Lokale
Breznica me “autostradë” (foto dhe video)
Rruga e premtuar për malësinë e Bujanocit ka filluar të asfaltohet derisa banorët shprehen të kënaqur me punimet në këtë rrugë e cila në të ardhmen do t’i lidhë këta banorë me qendrën në Bujanoc.
Breznica e gëzuar për rrugën e re e cila edhe pse vetëm me dy korsi, për ta është si një autostradë.
Dëshira e tyre e kamotshme dalngadal po përmbushet, pasit të mërkurën nisi asfaltimi edhe i pjesës së mbetur të këtij aksi rrugor me rëndësi për shqiptarët e komunës së Bujanocit.
“Me asfaltimin e kësaj rrugë po bëhet bashkim i fshatrave të Malësisë dhe komunës së Bujanocit” u shpreh banori nga fshati Breznicë, Tahir Bilalli, i cili njëherit për këtë projekt kaq të madh falënderoi kryetarin e kësaj komune, raporton Titulli.
Ndërkaq drejtori i Drejtoratit për Ndërtim Agim Haliti gjatë prononcimit të tij theksoi se ëndrra e banorëve sot po bëhet realitet.
“Ky është momenti i një gëzimi të madh të qytetarëve të komunës së Bujanocit e në veçanti të qytetarëve të fshatrave që jetojnë në Malësinë e Bujanocit”, tha Haliti, duke shtuar se me realizimin e këtij projekti po përmbushet një kusht elementar për banorët.
Asfaltimin e rrugës nga drejtimi i Breznicës për në fshatin Tërnoc e ka përshëndetur edhe këshilltari Komunal Shpend Xhelili banorë në fshatin Breznicë.
“Asfaltimi i rrugës është pritë që shumë kohë pasi kemi qenë të bllokuar” tha me këtë rast këshilltari Xhelili që vjen nga radhët e Partisë Demokratike, duke nënvizuar se subjekti i tij po realizon premtimet, siç tha ai “edhe para afatit” duke mos e përdorur këtë projekt për marketing politik.
Drejtuesi i kompanisë “Saba Bellça” Valon Etemi i cili sot me punëtorët dhe makinerinë e tij po zhvillon punimet në këtë aks rrugor u shpreh se punimet do të përfundojnë brenda 5 deri 6 ditë edhe pse moti i kishte shkaktuar vonesa në përfundimin e këtij projekti.
“Kjo është dita e parë që kemi filluar në asfaltimin e pjesës së rrugës së paasfaltuar me një gjatësi prej rreth tre kilometrave e gjerësi nga 5.5 metra deri në 8 metra”, u shpreh me këtë rast realizuesi u punimeve Valon Etemi.
Sipas tij pas përfundimit të asfaltimit do të bëhet edhe vendosja e bankinave në anën e rrugës për të mbrojtur makinat nga rënia në humnerë.
Drejtuesit e automjeteve që frekuentojnë këtë rrugë luten që të shfrytëzojnë rrugë alternative deri në përfundimin e punimeve.
Projekti i asfaltimit të kësaj rruge po shkon drejt përfundimit derisa për qytetarët e komunës së Bujanocit po hapet një mundësi e re qarkullimi drejt Kosovës./Titulli.com/
http://youtu.be/5Va45H5GNsw
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!