Lokale
Në Bujanoc 104 vende të reja pune
Administrata lokale e Bujanocit, këto ditë është duke u angazhuar fuqishëm në tre aktivitete të cilat kanë të bëjnë me punësim direkt si dhe me krijimin e kushteve për hapjen e vendeve të reja të punës.
Si rezultat i këtyre aktiviteteve priten të përfitojnë 104 qytetarë të kësaj komune të cilët do punësohen në sektorin privat dhe në atë publik.
“Projekti i parë i përket “Programit Praktik Profesional” për vitin 2013-2014 në të cilën do të përfshihen gjithsejtë 33 kandidatë. Nga ta 22 do të jenë shqiptarë dhe 11 serbë”, sqaron kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.
Ai matej thekson se sistematizimi i tyre do të bëhet kryesisht nëpër ndërmarrjet publike ku themelues është komuna, ndërsa disa tjerë do të radhiten në entet arsimore e që për themelues kanë republikën.
“Në këtë drejtim, procedura e konkursit ka përfunduar dhe se procedurat administrative gjenden në fazën finale. Andaj pritet që kandidatët e përzgjedhur të fillojnë punën midis datave 10 dhe 15 tetor të këtij viti“, thotë ndër të tjera Arifi.
Projekti i dytë, sipas njeriut të parë të komunës së Bujanocit, realizohet në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare.
“ Krijimi i mundësive të reja për punësim në Serbinë Jugore” është emërtimi i projektit të cilin bashkërisht po e realizon kjo komunë me dy organizata të huaja, Caritas dhe Help.
“Në këtë projekt do të përfshihen 31 kandidatë që do të përfitojnë grande në vlerë prej 1500 dollarëve amerikan e që për qëllim do të jetë krijimi i vendeve të reja të punës. Përfitues të projektit do të jenë 16 shqiptarë, 12 serbë dhe 3 romë. Edhe për këtë projekt procedura e zgjedhjes së kandidatëve është në fazën përfundimtare”, bënë të ditur kryetari Arifi, transmeton Tiulli.
Projekti i tretë, sipas njoftimit të zyrës për Zhvillim Ekonomik Lokal, titullohet “Thirrje publike për hapjen e vendeve të reja të punës” .
Sipas drejtuesit të komunës ky projekt realizohet ekskluzivisht me sektorin privat apo me bizneset e regjistruara në territorin e komunës së Bujanocit.
Në të përfshihen 40 kandidatë, nga bizneset e ndryshme, që kanë mundësi të aplikojnë për subvencione të cilat ndahen nga buxheti komunal.
Bizneset për punësimin e një kandidati do të fitojnë 120 mijë dinarë, shifër kjo e ngjashme me atë të dhjetorit të vitit të kaluar ku punësim gjetën 24 individë në 17 subjekte juridike të bizneseve.
“Ky projekt gjendet në fazën e përgatitjes së konkursit dhe realizohet gjatë muajve tetor dhe nëntor”, përfundon kryetari, Nagip Arifi./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!