Nishani në Bujanoc: Kjo është tokë kreshnike, të ruajmë identitetin kombëtar (foto&video)
Mbi 1 mijë qytetarë pritën Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishanin i cili qëndroi për një vizitë në Bujanoc dhe Preshevë me rastin e Ditës së Mësuesit "“ 7 Marsit.Ai fillimisht zbriti në sheshin e Bujanocit dhe u ndalë të përshëndeste qytetarët që e pritën me duartrokitje të njëpas njëshme duke vazhduar pastaj takimet në zyrën e kryetarit të komunës së Bujanocit, shkruan Titulli.com.
Nishani takoi veçmas kryetarin e komunës së Bujanocit, Shaip Kamberin, Junuz Musliun e Fatmir Hasanin, përfaqësuesit tjerë të politikës shqiptare, përfaqësuesit serb lokal dhe kryetarin e trupit koordinues në Qeverinë e Serbisë për komunën e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjvës, Zoran Stankoviq.
“Neve konsiderojmë komunitetin shqiptar në Luginë të Preshevës dhe përpjekjet e tyre për të ruajtur çështjet e identitetit të tyre kombëtar, gjuhën, kulturën dhe zakonet e tyre si një simbol i jashtëzakonshëm për të gjithë kombin shqiptar”, deklaroi Nishani.
Presidenti shqiptar, Nishani bëri të ditur se në këto takime ka theksuar rëndësinë e promovimit të bashkëjetesës, paqes dhe stabilitetit mes shtetit serb dhe atij shqiptar në këtë rajon dhe se kjo është tokë kreshnike.
“Republika e Shqipërisë mbetet e interesuar dhe e angazhuar për të ndjekur me shumë vëmendje realizimin e të gjitha të drejtave që i takojnë pakicës shqiptare në Serbi, të gjithë shqiptarë në Luginën e Preshevës, atyre në Komunën e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës. Të drejtat për arsimim në gjuhën e tyre, të drejtat për respektimin e simboleve kombëtare, të drejtat për zhvillim ekonomik dhe zhvillim të infrastrukturës, të cilat tashmë janë edhe çështje të diskutimit të programit mes dy qeverive, të Serbisë dhe të Shqipërisë”, porositi Nishani.
Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, vizitën e presidentit e quajti vizitë vëllazërore, ku dhe diskutuan për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, mundësitë e bashkëpunimit të komunave të Luginës me institucionet e Shqipërisë.
Ai theksoi se kjo vizitë shkon në interes të përmirësimit të raporteve ndërfqinjësore për të udhëtuar bashkërisht në të gjitha vendet e Ballkanit drejt Bashkimit Evropian.
Kryetari i Këshillit kombëtar Shqiptarë, Junuz Musliu, deklaroi se vizita e sotme e presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani në këtë qytet është historike dhe se është fakt se presidenti respekton kushtetutën e vendit të tij, e cila e obligon që të mbrojë të drejtat e shqiptarëve pavarësisht se ku jetojnë.
Musliu tha se vizita është sinjal se në të ardhmen problemet e shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë të zgjidhen me angazhimet e përbashkëta të qeverisë së Shqipërisë dhe Serbisë.
Bujar Nishani vazhdoi vizitën e tij në shkollën fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnoc, dhe mori pjesë në një program kulturorë të organizuar në një restorant në Bujanoc.
Ndërsa në komunën e Preshevës, Nishani prezantoi në programin kulturorë të organizuar në shtëpinë e kulturës “Abdulla Krashnica”.
Ndryshe, presidenti Bujar Nishani është president i parë i shtetit shqiptar që viziton Komunën e Bujanocit dhe Preshevës, ndërsa zyrtari i parë i shtetit shqiptar që vizitoi Serbinë, është ish-presidenti shqiptar, Enver Hoxha, i cili në vitin 1948 qëndroi në Beograd./Titulli.com/