Politikat e dështuara pas luftës në Luginë !
Prej përfundimit të konfliktit të armatosur në Luginë, e së këndejmi, që nga arritja e famshme e Marrëveshjes së Konçulit, e cila, si shumë marrëveshje tjera, ngeli vetëm teori në letër, shqiptarët kanë qeverisur me pushtetet lokale në Preshevë e Bujanoc, pjesërisht bile edhe në Medvegjë, duke mos harruar edhe përfaqësimin e tyre në nivele qendrore politike serbe, e organizime të ndryshme institucionale.Para kësaj periudhe, shqiptarët qenë të diskriminuar edhe politikisht, falë edhe sistemeve politike që qenë të instaluara në vend e rajon.
Por, që nga mbarimi i luftës në Luginë, ata që morën barrën institucionale e politike në duar, pa asnjë diskutim se duhet dhënë përgjegjësi.
Ata vazhdimisht akuzojnë Serbinë, për diskriminim, a janë pjesë e integruar mirë e pushteteve të tyre politike e institucionale, duke pranuar njëkohësisht edhe privilegje të shumta financiare por jo edhe politike e nacionale.
Nëse këtyre udhëheqësve institucional, i u deshën më se 16 vite për ta kuptuar se Serbia nuk është e interesuar për ta zgjidhur problemin e shqiptarëve në Serbi, e kryesisht atyre në Luginë, edhe sa vite i duhen për ta kuptuar se popullata e këtij rajoni po shpërngulet në heshtje e në masë, nga politikat e tyre prapanike e personale?
Po që se këto pushtete të deritanishme lokale, në Bujanoc e Preshevë, do të kishin punuar vërtetë për një qeverisje të mirë të shqiptarëve, në Luginë, mbas përfundimit të luftës, ose tash së vonshmi, shqiptarët e shpërngulur nga kjo anë, që jetojnë kryesisht në Kosovë, të diskriminuar e disintegruar tej mase, do të kishin tentuar të paktën të kthehen në vendlindje.
E kjo që, padyshim paraqet një parametër të konsiderueshëm, të dështimit të politikave shqiptare në Luginë.
Nëse represioni i atëhershëm serb, qe fajtor për shpërnguljen e Malësisë së Bujanocit, asaj të Karadakut e të Medvegjës, e shqiptarëve në përgjithësi të këtyre tri komunave, para dhe gjatë luftës së fundit, spektri poltik shqiptar i Luginës, është fajtor për mos krijimin e kushteve elementare për kthimin e këtyre njerëzve në shtëpitë e veta dhe për shpërnglujen e tanishme të kësaj treve, sidomos nga të rinjtë shqiptarë, që s’gjejnë dot shpresën që i lidhë me vendlindjen e tyre.
Për ata banorë të shpërngulur nga kjo anë, e që nuk janë të paktë, jo se nuk janë krijuar kushte për t’u kthyer nëpër shtëpitë e veta të shkatërruar tashmë, por nga këto politika, vetëm se janë shtuar shanset që edhe kjo popullatë shqiptare që ka mbetur të jetojë në këtë anë, të shpërngulet në heshtje.
Deri më tani, familjet që janë kthyer në Luginë, janë shumë të pakta. Numërohen madje edhe me gishtat e dy duarve.
Kjo skenë poltike e shqiptarëve në Luginë, që historia e re i gjykon sa frikacak aq edhe injorant, kaherë janë bashkuar për interesa të ngushta personale e klanore, e gjithmonë janë ndarë kur janë shtruar problemet nacionale e jetike, që kanë preokupuar shqiptarët e kësaj ane me vite.
Ata, duke instaluar idetë e mburrjeve për të organizuar pritje madhështore, iftare publike, tubime e fushata të bujshme elektorale, e njëkohësisht duke iu nënshtruar politikave shtetërore serbe, ngushtuan dhe nuk përkrahën idenë e protestave qytetare.
Protestat, janë mjete demokratike, të pasqyrimit të pakënaqësieve apo padrejtësive qytetare.
E keqja është, se kjo skenë poltike i mundësoj shqiptarëve, nën Serbi, t’i vuajnë të dyjat e mos ta artikulojnë asnjërën!
Nga ky kontekst, popullata shqiptare e Luginës, nëpërmjet organizimeve të ndryshme sociale, e ka për detyrë të kërkojë përgjegjësi nga kjo klasë politike, nëse tenton ta mbajë gjallë gjenomin nacional të shqiptarëve në këtë anë.
Përndryshe, edhe këto dy komuna me popullsi të konsiderueshme shqiptare, Bujanoci e Presheva, do të ecin rrugës së motrës së tyre të tretë, Medvegjës!
Shkruar nga Drilon Hyseni-Bujanoc
Opinionet e autorit janë personale dhe nuk paraqesin domosdoshmërish edhe mendimin e Portalit Informativ-TITULLI