Këshilli Kombëtar Shqiptar nderon 4 mësimdhënës pë Ditën e Mësuesit
Këshilli Kombëtar Shqiptar, institucioni më të lartë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës përgëzoi mësimdhënësit shqiptar për 7 Marsin - Ditën e Mësuesit.“Sot po mbushen 130 vjet nga dita e parë e hapjes së shkollës shqipe në Korçë, më 7 mars të vitit 1887. Që nga ajo ditë shkronjat shqipe dhe mësuesit e mësim – këndimit, kanë kaluar nëpër periudha të vështira, por krenar për ta mbajtur gjallë frymën e gjuhës shqipe. Ky rrugëtim i diturisë nderohet edhe për mësuesit e Luginës së Preshevës, të cilët kanë dhënë dhe po japin kontribut të çmueshëm për përhapjen e arsimit shqip edhe në këto kushte jo të favorshme me të cilat po përballet arsimi shqip”, thuhet në deklaratën e kryetarit të KKSH-së, Junuz Musliut.
Me qëllim të shënimit të kësaj dite, Këshilli, si në çdo vit tjetër, edhe kësaj here ka nderuar me Mirënjohje mësimdhënësit Xheladin Mustafa, Mejdi Shabani, Emrush Salihu dhe Mihrije Selimi./Titulli.com/