushi, Mehmet Muhaxhiri, Kamber Aga dhe Haxhi Abazi. Atje tek ne thonë: “Mbahu Prizren se po vjen Presheva”. Pjesëmarrja e Delegatëve preshevarë në Kuvendin e LSHP  ishte objket studimi e shumë studiuesve. Në këtë shkrim do të përmendim disa studiues që merren me këtë çështje dhe sipas burime të tyre caktojnë numrin e pjesëmarrësve nga Presheva, si dhe i cekin emrat e delegatëve preshevarë në LSHP. Fehmi Kelmendi, në librin : Përjetime, Poezi, prozë, publistikë, Tiranë, Globus R., 2004, f.109 pos tjerave shkruan: “Në Kuvend morën pjesë 110 delegatë të ardhur nga të gjitha viset shqiptare.Të deleguaritë nga Presheva ishin:Haxhi Abazi, Kamber Aga, Maksut Shehu, Osman Çaushi dhe Mehmet Doshlaku” ndërsa në f.151, shkruan: “Në Kuvendin Kombëtar të themelimit të LSHP morën pjesë 4 delegatë nga Presheva, që përfaqsonin Kosovën Lindore. Këta ishin: Osman Osmani/Osman Çaushi/, Maksut Shehu, Mehmet Doshlaku dhe Maliq Kamberi”. Në këtë citim, profesori I nderuar nuk e përmend Haxhi Abazin, edhepse në faqen 109 të këtij libri ceket ai apo ndoshta gabim teknik. Abdurrahman Zylfiu, Ismet Bajrami, në shkrimin: Kontributi i Preshevës në Lidhjen shqiptare të Prizrenit, Zgjimi, nr.13, qershor 1998, në f.9, shkruajnë: “Në Lidhjen e Prizrenit morën pjesë edhe preshevarët siç janë: Maksut Efendiu, Haxhi Abazi, Kamber Aga dhe Memet Aga”. Nuk e përmendim edhe Osman Çaushin e Preshevës. “Në Kuvendin historik në Prizren më 10 qershor të vitit 1878 nga Presheva kanë marrë pjesë:Maksut Shehu, Osman Çaushi, Mehmet Muhaxhiri, Kamber Aga dhe Haxhi Abazi, shkruan Rexhep Selimi në revistën “Zgjimi”, nr.16-24, Preshevë, 1999. Në këtë kohë të mbajtjes së Lidhjes së Prizrenit dhe pjesëmarrjes së delegatëve të Preshevës  në Kuvendin e Lidhjes, Shqiptarët e Luginës u gëzuan aq shumë me shpresë se do të ndodhë bashkimi kombëtar, bile gjatë përcjelljes së delegatëve dhe mbajtjes së Kuvendit  iu këndua Lidhjes së Prizrenit. Shqiptarët e Preshevës me lule dhe valle i përcollën delegatët në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit. Bile, thuhet se atëherë edhe lindi vallja e Miratocit “Miratocka” Presheva vallëzoi dhe  këndoi gjatë përcjelljes së delegatëve preshevarë  për në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare në Prizren, por edhe përfundimit dhe pritjes së rezultateve të Kuvendit, që ishin me rëndësi edhe për fatin e Preshevës. Është e njohur se Presheva që nga viti 1878 u bë qendër e Kazasë së Preshevës. Vallja më e njohur preshevare, Vallja e Miratocit “Miratocka” është valle me motive epike, e cila lindi në kohën e mbajtjes së Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Vallja në fjalë ka dy etapa ritmike, në fillim të valles ka një ritëm të ngadalshëm muzikor e të hapit, ndërsa pjesa e dytë apo e fundit e valles ka ritmin më të shpejtë, por në të dy etapat nuk humbet hapi i rëndë burrëror dhe krenar i valles shqiptare. Vallja ka lidhshmëri me përcjelljen e delegatëve, kur ritmi i valles është më i ngadalshëm dhe pritjen e delegatëve preshevarë nga Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur ritmi përshpejtohet duke i pritur me kureshtje të madhe lajmet, haberet dhe rezultatet e Kuvendit.   2.1.SHEH MAKSUT EFENDIU  Sheh Maksut Efendiu u lind në Preshevë më 1812. Ishte djali i Ymerit. Sheh Maksuti pati vetëm një fëmijë, djal,i cili vdiq në moshën 17 vjeçare, nuk dihet emir i tij, varri i tij është afër varrit të Sheh Maksutit. Sheh Maksuti dhe baba i tij i takonin familjes së Shehlerëve të Preshevës, familje e madhe dhe një ndër më të arsimuarat në Luginë të Preshevës. Familjes së Shehlerëve i takonte edhe Hafëz Aliu, teolog, mësimdhënës dhe drejtor i shkollës “Darul-mualimmin” në Prizren. [caption id="attachment_124530" align="aligncenter" width="588"]Trungu familjar i Sheh Maksutit/Hasan Yelmen/ Trungu familjar i Sheh Maksutit /Xhemil Aliu/ Trungu familjar i Sheh Maksutit/Hasan Yelmen/ Trungu familjar i Sheh Maksutit /Xhemil Aliu/[/caption] Sheh Maksuti Efendiu ishte delegate i Kuvendit të LSHP, sëbashku me delegatët tjerë nga Presheva. Ai mjaftë kontribuoi në Kuvend si delegatë, kështu për veprimtarinë dhe aktivitetin e tij në Lidhjen SHP ai u zgjodh edhe kryetar i Degës së LSHP në Preshevë. Më poshte po e japim telegramin e Vilajetit të Kosovës, dërguar Kryeministrisë mbi zgjedhjen e përfaqsuesve të Degëve të Lidhjes së Prizrenit, ku pos të tjerave shkruan:”Sipas korrespodencës së mbajtur me mutesarifët e vendeve jemi informuar si vijon më poshtë: Në Shkup për kryetar/reis/ është zgjedhur Jashar Beu, në Emenije Bashri Beu, në Preshevë Maksut Efendiu…” Në këtë telegram përmenden vendet ku u themeluan Degët e Lidhjes së Prizrenit, ndërsa anëtarët e Degëve janë zgjedhur sipas madhësisë së çdo rrethi- kazaje prej 10-40 anatarë. Anëtarët janë zgjedhur prej parisë së çdo fisi dhe kombësie. Nuk hasëm në literaturë se Dëga e Lidhjes së Prizrenit në Preshevë sa anëtarë pati. Më lejoni të përfundojë se Sheh Maksuti, Mehmet Muhaxhiri, Osman Çaushi, Kamber Aga dhe Haxhi Abazi janë zgjedhur sipas parimit të fisit në Preshevë. [caption id="attachment_124531" align="aligncenter" width="596"]Faksimili i telegramit marre nga libri, f.78: Dr.Iljaz Rexha, Lidhja e Prizrenit në dokumente osmane/1878-1881/Prishtinë, Arkivi i Kosovës,1978 Faksimili i telegramit marre nga libri, f.78: Dr.Iljaz Rexha, Lidhja e Prizrenit në dokumente osmane/1878-1881/Prishtinë, Arkivi i Kosovës,1978[/caption] Përshkak se Maksut Shehu Efendiu kishte familje të madhe Shehlerësh, ai e detyroi kajmekamin e Preshevës Hasan Kudretullahu ta pranojë respektimin e çdo kërkese të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, në realitet të Degës në Preshevë. Ymer Presheva mori pjesë si bashkëluftëtarë dhe organizatorë  kryesor i Kryengritjes së Dervish Carës. Ymer Presheva, pos Sheh Maksutit kishte edhe tre djemë: Sheh Hysenin, Ali Agën dhe Osman Agën shkruan Rexhep Selimi në “Zgjimi”, por shihet edhe në trungun familjar të Sheh Maksutit, të hartur nga Shehlerët: Hasan Yelmen i shkuar në Turqi dhe Xhemil Aliu,i cili  jeton dhe vepron në Preshevë. Sheh Maksuti u shkollua në Preshevë dhe Stamboll, pra kishte kulturë të lartë, andaj edhe dashuria e tij për arsimim ishte e madhe si dhe ishte dashamir i diturisë. Sheh Maksuti posedonte një bibliotekë të pasur me libra, por e cila mjerisht nuk është ruajtur, pos 4 librave që janë të shkruara në osmanishten e vjetër. Këto libra i ruan Xhemil Aliu i Familjes së Maksut Shehut. ”Shihet se sipas dimensioneve të varrit si dhe nga kujtimet e trashëguara të Ali Abdullah Shehut, Sheh Maksuti Efendiu ishte me shtat të mesëm dhe i plotë. Kishte krahëror të zhvilluar dhe ishte pak zeshkan. Mustaqet i kishte të zeza dhe të mëdha, kurse zakonisht vishej me shallvare, shokë, barte një pelerinë dhe mbante një shkop të bukur. I adhuronte shumë pëllumbat dhe qengjat kur blegëronin. Gjatë jetës kreu shumë punë administrative dhe ishte funksionar i pushtetit turk deri në vitin 1878. Ishte i mençur, orator, njohës i mirë i shumë gjuhëve të huaja dhe gëzonte autoritet të lartë në popull. Ishte i pasur dhe gëzonte shumë prona tokësore në Preshevë dhe Tabanoc. Ju ndihmonte materialisht nxënësve që shkolloheshin, të varfërve, fëmijëve bonjakë e tj”,shkruan Rexhep Selimi në “Zgjimi” nr.24, tetor 1999, f.22 Maksut Shehu Efendiu ishte i njohur jo vetëm në Luginë të Preshevës, por edhe më gjërë. Ai njihte dhe mbante korespodencë edhe me Mehmet Ali Pashën e Egjiptit, me rastin e shkuarjes së tij në haxh at e ftoi Mehmet Ali Pasha i Egjiptit dhe ne shenjë të respektit i dhuroi Sheh Maksutit një flamur me shtizë, një mangall dhe dy shpata, të cilat ruhen në Tyrben e Preshevës, ku janë varret e 4 Shehlerëve të njohur. Perandoria osmane nuk ishte e kënaqur me veprimtarinë dhe aktivitetin e LSHP, sidomos të Degës së saj në Preshevë, andaj ajo dërgoi shumë tabore ushtarësh dhe e shoi LSHP, por më këte u shua edhe Dega e LSHP në Preshevë, më 1881. Maksut Shehun Efendinë e arrestuan me dy bashkëluftëtarë dhe e internuan në Stamboll. Në vitin 1885 u kthye nga internimi dhe pas dy viteve, më 1887 vdiq në Preshevë, ku u varros me nderime të mëdha si shehit para Tyrbesë, pranë varrit të djalit të vetëm, 17 vjeçar.Porosia e fundit e tij ishte që në varr ti vehet një gur, ku do të shkruhet vetëm viti i lindjes dhe emri i babës. [caption id="attachment_124532" align="aligncenter" width="576"]Varri i Sheh Maksut Efendiut para Tyrbesë në Preshevë Varri i Sheh Maksut Efendiut para Tyrbesë në Preshevë[/caption] Sheh Maksuti Efendiu, pos që ishte kryetar i Degës së LSHP në Preshevë dhe delegat i Kuvendit të LSHP, ai mori pjesë edhe në rrezistencën e Shqiptarëve kundër forcave dhe ushtrisë serbe, e cila në atë kohë pastronte terenin duke i shpërngulur Shqiptarët nga trojet e veta etnike. Është e njohur rrezistenca në Grykën e Gërdelicës, për të cilën populli i thurri këngë popullore Sheh Maksutit: Sheh Maksuti po e rre telin Në Gërdelicë po i çon askerin Baba Shehu në kamë u çue Në Gërdelicë në luftë me shkue.   2.2. KAMBER AGA Kamber Aga lindi dhe vdiq në Preshevë, ishte djali i Kurtës, Mëhallë e Kamberëve në Preshevë. Ai i pati 8 djemë dhe 4 vajza, i martuar dy herë, njëra grua ishte nga Bilaçi dhe e dyta nga Rahovica. Me Haxhi Abazin ishin kushëri, Mëhallë e Kamberëve në Preshevë, ky Kamber Aga sipas fjalëve të familjarëve të Kamber Agës i ndihmoi Haxhi Abazit në ndërtimin e xhamisë dhe çezmeve. Djali më i madh i Kamber Agës ishte Veliu, apo si e quanin Qorrveliu, i cili si personazh përmendet edhe në romanin historik të autorit: Prizrenac, Krvavi jagluk/Shamia e përgjakur/, Beograd, 1923,  i cili bënë fjalë për Rahovicën dhe dashurinë e vajzës shqiptare të një Age në këtë fshat, e dashuruar në djalin e ri serb, I cili punonte argat dhe në shërbime të tjera në familjen shqiptare. Ajo ik me djalin serb në Vranjë dhe familja e vajzës e angazhojnë Qorvelinë, i cili ishte trim, për ta kthyer vajzën ne Rahovicë. Por dashuria ishte aq e madhe saq vdesin të dytë në kufi të Serbisë me Turqinë në Ristoc. Djali më i vogël i Kamber Agës quhej Adem Aga. Këto fjalë për Kamber Agën i thanë Aga Sylejman dhe Aga Bushat, në ndejat dhe për të cilat më tregoi Adem Kamberi i Ri. Të themi se Adem Kamberi u zgjodh kryetar Bashkie i Preshevës më 1944, gjatë revolucionit në Preshevë, kur qeverisën me Preshevën forcat patriotike dhe të Ballit kombëtar. Këtë kohë e quajtën Shqipëri e vogël. Poashtu nga familja e Kamber Agës shquhet edhe Nijazi Kamberi i ndjerë, anëtarë i NDSH, mik i Nexhat Agollit, i cili sëbashku me shumë patriota nga Presheva një kohë të gjatë u meshefën te Bira e Kaçakëve, por më 1944 forcat partizane i zbuluan dhe I sulmuna për ti zanë. Aty vdiqën Shukri Doda dhe Shahini i Mëhallës së Alimetëve, disa u burgosën, ndërsa Aga Azi si e quanin Nijazi Kamberin dhe Hysen Totorllozi ikën.   2.3.HAXHI ABAZI   Në shkrimin e Abdurrahman Zylfiut dhe Ismet Bajramit thuhet : “ Haxhi Abazi rrjedh nga fisi Thaç, i një familjeje të pasur nga babai Hysen dhe nëna Zade që ishin me tradita kombëtare”, shkruajnë këta dy autorë në gazetën “Zgjimi” nr.13, të vitit 1998. Në Preshevë, në popull ekziston gojëdhana dhe flitet me të madhe për dymbëdhjetë /12/ Çezmat /krojet/ e Haxhi Abazit, të ndërtuara në kohën e Turqisë, atëherë kur Presheva ishte Kaza. Mirëpo lidhur me Çezmat e Haxhi Abazit ekzistojne disa alternative. Kështu plaka e Familjes së Abazëve, Hysnije Haliti, e lindur më 1915 tregon dhe i numron shtatë /7/ Çezmat e Haxhi Abazit, Shaban Zymer Rashiti poashtu i Familjes së Abazëve tregon dhe numron dymbëdhjetë /12/ Çezmat /krojet/ e Mixhës Haxhi Abaz Halitit, plaku Isa Latifi i Begajve të Mëhallës së Kuklarëve tregon dhe i numron gjashtë /6/ Çezmat e Haxhi Abazit, Bejtullah Osmani mësimdhënës i matematikës nga Presheva, i Mëhallës së Alimetëve tregon dhe i numron 9 Çezme, ndërsa Qani Haliti në shkrimin e tij “Uji me rrjedhë përpjetë(!) në gazetën “Veprimi” shkruan : “Dymbëdhjetë krojet e Haxhi Abazit” si dhe Abdurrahman Zylfiu e Ismet Bajrami në shkrimin e tyre : “Kontributi i Preshevës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit shkruajnë për nëntë /9/ krojet e Haxhi Abazit. Plaka Hysnije Haliti e Familjes së Abazëve në bisedën që e pata me te me shumë këthelltësi i kujtohen disa detaje të Familjes së Haxhi Abazit. Kështu ajo tregon se ishin 5 vëllezër : Haxhi Abazi, Aga Kurtë, Aga Zili, Axha Kamber dhe Aga Veli. Haxhi Abazi thotë ishte tyxhar /tregtar/ i njohur në relacionin Preshevë-Selanik-Prishtinë dhe sëpari kur bëri para, bleu një ka, pastaj e shiti këtë dhe bleu dy e kështu me radhë. Më në fund vendos për të shitur të gjitha kafshët dhe për të shkuar në Haxhilluk, e kishte bë nijet /qëllim/ dhe për të rregulluar e ndërtuar diçka për hajrat /mirësi/. Në Kumanovë shtron kalldërme /rrugë e shtruar me gur/ dhe ndërton një urë. [caption id="attachment_124533" align="alignleft" width="273"]Faksimili i Dokumentit-Leje kalimit me shënime biografike të Haxhi Abazit, marrë nga shkrimi i Abdurrahman Zylfiut dhe Ismet Bajramit. Faksimili i Dokumentit-Leje kalimit me shënime biografike të Haxhi Abazit, marrë nga shkrimi i Abdurrahman Zylfiut dhe Ismet Bajramit.[/caption] Me këtë dokument sipas fjalëve të Avdush Abazit, stërnip i Haxhi Abazit, Haxhi Abazi kalonte prej një Vilajeti në Vilajet tjetër, bëntë tregti, sidomos në relacionin Preshevë-Shkup-Selanik. Për këtë leje, Haxhi Abazi garantonte me pasuri, me një arë të madhe te Allajt. Në bisedë me familjarët e Haxhi Abazit mësova se ishin krenar me punën dhe veprimtarinë e Haxhi Abazit, por nuk posedojnë ndonjë dokument valid për pjesëmarrjen e tij në Kuvendin e LSHP, pos një Leje apo letërnjoftim me disa shënime biografike të lëshuara nga administrate turke në Stamboll. Çezma e Madhe në Mëhallën e Kuklarëve, thotë plaka Hysnije Haliti është ndërtuar pas këtyre shtatë /7/ Çezmave, por edhe këte e ndërtoi Haxhi Abazi. Po edhe Çezma e Xhamisë së Poshtme është e ndërtuar më 1878, që do të thotë se edhe Çezmat të tjera të Haxhi Abazit janë ndërtuar në atë kohë, kur Presheva u bë Kaza.Më tëpër për Çezmet e Haxhi Abazit :Xhemaledin Salihu, Çezme e vjetra në Preshevë. Sipas fjalëve të Shaban Zymer Rashitit të Familjes së Abazëve të Preshevës, në bisedë me Hasan Emërllahun, Haxhi Abaz Kurteshi ishte marrë me tregti të kafshëvë dhe kështu ishte pasuruar dhe u bë ndër më të pasurit e kësaj nahije. Në moshën 60 vjeçare nisët për të blerë kafshë në Prishtinë me dy nipat e vet. Aty takon një jaran /mik/ te vetin, i cili e pyet për pasurinë, pasi i tregon, jarani i thotë se boll kemi bë për këtë jetë duhet të bëjmë edhe për hajrat, për atë jetë. Në atë moment Haxhi Abazi vendos të ndërtojë objekte për popull : xhamia, ura, çezme e tjerë. Kështu, sipas fjalëve të Shaban Rashitit, para 150 vjetëvë blen pasurinë e Shehlerëve, te Kisha, e cila pasuri kishte burime të pasura me ujë. Prej aty me gypa të botës e bien ujin në Preshevë. Haxhi Abazi i ndërtoi 6-12 çezme. Punët në ndërtimin e Çezmeve e bëri një mjeshtër serb, i cili me tre ndihmësa punoi afër 6 muajë. Këta Çezmat i mirëmbajtën edhe pas ndërtimit edhe një vit. Për këto punë Haxhi Abazi i shpërbleu edhe me një dash. Të gjitha këto i kishte paguar me para të arit, me lira. Sipas Shaban Rashitit, Haxhi Abazi poashtu ndërton kalldërmenë e Xhadës së Vjetër Preshevë-Kumanovë dhe Urën e Kojnares, sepse në këtë fshat Haxhi Abazi e kishte pasur të martuar motrën. Pas ndërtimit të Xhamisë së Poshtme me Familjen e Isufit të Lutë Mehmetit shkon në Haxhillëk. “Haxhi Abazi i Mëhallës së Kamberëve në Preshevë, i takon fisit Thaç, rrjedh nga një familje e pasur bujare preshevare, nga babai Hysen dhe nëna Zade si dhe me një traditë kombëtare e atdhetare. Me anë të kësaj lejeje, udhëtonte, por garant në leje ishte pasuria e tij, sidomos ara te Allajt. Haxhi Abazi ishte aktiv dhe merrte pjesë në mbledhjet e Parisë së Preshevës, ku rraheshin problemet me karakter patriotik të Shqiptarëve”, shkruan Rexhep Selimi, Presheva gjatë fazës së parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare/1839-1881/, Zgjimi, nr.26-22, 1999.   2.4. OSMAN  ÇAUSHI Osman Çaushi u lind dhe vdiq më 1913 në Çukarkë.Baba i Osmanit e kishte emrin Bislim dhe ai ka pasur tre djeme dhe 2 vajza. Njëri vëlla i Osmanit quhej Rexhep, ndërsa për tjetrin nuk e mësuam emrin e tij. Dy motrat e Osmanit ishin të martura, Hanifja ishte e martuar në familjen e Ymer Efendisë, ishte nëna e tij, Mëhalla e Mutishëve në Preshevë dhe tjetra motër e martuar te Hafëz  Beqiri, ishte nëna e tij, gruaja e Jusufit, Mëhalla e Liçajve në Preshevë. Osman Çaushi kishte vdekur në Çukarkë dhe ka pasur 1 djalë dhe 5 vjaza. Djali i tij quhej Mustafë, ndërsa vajzat ishin: Halise, Mejrem, Akile, Zejnepe dhe Fatime. Mustafa ka pasut djalin Isa dhe Sylejman Çukarkën. Gruaja e osman Çaushit ka qenë Ajetja nga Mëhalla e Çitakëve në Rahovicë. Familja e Osman Çaushit ishte një ndër familjet më të pasura në  Luginë të Preshevës e më gjërë. Ajo zotroi shumë hektarë tokë, andaj edhe e bëri të merret me aktivitete atdhetare. Familjarët tregojnë dhe e mbajnë në mendje se Osman Çaushi nuk ka ecur këmbë, por gjithnjë me at. Pos pjesëmarrjes delegat në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mori pjesë edhe në pajtimin e gjaqeve në Luginë të Preshevës e më gjërë. Poashtu mbahet në mend se ka qenë plak i urtë. Familja e Osman Çaushit më 1950 u shpërngul në Preshevë.   2.5. MEHMET AGA MUHAXHERI Biografinë e Mehmet Agë Muhaxherit po e marrë të plotë nga shkrimi I Abdurrahman Zylfiut: 100 vjetori I Lidhjes Shqiptare të Pejës/1899-1899/, Zgjimi, nr.20, janar 1999, f.24 dhe njëherit e falëmnderojë. Mehmet Aga rrjedh nga një familje e pasur preshevare dhe ishte e ngritur në aspektin e çështjes kombëtare. Kishte autoritet të madh te bashkombasit preshevarë. Ishte treguar I aftë, I njohur dhe arriti pasuri të madhe, ku iu ndihmonte materialisht atyre që kishin nevojë për ekzistencë e sidomos ndihma e tij ishte e pakyrsyeshme për organizimin e tubimeve dhe të aktiviteteve tjera më karakter kombëtar. Ishte anëtar I Këshillit të Pajtesës dhe në bazë të të dhënave gojore ishte një ndër anëtarët më aktiv.Pasuria e tij tokësore përfshinte një sipërfaqe të madhe edhe atë të varrezave të qytetit e deri në fshatin Zhunicë, në të dy anët e Lumit të Preshevës. Për shkak të autoritetit që gëzonte dhe pasurisë që dispononte, ai ishte caktuar të merrte pjesë në Kuvendet e organizuara shqiptare. Si pjesëmarrës I Kuvendit të Prizrenit, më 10 qershor 1878 dëshmohet se përcjellës personal e ka pasur Arif Malokun. Për pjesëmarrjen e tijnë Kuvendin e Pejës të të dy preshevarëve, përveç shkresës së përmendur të konsullit austrohungarez Zambur, dëshmohet se përcjellës për Pejë Mehmet Aga e pati një person të Norçës nga familja Gjinaj. Mehmet Aga kishte vetëm një trashëgimtar, Hasanin, po edhe ky pati vetëm një djal, Mehmetin. Ky i fundit është një ndër intelektualët e parë në komunën e Preshevës, professor i gjeografisë dhe merita e tij është se qe ndër inicuesit e parë për hapjen e Gjimnazit në Preshevë, që u bë realitet më 1961.   REFERENCAT 1.Xhemaledin Salihu, Presheva në Lëvizjet e proceseve politike mbarëshqiptare, Jehona, nr.66, 2002 2.Fehmi Kelmendi, Kush janë Shqiptarët, Tetor 1990 3.Fehmi Kelmendi, Përjetime, Poezi, prozë, publicistikë, Tiranë, Globus R., 2004 4.Abdurrahman Zylfiu, 100 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Pejës/1899-1999/, Zgjimi, nr. 20, Preshevë, 1999 5.Abdurrahman Zylfiu, Ismet Bajrami, Kontributi i Preshevës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Zgjimi, nr.13, Preshevë, 1998 6. Jovan Haxhivasileviq, Arbanska liga, Arnautska Kongra i Srpski narod u Turskom Carstvu/1878-1882/Beograd, 1909 7. Dr.Iljaz Rexha, Lidhja e Prizrenit në dokumente osmane/1878-1881/Prishtinë, Arkivi i Kosovës,1978 8. Shukri Rahimi, Gjurmime historike të Rilindjes Kombëtare, Prishtinë, 1986 9.Xhemaledin salihu, Ritet e dasmës shqiptare në Preshevë me rrethinë, me theks të veçantë valet e burrave në dasmën preshevare, në librin: Dasma shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, dikur dhe sot, Preshevë, 2012 10.Xhemaledin Salihu, Presheva në Lëvizjen Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim/LKpÇK/ dhe kërkesat për Bashkim me Shqipërinë Etnike, në librin: Lugina e Preshevës në Lëvizjen Shqiptare gjatë historisë, Preshevë, 2013 11. Rexhep Selimi, Presheva gjatë fazës së parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare/1839-1881/, Zgjimi, nr. 16-22, Preshevë, 1999 12.Bisedë me plakën Hysnije Halitin e familjes së Haxhi Abaz Halitit, e lindur më 1915, në shtëpinë e Bakush Halitit më 06.08.2010 13..Bisedë e Hasan Hajrullahut nga Rahovica me Shaban Rashitin e familjes së Haxhi Abaz Halitit, më 10.10.1992 14.Bisedë me Avdush Abazin, stërnip i Hazhi Abazit, në Preshevë, më 07.06.2014 dhe 15.Bisedë me Adem Kamberin e Ri, stërnip i Kamber Agës, në Preshevë, më 07.06.2014   Preshevë, më 10 qershor 2014
Mustafa: Me Bujanocin po qeverisë Arsiqi, përgjysmë më pak investime tek shqiptarët! (dokument)
Mustafa përshëndet fitoren e PDK-së, Lugina të jetë në agjendën e Kosovës
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration