Lokale
Në Universitetet e Shqipërisë 182 vende për Luginën
Këshilli Kombëtar Shqiptar njofton të gjithë kandidatët për studime në universitet e Republikës së Shqipërisë për procedurat e regjistrimit, përkatësisht aplikimit në këto institucione të arsimit të lartë.
Sipas këtij organi me vendimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në Universitetet Publike të këtij shteti do të regjistrohen 27.047 kandidatë, ndërkaq për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është ndarë kuota prej 182 vendesh.
Administrimi i aplikimeve dhe përzgjedhja e kandidatëve nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, bëhet nga Institucionet Publike të Arsimit Lartë (IAL) duke u mbështetur në notën mesatare të shkollës së mesme dhe notat e lëndëve për të cilat IAL-të ka vendosur koeficientet më të larta për pranimin në këtë vit akademik.
“Në rast se numri i kandidatëve, që aplikojnë për tu pranuar në një program të caktuar studimi, të cilët përmbushin kriteret e pranimit është më i lartë se numri i kuotave të miratuara në Vendimin 420 të Këshillit Ministrave, IAL përcakton kritere të veçanta pranimi për të përzgjedhur më të mirët”, thuhet në njoftimin e KKSH-së.
Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë në pikën 7.2 nënvizon se regjistrimi paraprak, kandidati duhet të paraqitet personalisht pranë sekretarive mësimore të fakulteteve përkatëse dhe të dorëzojnë dosjet individuale, me dokumentet origjinale:
- Diplomën e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave, ose diplomë/dëftesën e shkollës së mesme;
- Dokumentet e identifikimit (kartë identiteti, pasaportë) në dosje mbahen vetëm fotokopjet e dokumentit të identifikimit;
- 2 fotografi; ndërkaq në pikën 15 po të këtij dokumenti thuhet që të gjitha dokumente të jenë në gjuhën shqipe e të notarizuara në Republikën e Shqipërisë./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!