“Presheva Jehon” në Ballkan dhe Evropë
Ansambli nga Presheva “Presheva Jehon”, në fund të gushtit do marrë pjesë në një festival ndërkombëtar në Turqi. Ne kemi realizuar një intervistë me Astrit Ramizin, koreograf i shoqërisë artistike “Presheva Jehon”. Ky ansambël ekziston që nga viti 1992 ku në fillim mbante emrin “Rexho Mulliqi”, e më pas ka marrë emrin “Presheva Jehon”. Në të kaluarën ka qenë i vetmi ansambël që ka prezantuar jashtë Preshevës vlerat kulturore dhe artistike, ku dhe ka marrë shumë çmime.
Fillimisht na tregoni për historikun e ansamblit tuaj , kur është themeluar ansambli “Presheva Jehon”? Shoqëria kulturore artistike "Presheva Jehon" që më parë ka qenë me emrin SH.K.A"Rexho Mulliqi", është e krijuar në vitin 1992 por një kohë deri pas vitit 2000 ka qenë pasive , e që atëherë e tutje është aktive dhe pasqyron Preshevën rishtazi në festivale të ndryshme. Shumë njerëz nuk e din se kush është Astrit Ramizi, kush është në fakt Astriti, kur ke filluar të merresh me koreografi ? Unë jam nga Presheva i lindur më vitin 1985, ndërsa vallëzimin e kam në shpirt dhe aktivë në Sh.K.A “Presheva Jehon” jam që nga viti 2000 apo 2001, që i bie diku rreth 11 vite. Në fillim kam qenë valltar por në periudhën e fundit jam koreograf i kësaj shoqërie artistike dhe diku rreth 6-7 vite krijoj në qytetin tim programe artistike por mos të harroj të ceki se natyrisht koreograf jo profesional që ka kaluar banka universitare për koreografi... Sa valltar numëron ansambli juaj ? Shoqëria kulturore artistike "Presheva Jehon ", numëron momentalisht diku rreth 36 anëtar të moshave të ndryshme. Sa është e vështirë të jesh koreograf ? Mund të them se nuk kam hasur në vështirësi të mëdha, por natyrisht të krijosh donë të thotë të jesh i lindur për të krijuar. Unë kam kaluar 12 vite në festivale të ndryshme, kam parë koreografi të ndryshme dhe natyrisht për mua kanë qenë si praktikë që në të ardhmen të më shërbejnë si mbështetje për të krijuar dhe normal duke u bazuar në nota, takte muzikore dhe detaje të rëndësishme që e përbëjnë koreografinë. A keni marrë pjesë në ndonjë festival ndërkombëtar, nëse po, ku ? Kemi marrë pjesë në shumë festivale, por mund të them jo jashtë kufijve të trekëndëshit Shqipëri-Kosovë-Maqedoni, ku pjesëmarrja jonë ka qenë e bujshme dhe shumë herë edhe jemi kurorëzuar me çmime. Duhet cekur se kemi pasur ftesë për të marrë pjesë në Austri dhe Çeki, dhe tash mendojmë të marrim pjesë në Turqi diku në fund të gushtit. Arsyeja pse nuk kemi marrë pjesë në këto programe që i ceka më lart ka qenë se kostoja është shumë më e madhe se kjo rajonale dhe financat nuk janë edhe aq të mira sa të mbulojnë gjithë këto udhëtime. Kur jemi tek festivalet ndërkombëtare, sigurisht për një pjesëmarrje në një festival kushton, a keni ndihmë financiare nga ndokush ? Duhet falënderuar Komunën e Preshevës natyrisht në krye me Ragmi Mustafën që na ka mbështetur financiarisht sa herë që ka qenë e rrugës për tu mbështetur. Lugina është një vend që nuk i jepet shumë rëndësi kulturës, a është kjo një pengesë për ansamblin tuaj? Natyrisht dukuria se në Luginë shumë pak i është kushtuar kulturës ka qenë edhe një pengesë por e kemi kaluar duke krijuar bindje tek institucionet se ne vërtet prezantojmë Luginën apo të them kulturën e Luginës ku kemi hasur në mirëkuptim. Tani që jemi në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe në Luginë janë organizuar shumë aktivitete kulturorë, a ka marrë ansambli juaj ftesë që të jetë pjesë e këtyre aktiviteteve ? Në rastin e 100 vjetorit të Shtetit Shqiptar natyrisht ka pasur shumë organizime dhe kemi marrë ftesa që të jemi pjesë e këtyre organizimeve dhe e fundit që kemi marrë pjesë ka qenë këtu në qytetin e Preshevës. Meqenëse jemi në muajin e dasmave, shumë dasmorë preferojnë që në dasmat e tyre të kenë edhe valltarë profesionist, po ansambli juaj ka marrë ndonjë ofertë që të jetë pjesë e një dasme? Në Luginë është muaji i dasmave dhe ne si shqiptarë dëshirojmë që të mos harrojmë kohën apo adetet dhe zakonet e dasmave shqiptare dhe i ofrojmë program artistik dasmorëve. Mund të them se interesimi është shumë i madh për të qenë ne prezent në dasmat e tyre, sepse ne jemi valltar profesionistë dhe dasmorët kanë mundësinë që profesionalizmi ynë të jetë prezent në ahengjet e tyre. Në Luginë ekzistojnë edhe disa ansamble të tjera, a keni bashkëpunim mes vete ? Sh. K. A “Presheva Jehon”, bashkëpunon me çdo kënd, e natyrisht edhe me shoqëritë tjera që gjenden në Luginë. Dhe në fund keni të shtoni diçka apo ndonjë mesazh për vizitorët tanë ? Lexuesve tuaj unë do ti falënderoj dhe njëkohësisht do ti preferoj të jenë vizitorë të vazhdueshëm të portalit tuaj sepse gjithmonë zgjidhni tema aktuale, interesante, zbavitëse dhe kombëtare. Ndërkaq do ti ftoja të rinjtë ti bashkëngjiten shoqërisë tonë por edhe shoqërive të cilat gjenden në qytetin e tyre që të kultivojmë kulturën dhe traditën e kombit tonë./Titulli.com/