Lokale
Mustafa: Me Bujanocin po qeverisë Arsiqi, përgjysmë më pak investime tek shqiptarët! (dokument)
Gjatë vitit 2013-të për qytetarët shqiptarë të komunës së Bujanocit përveç asfaltimit të rrugës në drejtim të Breznicës në Malësi, të pakta kanë qenë projektet që janë realizuar tek kjo bashkësi etnike shqiptare.
Dokumentacioni i siguruar nga portali informativ Titulli i bërë me kërkesë të grupit të këshilltarëve shqiptarë në Kuvendin e Bujanocit, Partisë për Veprim Demokratik (PVD), pasqyron qartë se sa mjete janë ndarë për investime në vendbanime të ndryshme, si nga Qeveria e Serbisë, respektivisht Trupi Koordinues, njashtu edhe nga pushteti lokal në Bujanoc.
Sipas dokumenteve të siguruara, njëherit edhe deklaratës së shefit të grupit të këshilltarëve të PVD-së Ragmi Mustafa, del se investimet gjatë vitit që e lamë pas, më së shumti janë bërë në vendbanimet serbe se në ato shqiptare.
Dokumentet e lëshuara nga institucionet përkatëse në bazë të ligjit për qasje të lirë në informata me rëndësi publike, shihet qartë se nga Qeveria e Serbisë nëpërmes Trupit Koordinues, për projekte të ndryshme në vendbanimet serbe janë ndarë 46.8 milionë dinarë, ndërsa projekti me interes tek bashkësia shqiptare që është përkrahur nga ky organ është ndarja e mjeteve për 3 kilometra rrugë në drejtim të Breznicës, apo rreth 44.8 milionë dinarë.
Për objektin e fakultetit të Suboticës dega në Bujanoc në të cilin studiojnë shqiptarët dhe serbët, nga TK janë ndarë 16 milionë dinarë.
Shefi i grupit të këshilltarëve të PVD-së në Kuvendin Komunal të Bujanocit gjatë një bisede me gazetarin e portalit informativ Titulli ka theksuar pakënaqësitë lidhur me investimet që po bëhen në komunë, të cilat i ka paraqitur edhe në foltoren e Kuvendit.
“Nëse e shohim në projektet e përzgjedhura tek vendbanimet shqiptare ka shkuar vetëm një projekt kurse tek të tjerët më shumë. Megjithatë rruga e Breznicës nuk është projekt i cili është aplikuar gjatë mandatit të kësaj qeverisje, përkatësisht ai ka filluar më herët. Ajo që kemi shprehë në vazhdimësi brengën është për investimet e ardhshme. Sipas konstatimeve tona investimet e komunës së Bujanocit janë të drejtuara kah vendbanimet serbe”, u shpreh këshilltari Ragmi Mustafa.
Pikërisht në dokumentin e siguruar nga mediumi ynë shihet se gjatë vitit 2013-të, nga buxheti i komunës së Bujanocit, respektivisht ndërmarrjes publike Drejtoratit për Ndërtim, është bërë prokurim publikë për disa punime, ku në mesin e tyre, si projekt që do të ndërtohet në fshatrat shqiptare është paraqitur vetëm rruga drejt fshatit Mal Tërnoc.
Ky prokurim i kësaj ndërmarrje parashihte që në vendbanimet shqiptare të investohen rreth 26. 9 milionë dinarë, ndërsa në ato serbe 53.9 milionë dinarë, më shumë se gjysma e mjeteve të ndara për infrastrukturën e vendbanimeve të banuara me shqiptarë.
Fshatrat serbe që përfitojnë kryesisht në ndërtimin e infrastrukturës rrugore janë: Kushtica, Klinoci, Rakoci, Levosova, Rruga drejt Banjës së Bujanocit, Krsevica, Baraleva, Karadniki, Lopardinca dhe vendbanime të tjera.
“Zëvendës kryetari Stojança Arsiq në disa raste ka thënë se dosido duhet krijuar një balancë i investimeve nga viti 2000 deri në vitin 2014-të gjë për të cilën ne nuk jemi dakorduar, pasi nuk duhet shikuar në këtë afat kohorë, por duhet shikuar investimet edhe shumë dekada më herët”, theksoi Musatafa.
Sipas tij “ky vendim në fakt pasqyron koalicioni qeverisës, mënyra e ndarjes së investimeve përkatësisht mënyra e qeverisjes në komunën e Bujanocit. Sipas këtij vendimi konstatimi ynë edhe më herët ka qenë që me Bujanocin po qeverisë zëvendës kryetari Stojança Arsiq”.
Përfaqësuesi i PVD-së ndarjen në këtë mënyrë të investimeve e konsideron të padrejtë, pasi në këtë mënyrë dëmtohen qytetarët ndaj të cilëve nuk po orientohen investimet.
“Duhet pasur parasysh se partia në pushtet deri tash ka premtuar rregullimin e kanalit të lumit Tërnoc, gjë të cilën deri sot nuk e ka bërë edhe pse është proklamuar me pompozitet, si dhe shumë investimeve tjera infrastrukturore që janë premtuar”, shprehet shefi i grupit të këshilltarëve të PVD-së.
Sipas Mustafës, nëse shikohet në kontekstin etnik të investimeve shqiptarët janë dëmtuar shumë. Ai konsideron se opinioni nuk është i njoftuar me marrëveshjen e koalicionit që kanë partitë shqiptare me ato serbe dhe se konsideron se produkti i kësaj marrëveshje janë edhe këto investime./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!