Në bibliotekën më të vjetër në botë ku gjendet edhe Kurani i shkruar në lëkurën e devesë
Biblioteka Al-Qarawiyyin ka qenë prej kohësh një vend i panjohur për banorët në Fez, Marok, pasi pak prej tyre kanë hyrë ndonjëherë në të. Hapur në vitin 859, mendohet të jetë biblioteka më e vjetër në botë dhe labirinti i dhomave të saj për shumë kohë u mbyll për të gjithë, përveçse për disa studiues dhe studentë.
Në vitin 2012, Ministria e Kulturës e Marokut vlerësoi se Biblioteka ishte në rrezik nga përmbytjet dhe një sasi e madhe uji që rridhte poshtë dyshemeve, që kishte dëmtuar edhe shumë libra të rrallë. Për të shpëtuar strukturën nga dëmtimet e mëtejshme, u ndërtua një sistem kanali nëntokësor për të çuar ujin në kanalizim.
U punua shumë që ambientet e Bibliotekës të hapeshin për publikun, sikurse u investua që një sasi e konsiderueshme e botimeve të vjetra të ruheshin, rregulloheshin dhe digjitalizoheshin. Këto libra të rrallë përfshijnë ndër të tjera një Kuran të shekullit të nëntë, të shkruar në Kufic (forma më e vjetër e kaligrafisë arabe) në lëkurën e devesë, që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve.
Ekspertët që u morën me restaurimin e kësaj biblioteke u shprehën në Cnn Travel se gjithmonë zbulonin hyrje të fshehta, dyer që të nxirrnin në oborre, dhoma sekrete etj. Një zbulim i spikatur për ta ishte një dhomë e fshehtë me një kupolë të shekullit të 12-të.
Biblioteka mendohet se u themelua nga Fatima al-Fihri, vajza e një tregtari të pasur tunizian (ajo gjithashtu themeloi Xhaminë Qarawiyyin dhe Universitetin Qarawiyyin). Si për të vazhduar këtë traditë edhe shumica e ekspertëve që u morën me projektin e restaurimit të al-Qarawiyyin, ishin femra./a2cnn/