Pena poetike e poetit Adnan Mehmeti, nga toka e vendlindjes
Poezia e Adnan Mehmetit merr forma të gjithanëshme në temat kryesore- që nga lirikja tek epikja dhe deri në atë elegjike dhe baladë.Së bashku me mënyrën dhe këtë llojshmëri trajtash të reja, vargu i ideve të poetit sa vjen dhe maturohet duke shpërfaqur parimet e stilit poetik të admirueshëm e të talentuar, rolin e poetit vizionar, vëzhgues dhe njeriut bashkëkohor, i cili përpiqet të kuptojë marrëdhënien e njerëzores me natyrën, botën e tij të brendëshme, ndjenjat, motivet sociale e historike, gjuhën letrare, humanizmin, letërsinë e reformuar, kombinimin e gjuhës poetike me stilin e të shprehurit, strukturën dhe format, të cilat ushtrojnë një ndikim të rëndësishëm dhe të krahasueshëm në gjuhën amëtare e identifikimit të vlerave të vërteta, që përcaktojnë rolin frymëzues dhe mundësitë e një krijuesi, në letërsinë bashkëkohore. Arritja e tij rezultative është sa komplekse aq edhe e ngrohtë, e sjellëshme dhe e larmishme, sikundër është edhe personaliteti krijues i poetit dhe publicistit Adnan Mehmeti, ëndërrues i përjetshëm dhe vizionar, që ndonëse ndërhyn thellë në eksplorimin e së panjohurës dhe ndërrthurrjen e bukur të gjetjeve e metaforave poetike, të mbledhura këto nga toka e atdheut dhe duke i veshur mjeshtërisht me artin e kuptimit filozofik dhe detajin artistik të fjalës.
I lindur dhe rritur në Luginën e Preshevës, nën ndikimin dhe influencën e traditës epike, baladave dhe legjendave, lirisë dhe dashurisë për familjen e atdheun, me brengën tronditëse për vendlindjen e tij e cështjen kombëtare; se kujt i takon Lugina e Preshevës…!
“Cdo ditë jemi/Një hap pranë vdekjes/Cdo ditë jemi/Një hap prapa jetës./Po ne të shpërndarë nëpër kontinente/Nëse nuk bëmë asgjë për atdheun/S’kemi bërë asgjë për vete./E kujt do t’i takojmë atëherë,/Harresës apo vdekjes?”(poezia “Kujt i takojmë”, fq.142 nga cikli “Festa larg atdheut”).
Me fjalë të tjera, në këto vargje, poeti Mehmeti kridhet thellë në misteret e instiktit shpirtëror, psikikes dhe humanes, stilit të tij poetik; të ndjeshëm e të ngrohtë, imagjinatës dhe avokimi i primatit të bukurisë natyrore, përkufizimit më të ashpër të “Harresës apo vdekjes?”- dhe më të thjeshtë në vargje, për brengën tronditëse, të cilën e vemë re që në titull të kësaj poezie; “Kujt i takojmë?” – dhe më pas në vargun ku ai personalisht e publikisht, mjaft sugjestiv dhe i qartë, iu drejtohet bashkëkombasve, njerëzimit-shoqërisë shqiptare; “Nëse nuk bëmë asgjë për atdheun”! Poeti Mehmeti na lejon të shohim një argument gradual të shpalosur filozofik rreth fjalës “Atdheu”, rreth formës e përmbajtjes, mes jetës e vdekjes, mes dashurisë e urrejtjes, ngjarjeve historike dhe rolit të saj në poezi: “S’kemi bërë asgjë për vete”.
“U fikën dritat nga stuhia/Në Luginën e Preshevës./Si t’i shohim fytyrat e ngrira?/As kandilat nuk ndricojnë më…/Atje në Luginën e Preshevës/Jehona e këngës për liri/Një popull të vrarë mbi të vrarë e ngriti/Me trimat që prinë si vetëtimë./”(poezia “Kushtrimi”, fq.111, nga cikli “Vend Perëndie”). Mehmeti mendon se nuk është më e mundur apo e përshtatëshme të flitet për një version të centralizuar dhe të thjeshtëzuar në “Luginën e Preshevës”, por për t’i mbijetuar me çdo mënyrë dashamirëse e kuptimplote, sfidave, ngjarjeve dhe hapësirës historike, brenda kulturës sonë të identitetit historik e shqiptar, dhe bashkëkombasve të mërguar an’ e kënd, botës! Prandaj poeti Mehmeti kërkon një negocim të ndërsjelltë ndërmjet individit dhe marrëdhënies së njerëzimit, njerëzve që e rrethojnë dhe botës shqiptare me historinë, duke e shëndrruar fjalën “atdheut”, më filozofike dhe më humane, roli i vetëvendosur midis traditës, së kaluarës dhe së tashmes, për të hedhur dritë drejt së ardhmes.
“Merreni dashurinë/ Cojeni përtej detit/Për ta murosur në vendlindje./Nuk do të vonohet shumë për trupin tim,/Ndoshta njëqind vjet…./ Trupi im, nga vonesa/Gjysmëmbetur rrugëve të botës,/Baladë e heshtur,/Do të qëndiset në pëlhurën e hijes sime/Për të ardhur me kuajt e erës/Përtej shtatë maleve,/Përtej shtatë kontinenteve.”(poezia; “Me kuajt e erës përtej detit”, f.17).
Poeti Adnan Mehmeti është njohës i thellë i traditës letrare. I gjendur mes meditimit dhe tundimit të bukurisë, dashurisë dhe tërheqjes shpirtërore, poeti insiston që në vargun e parë, për të shprehur zërin romantik të gjendjes shpirtërore; “Merreni dashurinë/ Cojeni përtej detit,”-komunikon me imazhet e botës së brendëshme shpirtërore, asaj të jashtëme njerëzore dhe gjeografike- “Për ta murosur në vendlindje,”-është avokimi i primatit të dhimbjes, largësisë nga toka mëmë, mallit, brengës, vetmisë, dhe atdhedashurisë për vendlindjen. Gjithashtu në vargjet e mësipërme Mehmeti ndjehet i kapur nga skepticizmi: “Trupi im, nga vonesa/Gjysmëmbetur rrugëve të botës,/”- dhe nevojës për besim, midis arësyes dhe imagjinatës: “Do të qëndiset në pëlhurën e hijes sime/Për të ardhur me kuajt e erës/”-njëlloj ngushëllimi apo katharsisi ky, për të mbijetuar në realitetin e jetës së përditëshme.
Poeti Mehmeti na jep një përkufizim ideo-artistik me butësinë e paepur, të ngrohtë dhe të thjeshtë poetike, ai përcjell ndjenjat e tij më të qarta për jetën dhe vdekjen, dashurinë dhe dhimbjen, në aspektin personal dhe përgjithësues, në të njëjtën ide, që mbartin drithërimën dhe të prekshmen për nga mesazhi; “Dashuria ime/ Është bar i gjelbër,/Mbin aty ku nuk shkelet,”-vargje ku ndjehet aroma e dashurisë, romantizmi, një paralelizëm ky edhe me gjendjen shpirtërore të poetit, se dashuria nuk vdes kurrë, por rritet, sikundër rritet bari, – antagoniste të së vërtetës të cilat formësojnë mendimin dhe poezinë e Adnan Mehmetit.
“Camëri,toka ime!/Ndërgjegja ime e vrarë!/Camëri toka ime!/Shpirt pa qiell e pa varr!/Camëri, toka ime!” (poezia “Camëri, Toka ime!”, fq..31)
Forca e mendimit filozofik dhe artistik e penës poetike të Adnan Mehmetit në këtë poezi, se poeti është më i interesuar dhe brengosur për ngjarjet historike dhe “Ndërgjegja ime e vrarë”(nënkupto-ndërgjegjen kombëtare), sesa për përvojën individuale.
Poeti Adnan Mehmeti demonstron mjeshtërisht zërin e tij poetik, përpiqet të komunikojë emocionalisht ndjenjën e fuqishme dhe të vecantë të dashurisë për “Camëri”, dhe ta bëjë atë epike nëpërmjet imazheve, që ai e përfytyron dhe e ndjen brenda universit të “Toka ime”. Vetëm në disa vargje, nga prozaike në poetike, Mehmeti ka aftësinë të përcjellë një mësazh të fortë dhe madhështor të identitetit historik të trojeve shqiptare, një analizë historiko-sociale bashkëkohore që eksploron thellësisht temat e ndryshme universale e historike të dramës së copëtimit të tokës mëmë. Poeti tregon patriotizmin e guximshëm të tij, duke e ndarë këtë shqetësim dhe interes të vecantë në stilin e vargut; rimë, kadencë dhe format e reja poetike, të cilat jo vetëm kanë kontribuar në përzgjedhjen poetiko-filozofike, por të sjellin ndërmend pafundësinë e meditimit po aq të ndjeshëm dhe të maturuar poetikisht, intensitet thellësisht i mendimit artistik e filozofik, që nënkupton kontrastet mes brengës së “Shpirt pa qiell dhe varr!”, dhe bukurisë së atdhedashurisë për “Camëri, Toka ime!”.
Cfarë do të thotë të jesh Poet…? Është nderim, zotësi apo detyrë…? Poeti është si ai bilbili që këndon në errësirë dhe ngazëllen me tingujt e ëmbël e të këndshëm, me zërin melodioz të një “muzikanti” që nuk e shohim dhe nuk e dimë nga vijnë ata tinguj të magjishëm. Gjuha e poetit është njerëzore, jetike, metaforike dhe melodioze, poeti është “bilbili” nën efektin e frymës dhe muzës poetike, psikikes e filozofikes në universin e marrëdhënieve dhe ekzistencës njerëzore.
Në vargjet lirike të qeta dhe me një lirizëm të përmbajtur e strikt te poezia “Deti dhe Poeti”, (fq. 30) –kushtuar poetit lirik arbëresh, Zef Serembes, – e cila është tërësisht një formë poetike në përputhje me idenë. Aty poeti Mehmeti reflekton dhimbjen e dashurinë, shprehet lirshëm e koshient në thjeshtësinë e tij, përpos pasionit dhe intimitetit njerëzor; “poeti, deti, fati, të dashurën, Adriatiku, Atlantiku,-det dashurie”- dhe nënkupton marrëdhëniet e dashurisë njerëzore me ankthin e pritjes, ëndrrat dhe dëshirat; “E kërkova poetin,/Poeti kërkonte të dashurën./Të dy një fat kemi;/-motivit e veprimit, të përjetuarit të këtyre vlerave dhe përmbajtjen e tyre ideo-artistike, bota njerëzore në akord me natyrën dhe pozitën gjeografike. “Unë përtej Atlantikut,/Ti përtej Adriatikut;/Një det dashurie/Për të shtrenjtën Shqipëri!”
Mehmeti depërton jo vetëm në gjetjen e frazava të duhura me figura artistike e filozofike, por eksploron synimet e tij poetike, interesante, ndjesore dhe fabulore, nëpërmjet vetëdijes dhe subjektivitetit të ndajfoljeve të vendit, të mirëvendosura këto në vargun poetik, duke qenë sentimental edhe joshës; “Unë përtej Atlantikut,/Ti përtej Adriatikut;/-” që hapin; “Një det dashurie/Për të shtrenjtën Shqipëri!”-për të justifikuar jo vetëm admirimin kundrejt poetit arbëresh Serembe, por edhe kundrejt POETIT –në përgjigje të pyetjes; “Cfarë do të thotë të jesh Poet…!”.
Aftësia e të shprehurit të filozofisë së jetës u bë poezi, dhe idea, fabula, përvojat jetësore morën formën e tyre, dhe forca shprehëse e tyre, ndoshta edhe befasuese, suportohet nga një numër i poezive të zgjedhura në vëllimin poetik “Ndajfoljet e vendit”, të vendosura në dymbëdhjetë kapituj me titujt respektivë sikundër:“ Me kuajt e erës përtej detit”, “Zgjedhja e vendlindjes”, “Trillet e dashurisë”, ‘Adresa ime nr 74”, “Në cep të diellit”, “Mbretëresha e zemrave të zgjuara”, “Letargjia”, “Vend perëndije”, “Diellin e kam futur në xhep”, “Dashuri e vazhduar”, “Festa larg atdheut”, dhe “Ecje vertikale”. Tekstet e poezive janë modeste e të paharrueshme, ku mitet e legjendat, jeta e vdekja, dhimbja e dashuria, historia dhe mitologjia, besimi dhe zgjënjimi, përvojat social-ekonomike dhe kulturore, etj, shfaqen përmes fjalësh në vargjet lirike, traditën epike nga heroike në shpirtërore, nga lirike në elegjike me intensitet të fortë emocional, meditative dhe klasike, mishërimmin simbolik të emocioneve dhe dukurive të jetës, qëndresat e një momenti të caktuar dhe poeti Mehmeti kridhet nën “hijen” e tyre, duke kërkuar vlerat simbolike, burimin e një vullneti poetik lirik të shfaqur në poezi historike; heronjtë e vërtetë, njerëzit e shquar të kombit, dhe vende historike, me filozofinë e jetës për jetën, ai ka krijuar heronjtë e poezive të tij. Duke lexuar poezitë e poetit dhe publicistit Adnan Mehmeti, vemë re se ai demonstron një prirje sigurie ndaj asaj që në thelb ai ka dashur të shprehë, duke e shprehur sikundër e ndjen, mendon dhe dëshiron ta thotë. Vëllimi poetik “ Ndajfoljet e vendit” balancon dhe prek simbolikën e traditës gjeografike dhe historike, fjalë dhe kundrinorë vendi, cfarë fshehin ato në të vërtetë, duke u mbështetur në kriteret sipërfaqësore dhe ndërgjegjen e poetit, në vargjet poetike e poezitë historike, filozofike, romantizmi, drama sociale, lirike, epike, klasike, folklori dhe spiritualizmin. Në këtë vëllim poetik, poeti Mehmeti ka ndërtuar sistemin e tij simbolik poetik, duke shtjelluar imtësisht leksikun e besueshëm frymëzues në përputhje me huazimet nga burime të gramatikës, që ngjasojnë në lidhjen logjike dhe tërheqjen reciproke ndaj refleksionit të mendimeve të tij, frymëzimit artistik, nevojës për besueshmëri, stilin e të shqiptuarit dhe të rimës, megjithëse ato tingëllojnë poetike, ëmbëlsisht dhe vrullshëm.
“E largët më është vendlindja/ Rrugë e gjatë më duhet./Shoqëri do të më bëjnë malli dhe dëshirat/Për t’ju afruar, për të dëgjuar, për t’u dehur,/Me aromën e tokës ku u linda, u rrita.”(poezia “Pendimi i mërgimtarit”, fq.141)
Këto vargje na i bëjnë të qartë lidhjen shpirtërore e fizike të poetit me atdheun, duke vendosur në plan të parë simbolet e vendlindjes “Me aromën e tokës ku linda, u rrita” –apo në një varg më poshtë ku poeti thotë denjësisht; “Duke qetësuar eshtrat e thyera,/Pranë varrit të babait…”-me qëllim që të arrijë të shprehë stilin e sistemit poetik që lidh realen me idealen, në kohë e hapësirë;“ Këtu ku dhurova vitet e jetës,/Për një ëndër të paprekur.” Pra, poeti Mehmeti, ëndërrimtar, i vërtetë dhe i bësueshëm, shpërfaq një stil poetik të mprehtë, realist dhe plot finesë, i bindur në vendosmërinë e tij për ta jetuar jetën sido që të vijë e të jetë, dhe jo të “arratiset” prej saj; “Një pjesëz e popullit tim cdo herë lëviz,/Disa e trimërojnë,/Disa e ligështojnë,/Atdheun tim.” (poezia “Lëvizje”, fq. 143).-në bashkëveprim ndërmjet përvojës personale dhe asaj të shoqërisë.
Në poezi të tilla sikundër “Me Nolin në Boston”, “Nëna e Poetit”, “Ndarja e fundit me nënën”, “Betimi i ushtarëve ilirë”, “Premtimi i Skënderbeut”, “Nata në Prishtinë”, “Tri portat e dashurisë”, ‘Epitaf i pashkruar”, “Këpucët e vjetra”, “Historia lakuriqe” ,etj., Mehmeti eksploron trysninë e historisë në formësimin e ndërgjegjes kombëtare. Ndonëse ai trashëgon mjeshtërinë artistike për të ballafaquar realen, Mehmeti vazhdon të gjurmojë filozofiken për të shprehur botën shpirtërore dhe përngjashmërinë historike, shtjellon fjalë aforistike, shëmbëlltyrën dhe simbolet e tyre, vecanti kjo e stilit të tij poetik.
Poeti dhe publicisti Adnan Mehmeti është një nga poetët e më të admiruar në letërsinë bashkëkohore, një figurë emblematike në kërkim të muzës poetike e më të bukurës artistike në bashkëpunim me filozofiken, objektiven dhe liriken në të shumtat e rasteve, të shprehura në format indirekte, ndjesore dhe kuptimplote. Vëllimi poetik me titull “ Ndajfoljet e vendit”, është botim i shtëpisë botuese “ADA”.
Postscriptum
Poeti dhe publicist i mirënjohur nga Lugina e Preshevës, Adnan Mehmeti, është një figurë emblematike e dominuese e letërsisë të Diasporës dhe president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane, status që vazhdon edhe aktualisht ta ketë. Nën presidencën e z.Adnan Mehmeti, Shoqata ka pasur rritje në anëtarësim dhe krijimtari në nivel të admirueshëm artistik e krijues, aktivitete të ndryshme me taban historik, kombëtar, atdhetar e letrar. Nga sukseset më simbolike e historike, nën kujdesin e drejtëpërdrejtë të Mehmeti, është dalja në dritë e revistës “Pena” , organ letraro-artistik, kombëtar e historik. Aty pasqyrohen shkrime letrare, poezi, tregime, dhe publicistikë, nga autorë të ndryshëm, anëtarë të shoqatës, komunikimi me lexuesin dhe dashamirësit e letrave shqipe, në evoluimin modern të penave poetike dhe prozë. Revista “Pena’ gjendet në Bibliotekën Amerikane, në atë të Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, dhe Bibliotekën e Kishës Autoqefale Shqiptare e Shën Gjergjit, e Fan Nolit, Boston.
Shkruar nga: Raimonda MOISIU
Tetor, 2017