Preshevë: Tekstet shqip dhe diplomat universitare problem serioz për shqiptarët në Luginë (foto)
Në sallën e Kuvendit Komunal të Preshevës u zhvillua debati publik me qytetarë, intelektualë dhe të tjerë, të cilin e organizuan dy deputetët popullor në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi dhe Shaip Kamberi.Tema e debatit ishte sigurimi i teksteve mësimore në gjuhën shqipe dhe nostrifikimi i diplomave Universitare të Kosovës në Serbi, shkruan Titulli.com.
Debatin e udhëhoqi deputeti popullor dhe njëherit kryetar i PVD-së Riza Halimi, i cili foli për tekstet dhe shumë probleme tjera.
“Duke e ditur mirë problematikën e teksteve mësimore nëpër shkolla shqipe këtu në Luginë, në theks të veçantë të teksteve mësimore të dhuruara gratis nga Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës, të cilat ende po mbahen të mbyllura në terminal, jam shumë skeptik lidhur me lejimin e këtyre teksteve mësimore, ato mund të lejohen si tekste ndihmëse e assesi si tekste shkollore”, theksoi Halimi.
Ai shtoi se para do kohe një sasi e librave po ashtu të dhuruara nga Kosova të cilat ilegalisht hynë në Preshevë u konfiskuan nga autoritet policore me pretekstin se kanë hyrë ilegalisht.
“Edhe këto të cilat me marrëveshje kanë hyrë ende po mbahen në terminal edhe pse kemi informacione se këto dy ditë mund të lëvizin gjërat pozitivisht, por ato nuk ma merr mendja që lejohen si tekste bazike nëpër shkolla dhe nuk mendoj se është arritur qëllimi final nëse këto tekste nuk futen si tekste mësimore “, tha Halimi gjatë debatit.
Poashtu deputeti Halimi drejtoi një varg kritikash për pushtetin lokal të Preshevës.
“Në këtë debat kanë qenë të ftuar të gjithë përfaqësuesit lokal, këshilltarët, Këshilli Nacional, por ata nuk erdhën në këtë debat me rëndësi për arsimin shqip të Luginës. Ata kanë dështuar që nga lapidari, me asociacionin dhe me këshillin joprofesional kombëtar shqiptar”, tha Halimi.
Deputeti Halimi theksoi se ky debat e arriti qëllimin e vet dhe këso debate duhet edhe në të ardhmen të organizohen, por në të duhet të marrin pjesë të gjithë intelektualët dhe pushtetarët.
Pjesë e debatit ishte edhe Galip Beqiri, ish kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar i cili bëri një paralelizëm lidhur me punën e këtij institucioni sa ishte kryetar ai dhe tani me këtë të fundit.
“Në mandatin tim të gjitha komisionet kanë qenë me njerëz profesional dhe se kemi arritur suksese në lëmin e arsimit me lejimin e disa teksteve për mësim dhe të abetares nga Shqipëria. Ndërsa tani Komisionet aktuale brenda Këshillit Kombëtar janë joprofesionale, siç është edhe kryetari i saj”, është shprehur Beqiri.
Për drejtorin e shkollës fillore “Abdulla Krashnica” në Miratoc, Gafur Hyseni çështja e teksteve mësimore është problem në vete.
“Ne kemi disa tekste të cilat i përdorim në shkolla, por ato janë si tekste ndihmëse jo bazike dhe arsimtari nuk guxon ta shënoj orën me këto tekste. Jam skeptik lidhur me lejimin e këtyre teksteve nga Kosova, sepse në shumë raste përmendet termi Republika e Kosovës, prandaj shpresat janë shumë të vogla të lejohen”, shprehu shqetësimin e tij Hyseni në debatin e sotëm.
Ai tha se edhe nostrifikimi i diplomave nga Republika e Kosovës është problem në vete.
“Një studenti me diplomë të fakultetit të historisë nuk iu ka nostrifikuar diploma, i njëjti është detyruar prapë ta mbaroj të njëjtin fakultet në Shkup, prapë nuk iu ka nostrifikuar diploma, vetëm pse është profesor i historisë. Raste të këtilla kemi mjaft, për atë duhet të dalim me propozime konkrete”, theksoi drejtori Gafurr Hyseni.
Egzon Lakna, aktivist i shoqërisë civile në Bujanoc duke folur në debat pohoi se ai ka kryer shkollën fillore, të mesmen edhe fakultetin në Kosovë por që diplomat e tij nuk njihen ne vendlindjen e tij.
“Kam punuar dy vite në Prishtinë, pas dy vitesh nuk ma mundësuan të drejtën e punës, me pretekstin se jam qytetar i një shteti tjetër. Kërkova punë në Bujanoc, ata nuk ma pranuan as diplomën e Kosovës, as diplomën e shkollës së mesme e as dëftesën e shkollës fillore. Nuk është vetëm ky problem, problem janë dy kryetarët e komunave tona, e ne duhet të mobilizohemi dhe ti largojmë këta nga pushtetet”, deklaroi Egzon Lakna i cili nga të pranishmit u përcoll me duartrokitje frenetike.
Vlen të theksohet se në këtë debat ishin të ftuar edhe përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe të Këshillit Kombëtar Shqiptar por që nuk morën pjesë./Titulli.com/