Lokale
Partia Demokratike ‘humb’ përkrahjen e qytetarëve
Partia Demokratike (PD) e cila udhëheqë me pushtetin lokal në Bujanoc, ka pësuar një rënie të madhe që nga viti 2012-të kur edhe fitoi më së shumti vota në këtë komunë.
Sondazhi i mbyllur në mesnatë i portalit informativ Titulli i cili ka qëndruar i hapur për 7 ditë, që nga 6 prilli, ka nxjerr PD-në si humbësin më të madh në mesin e subjekteve shqiptare.
Nëse sot do të zhvilloheshin zgjedhjet ky subjekt politik për nga mbështetja e elektoratit do të ishte e treta, me një diferencë të vogël nga Lëvizja e Progresit Demokratik (LPD) të Jonuz Musliut, e cila pozicionohet e dyta.
Ky sondazh transparent fitues nxjerrë Partinë për Veprim Demokratik të Shaip Kamberit e cila në zgjedhjet lokale të vitit 2012-të humbi kundrejt PD-së, duke u pozicionuar e dyta me vota.
Mirëpo, kur jemi dy vite nga fillimi i qeverisjes së Partisë Demokratike të Nagip Arifit duket se gjithçka është kthyer kundër subjektit më të ri politik në këtë komunë.
Në sondazhin e portalit informativ Titulli, në pyetjen: Nëse do të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme lokale, në Bujanoc cilën parti politike do ta votoni? Janë përgjigjur 640 qytetarë.
Nga ky numër 244 (38%) kanë votuar për Partinë për Veprim Demokratik, 164 (26%) votues kanë zgjedhur Lëvizjen e Progresit Demokratik, për Partinë Demokratike kanë votuar 157 (25%) qytetarë, kurse për Unionin Demokratik Shqiptar 19 votues apo 2 % për qind e pjesëmarrësve në sondazh.
Shqetësuese duhet të merret edhe fakti se një numër prej 56 votuesish apo 9 % kanë zgjedhur opsionin për të mos votuar në zgjedhjet lokale, po qe se ato mbaheshin sot.
Sa për ilustrim vlen cekur sondazhin e vitit 2012-të të cilin e realizoi portali informativ Titulli, në prag të zgjedhjeve lokale të 6 majit.
Atëbotë sondazhi pat nxjerrë fitues Partinë Demokratike, të dytën Partinë Për Veprim Demokratik, të tretën Lëvizjen e Progresit Demokratik dhe të katërtën Unionin Demokratik Shqiptar.
Ky sondazh i mbajtur para zgjedhjeve lokale të 6 majit doli 100 për qind i saktë, pasi sot në përbërjen e Kuvendit Komunal të Bujanocit partitë shqiptare, për nga numri i ulëseve të fituara, radhiten sipas sondazhit të realizuar në portalin informativ Titulli.com.
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!