Pas Preshevës, Qendër për pranim të emigrantëve edhe në Bujanoc (Foto)
Ministri për Punë, Punësim dhe çështje Sociale, Aleksandar Vulin, ka deklaruar sot se për disa ditë në Bujanoc do të hapet Qendra e përkohshme për pranim të emigrantëve në Bujanoc, dhe se po punohet në rritjen e kapaciteteve të qendrës në Preshevë.Në Bujanoc emigrantët do të regjistrohen, të kontrollohen dhe t’i jepet ndihma, kurse në Preshevë kapaciteti i tanishëm i Qendrës për pranim do të rritet dukshëm, i ka thënë Vulin gazetarëve, gjatë vizitës që i bëri të dielën qendrës në Preshevë, transmeton Titulli.com.
Vulin me këtë rast ka theksuar se Serbia po reagon shumë shpejt, mirëpo ka edhe të atillë që po thonë se Serbia do të duhej të reagojë edhe më shpejtë. Ai ka thënë se këto qendra nuk janë për qëndrim të përhershëm dhe nuk do të jenë të tilla.
“Qendra për pranim është vend ku njerëzit regjistrohen, marrin ushqimin dhe ilaçet dhe më pas i mundësohet lëvizja e mëtutjeshme”, u shpreh ministri.
Ministri për Punë, Punësim dhe çështje Sociale u shpreh se Serbia do të mund të veprojë edhe ndryshe duke marrë masat e disa vendeve tjera, respektivisht që t’i lëshojë ka duan dhe ku duan pa i regjistruar emigrantët, mirëpo se vendi i tij nuk do ta bëjë këtë dhe do të respektojë ligjet vendore, si dhe rregullat ndërkombëtare.
“Secili do të regjistrohet. Deri më tani janë regjistruar 168.272 refugjatë. Në këtë shifër duhet shtuar edhe 1.860, si dhe 1.500 apo 1.600, sa do të regjistrohen deri në fund të ditës dhe sa janë në Qendrën për pranim në Preshevë”, tha Vulin.
Ministri nënvizoi se në gjithë këtë numër shtojmë edhe 14.200, të cilët janë kapur në territorin e Serbisë pa kërkesat e azilit dhe kundër tyre është ngritur procedurë kundërvajtje. /Titulli.com/