Nostrifikimi i diplomave të Kosovës largon rininë e Luginës së Preshevës, politika lokale heshtë?
Nostrifikimi i diplomave të universiteteve të Kosovës për studentët e Luginës po paraqet një problematikë të madhe në punësimin e tyre në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.Zejni Fejzullahu, drejtor në shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc ka thënë për Titulli.com se mosnjohja e diplomave, të lëshuara nga Universitetet e Kosovës i dëmton rëndë të punësuarit që nuk kanë nostrifikimin e diplomave.
“Ju kemi drejtuar organeve gjegjëse në Beograd që të zgjidhet ky problem. Është kërkuar intervenimi edhe i faktorit ndërkombëtar si dhe ndihma e përfaqësuesve të Republikës së Shqipërisë por deri më tani fatkeqësisht kjo është vetëm një dëshirë”, është shprehur Fejzullahu.
Për mos zbatim të marrëveshjeve për diplomat Kosovës e fajëson Serbinë edhe Belgzim Kamberi nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Preshevë.
“Paralelisht, edhe njohja e diplomave të Kosovës në Serbi, që nuk po zbatohet nga Serbia me gjithë marrëveshjen e Brukselit, mbetet çështje jetike. Pa zgjidhjen e kësaj problematike vet BE do t’i trashëgojë këto probleme, duke u bërë po ashtu pjesë e tyre”, ka deklaruar Kamberi, shkruan Titulli.com.
Për nostrifikimin e diplomave të Kosovës është arritur marrëveshje në Bruksel në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.
Sipas kësaj marrëveshje nostrifikimi duhet kryer përmes zyrës së Bashkimit Evropian SPARK.
Gani Rashiti nga Qendra për Avokim dhe Zhvillim të Demokracisë në Preshevë thotë se kjo marrëveshje nuk sjell ndonjë risi për studentët shqiptarë ën Luginë të Preshevës.
“Edhe pse dy qeveritë aprovuan dhe fuqizuan këtë marrëveshje me dekret qeveritar u pezullua dhe u bë e pa zbatueshme pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese Serbe, në të cilën thuhet se kjo marrëveshje është në kundërshtim më Kushtetutën e Serbisë dhe Legjislacionin e saj”, ka thënë mes tjerash Rashiti.
Ndërsa, Kujtim Sadriu nga Qendra për Hulumtim dhe Monitorim në Preshevë në bazë të analizave që ka bërë thuhet se janë nostrifikuar vetëm 20 diploma pas marrëveshjes së arritur në Bruksel.
Faktori politik shqiptarë I Luginës së Preshevës nuk ka treguar një përkushtim të madh ndaj zgjidhjes së kësaj problematike me pasoja për studentët dhe pozitën shqiptare në përgjithësi të këtij rajoni.
Pasojat për mos zbatimin e kësaj marrëveshje i vuajnë studentët shqiptarë nga Lugina e Preshevës, të cilët shkojnë studiojnë nëpër universitete të Kosovës dhe nga pamundësia për tu punësuar në Serbi ata nuk mund të kthehen në vendet e veta./Titulli.com/