Lokale
Nënshkruhet kontrata për ndërtimin e ambulancës në Letovicë
Fshati Letovicë me rreth 1650 banorë do të bëhet edhe me ambulancë e cila do të jetë në shërbim të pacientëve të këtij vendbanimi.
Në komunë të Bujanocit së shpejti do të ndërtohet edhe një shtëpi shëruese, kërkesë kjo e kamotshme e banorëve shqiptar të fshatit Letovicë të Komunës së Bujanocit.
Në Drejtoratin për Ndërtim sot u bë nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e ambulancës që do të ketë 170 metra katrorë e që do të kushtojë 8.684.000.00 dinarë (me tvsh).
“Me këtë akt i kemi lehtësuar qytetarëve të këtij vendbanimi shërbime mjekësore. Edhe pse me numër të banorëve kanë merituar edhe më herët të kenë një objekt dhe shërbime të këtilla që janë elementare për çdo vendbanim”, u shpreh pas nënshkrimit të kontratës, drejtori Agim Haliti.
Ai theksoi se me këtë po bëhet realitet një ëndërr e banorëve të Letovicës, ndërsa shpjegoi se kompania “Buja Bau” që ka marrë për obligim ndërtimin e objektit i cili pritet të fillojë pas dhjetë ditëve, duhet ta përfundojë në afat prej 99 ditëve, raporton Titulli.
Kësaj vepre i janë gëzuar edhe mjekët, si Llokman Ahmeti që vjen nga ky vendbanim.
“Kjo datë e sodit e nënshkrimit paraqet një datë historike për fshatin Letovicë, sepse ndërtimi i objektit të ambulancës ka qenë ëndërr e kamotshme e gjithë qytetarëve, mirëpo fal angazhimit të pushtetit lokal dhe shumë subjekteve tjera mendojë se kjo ëndërr do të bëhet realitet”, tha me këtë rast mjeku nga Letovica, Llokman Ahmeti.
“Ndërtimi i stacionit të ambulancës në fshatin Letovicë ka qenë më se i nevojshëm”, u shpreh i emocionuar Hajredin Hyda, ish kryetar i Kuvendit Komunal, tani këshilltarë.
“Letovica ka prodhuar mbi dhjetë mjek dhe mungesa e ambulancës ka detyruar që këta mjek të shpërngulen nga Letovica. Tani e tutje shpresoj se mjekët që do të përfundojnë studimet do të punojnë në këtë stacion”, u shpreh Hyda.
Banorët e fshatit Letovicë vizitat mjekësore i kryejnë në fshatin e afërt në Nesalcë apo në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!