Mustafa: Rama të kërkojë njohjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Luginë
Lugina

Mustafa: Rama të kërkojë njohjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Luginë

07.May.2014 13:46
0

Rasti i regjionit të Krimesë në Ukrainë nuk ka qenë me vëmendje të theksuar në botë, por një ditë papritmas iu bashkua Federatës Ruse. Edhe Lugina e Preshevës e ka një ngjashmëri të madhe me regjionin e Krimesë në Ukrainë, aq më parë shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë edhe verdiktin e popullit, luftën e UÇPMB-së dhe platformën politike të 14 janarit 2006, e që asociojnë drejt bashkimit me Republikën e Kosovës, tha në një intrevistë, kryetari i komunës sëPreshevës, Ragmi Mustafa.

Citaku-presheve-2Zoti Mustafa, fillimisht Ju falënderoj për kohën e ndarë për këtë intervistë. Si është gjendja aktuale politike në Preshevë?

Situata aktuale politike dhe e sigurisë në Luginë të Preshevës, përderisa nuk merren hapa pozitivë nga Qeveria serbe nën ndikimin e faktorit ndërkombëtar dhe dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, mbetet vazhdimisht komplekse. Prania e vazhdueshme e forcave policore dhe ushtarake në masë të konsiderueshme të koncentruara përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës është një dëshmi më tepër se siguria e qytetarëve shqiptarë dhe pronës së tyre nuk është në nivelin e merituar. Nuk ka lëvizje në drejtim të realizimit të të drejtave, qoftë edhe më elementare të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Ka pengesa serioze në përdorimin e simboleve kombëtare dhe shënimin e festave gjithashtu kombëtare. Moslejimi i përdorimit të teksteve mësimore në gjuhën shqipe të botuara në Prishtinë ose Tiranë, planprogramet mësimore të papërshtatshme për nxënësit shqiptarë të shkollimit fillor e të mesëm e rëndojnë edhe më shumë situatën politike e të sigurisë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Pamundësia e hapjes së shkollimit të lartë universitar në gjuhën shqipe në Luginë të Preshevës dhe mospranimi i diplomave universitare të arritura në Republikën e Kosovës, madje edhe vështirësi të konsiderueshme shpeshherë të pamundshme dhe me kosto të lartë të diplomave të arritura në Republikën e Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë rritin dozën e pasigurisë profesionale e shkencore të kuadrove të reja shqiptare në Luginë të Preshevës. Problemet në fushën e shëndetësisë, pikërisht mbrojtja sekondare shëndetësore, pazhvillueshmëria ekonomike dhe në rrjetin e gjyqësisë pa dyshim se e rritin shkallën e pasigurisë politike të shqiptarëve të Luginës në tokat e tyre autoktone e shumëshekullore.

Po ajo ekonomike? 

Situata ekonomike gjithkund në botë, madje edhe në secilin regjion është ngushtë e lidhur me atë politike. Në çdo vend ku situata politike dhe ajo e sigurisë nuk është në nivelin e trendëve evropianë pa dyshim se reflekton pasiguri edhe të gjendjes ekonomike. Prandaj, në kushtet e situatës së tanishme politike në Luginë të Preshevës nuk do mend se gjendja ekonomike e tri komunave me shumicë shqiptare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc është e rëndë. Themi gjendje e rëndë ekonomike, sepse rreth shtatëdhjetë për qind e popullatës së aftë për punë në këtë kohë është e papunësuar. Kjo vjen nga fakti se shumica e popullatës së këtyre tri vendbanimeve janë me përkatësi shqiptare.

A do të dalë Presheva nga kolapsi i papunësisë?

Është e sigurt se edhe rajoni ynë do të dalë nga kolapsi i papunësisë. Nëse shikojmë mbrapa për disa decenie më herët, gjendja e popullsisë ka qenë edhe me varfëri më të theksuar. Tani kur janë në trend zhvillimet ekonomike të sektorit privat në ekonomi të vogël e të mesme, ato do të zhvillohen dhe do të kalojnë pragjet aktuale, duke u fuqizuar në shkallë më të lartë zhvillimi ekonomik. Në anën tjetër, çdo ditë themelohen ndërmarrje ekonomike të kategorisë së vogël me trend zhvillimi dhe rritje në shkallë më të lartë madhërie. Pa dyshim se rol të rëndësishëm kanë sektori privat, bashkatdhetarët që janë me punë të përkohshme në Evropën Perëndimore dhe donacionet e institucioneve të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së në sektorin e ndërrmarrësisë aktuale private, duke nxitur edhe bizneset e reja me grupe të rinjsh, apo afaristësh të bashkuar. Përvoja e institucioneve ndërkombëtare dhe donacionet e tyre gradualisht po shënojnë rritje ekonomike në Luginë të Preshevës. Në këtë drejtim, edhe pushteti lokal e jep një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik duke ngritur infrastrukturën e transportit, elektroenergjetikës, kanalizimeve të ujërave të zeza, furnizimin me ujë të pijshëm dhe rregullimin e shtretërve të lumenjve. Ndihma të konsiderueshme në fushën e zhvillimit të bujqësisë pushteti vendor në Preshevë për çdo vit u ndanë bujqve, duke donuar pajisje agroteknike, pajisje për artizanale, foli plastike për serra perimesh, furnizim me mështjerra produktive të racave që sot janë të pranishme në Evropën Perëndimore e të ngjashme. Përveç sektorëve të lartpërmendur, Komuna e Preshevës i ka programet e saj edhe për të rinjtë, projektin socio-ekonomik për angazhimin e kuadrove që kanë mbaruar shkollimin e lartë universitar në sektorin privat, të arsimit dhe të shëndetësisë. Këto projekte zgjasin për një vit për sektorët më lartpërmendur. Komuna e Preshevës i ka programet e saj edhe për të rinjtë, projektin socio-ekonomik për angazhimin e kuadrove që e kanë mbaruar shkollimin e lartë universitar në sektorin privat, të arsimit dhe të shëndetësisë. Këto projekte zgjasin për një vit për çdo kuadër me qëllim të përgatitjes së tyre për tregun e punës. Planifikimi dhe projektimi i dokumentacionit mbi rregullimin e zonës industriale në sipërfaqe prej gjashtëmbëdhjetë hektarësh në vendbanimin Çukarkë ofron mundësi të reja biznesi dhe hapje të vendeve të reja të punës për gjeneratat e reja në komunën e Preshevës. Tani jemi në fazën e përgatitjes së infrastrukturës rrugore, të furnizimit me energji elektrike, me ujë të pijshëm, ndërtimit të kanalizimeve atmosferike, të ujërave të zeza dhe asaj telekomunikuese me qëllim që në një periudhë shumë të afërt të nisë ardhja e investitorëve potencialë nga Evropa Perëndimore me kapacitetet e tyre prodhuese e industriale në Preshevë. Natyrisht se edhe një studim fizibiliteti është në fazën përfundimtare nga Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e SHBA-së, e cila do t’i japë instruksionet thelbësore për veprim të mëtutjeshëm.

Materniteti-presheve-2Kush e mban fajin për gjithë këtë papunësi të madhe?

Jo që dua ta arsyetoj pushtetin e mëparshëm lokal, e as të tanishmin që e menaxhojmë ne, por e vërteta qëndron në qeveritë e shkuara dhe të tanishme serbe. Asnjëherë dhe asnjë qeveri nuk ka qenë e gatshme të sigurojë fonde qoftë edhe minimale për zhvillim rajonal proporcional. Duke qenë se Presheva, Medvegja e Bujanoci ndodhen në kufi me Republikën e Kosovës dhe me më shumë banorë shqiptarë, kjo e zvogëlon interesimin e secilës qeveri serbe për investime përmbajtjesore në fushën e zhvillimit ekonomik. Investimet e qeverive serbe në komunat tjera me shumicë banorësh serbë nuk mungojnë, prandaj shkalla e papunësisë në komunat tjera në Serbi nuk është më shumë se pesëmbëdhjetë për qind e popullatës së papunësuar. Të gjitha këto masa ndëshkuese ekonomike të Serbisë ndaj tri komunave shqiptare janë me qëllim të rritjes së shkallës së pasigurisë të shqiptarëve dhe dëbimin, përkatësisht largimin e tyre nga trojet e tyre autoktone me metodat më të moderuara të kohës.

Serbia tash më e ka Qeverinë e re. Shihni mundësi bashkëpunimi për të mirën e Preshevës me rrethinë?

Ne gjithmonë jemi të gatshëm për të mirën e qytetarëve të Preshevës. Nëpërmjet Qeverisë së re pa dyshim se do të përpiqemi të realizojmë fonde, jo vetëm të merituara, por edhe më tepër me qëllim të realizimit të sa më shumë projekteve investive për rritjen e mirëqenies së qytetarëve në Preshevë dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Në anën tjetër, nuk duhet të harrojmë se Qeveria e re është me personalitete e mendësi të vjetra. Serbia duhet ta ndryshojë thellësisht mendësinë në udhëheqje, e pastaj shqiptarët në Luginë të Preshevës të presin më tepër. Përderisa autoritetet serbe angazhohen maksimalisht për të drejtat e serbëve në Republikën e Kosovës, edhe atë në instanca të Brukselit zyrtar, pse të njëjtin angazhim nuk e bëjnë për shqiptarët e Luginës, që mund ta bëjë pa pasur nevojë Brukseli zyrtar, sepse nuk do t’i pengojë askush që t’ua japin të drejtat e merituara shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Keni pasur ndonjë takim me kryeministrin e sapozgjedhur të Serbisë?

Jo asnjë takim, madje as nuk besoj se mund të ndodhë. Kryeministri serb nuk sheh interes në Preshevë, Medvegjë apo Bujanoc, prandaj edhe më parë asnjë kryeministër nuk ka qenë i interesuar t’i takojë shqiptarët. Për autoritetet shqiptare në Luginë të Preshevës, jo kryeministri serb, por edhe cilido ministër i Qeverisë serbe është i paprekshëm.

Po me presidentin serb?

Me asnjë president serb kurrë nuk kam pasur mundësi takimi. Edhe për presidentët serbë, jo vetëm qytetarët shqiptarë, por edhe liderët e tyre janë të papërfillshëm. Megjithatë, për këtë çështje as nuk do të mërzitemi fare, sepse jemi të vetëdijshëm edhe ne se për autoritetet serbe jemi të papërfillshëm.

Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë tri komuna që kanë mbetur në një gjendje të mjeruar në të gjitha sferat. Sipas jush, çka duhet të bëjë kjo qeveri në 100-ditëshin e parë për këto treva?

Së paku ta pranojë faktin se edhe këto tri komuna meritojnë, në mos më shumë, po aq kujdes sa edhe komunat tjera në Serbi. Më në fund, të ofrojnë jo më pak se kërkesat e tyre për serbët në veriun e Republikës së Kosovës.

Si duket, zgjidhja më e mirë e mundshme ka mbetur që me Serbinë të drejtohemi drejt BE-së?

Nuk do të thotë se ndonjëherë mbarojnë proceset politike. Kujtoj se dimensioni kohë është faktor i pakapërcyeshëm në zgjidhjen e problemeve. Prandaj, koha është ajo që sjell zgjidhjet, natyrisht edhe ne gjatë kohës gjithmonë të jemi insistues, duke i dhënë drejtim zgjidhjes më të mirë. Rasti i regjionit të Krimesë në Ukrainë nuk ka qenë me vëmendje të theksuar në botë, por një ditë papritmas iu bashkua Federatës Ruse. Edhe Lugina e Preshevës e ka një ngjashmëri të madhe me regjionin e Krimesë në Ukrainë, aq më parë shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë edhe verdiktin e popullit, luftën e UÇPMB-së dhe platformën politike të 14 janarit 2006, e që asociojnë drejt bashkimit me Republikën e Kosovës.

Keni takime edhe me Qeverinë shqiptare në Tiranë?

Po gjithsesi, takimet në Tiranë janë të rregullta me të gjitha institucionet, pavarësisht kush është në pushtet. Takime që nga institucioni i Presidencës, Qeverisë, ministrive, universiteteve dhe cilindo institucion tjetër. Bashkëpunimi me të gjitha këto institucione gjithmonë është në frymën e transparencës vëllazërore në kuptimin e këshillave, ndihmave të drejtpërdrejta në fushën e arsimit fillor, të mesëm, e posaçërisht atij universitar.

Është përfolur se kryeministri Edi Rama do ta vizitojë Serbinë. Jeni i njoftuar?

Edhe para zgjedhjeve parlamentare në Serbi, kryeministri Rama e kishte agjendën për vizitë Qeverisë serbe në Beograd. Tani pas formimit të Qeverisë së re në Beograd, sigurisht se kryeministri shqiptar do ta realizojë vizitën në Beograd.

Çfarë do të kërkonit nga Edi Rama të bëjë për Preshevën?

Në takimet e mëparshme që kemi pasur, si me kryeministrin Rama, madje edhe me ministrin e Jashtëm, drejtor të Ministrisë së Jashtme për Marrëdhënie me Jashtë të Qeverisë shqiptare, me ambasadorin shqiptar që së shpejti do të akreditohet në Beograd, gjithnjë i kemi njoftuar për të gjitha problemet e shqiptarëve në Luginë të Preshevë. Besoj se ardhja e zotit Rama në Luginë të Preshevës para se të vijë në krye të Qeverisë e bën më të njohur lidhur me problemet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Dhjetë ditë para jubileut të madh të njëqindvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë ishte në Preshevë për t’i ekspozuar flamujt shqiptarë për kohën njëqindvjeçare e më tepër. Mendoj se që atëherë e ka kuptuar se sa peripeci ka pasur ekipi i tij për t’i futur flamujt në Preshevë, së paku për ekspozitë. Zoti kryeministër Rama duhet të kërkojë nga Qeveria serbe njohjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Luginën e Preshevë, përdorimin e lirë të simbolit kombëtar, arsimim të mirëfilltë të të rinjve shqiptarë në këto tri komuna, duke ofruar ndihmën e Shqipërisë në tekste mësimore, kurrikula dhe kuadro. Më tutje duhet kërkuar lëvizje të lirë, zhvillim përmbajtjesor ekonomik, orientimin e investitorëve potencialë të huaj për nxitje të zhvillimit ekonomik me kapacitetet e tyre prodhuese në Luginën e Preshevës. Natyrisht se duhet kërkuar sigurinë fizike dhe të pasurisë së shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke e demilitarizuar regjionin e stërngarkuar me forca militare e paramilitare serbe përgjatë kufirit me Republikën e Kosovës.

Po sa jeni i kënaqur me fondin që iu nda Luginës së Preshevës?

Fondet për Preshevë janë të mirëseardhura, sidomos nga Shqipëria dhe Kosova. Kënaqësia qëndron në faktin se dy qeveritë ditën ta identifikojnë problemin e Luginës së Preshevës, duke qenë të bindur se ky është vetëm fillimi. Shqiptarët e Preshevës ndihen mirë me këtë fond modest, sepse në krahasim me trojet tjera shqiptare të disperzuara në më shumë shtete të Ballkani Perëndimor, fillimisht janë më të privilegjuarit dhe përkëdhelurit.

Është përmendur se ky fond ishte i pamjaftueshëm për këto treva?

Natyrisht se fondi prej njëqindmijë euro është i dedikuar për ngritjen e maternitetit në Preshevë, i cili ka kushtuar më shumë se një milion euro. Ndërkohë dy qeveritë e kanë vendimin për formimin e fondit të posaçëm për Luginën e Preshevës, i cili do ta marrë formën me siguri në mbarim të këtij viti kur edhe përgatiten ligjet e buxheteve për Shqipëri e Kosovë, respektivisht.

Pritni që në të ardhmen e shpejtë do të përfitoni edhe ndihma të tjera? 

Sigurisht se në të ardhmen do të priten edhe ndihma të tjera në realizimin e projekteve në interes të qytetarëve në Luginën e Preshevës. Tani një shembull i mirë i transferit të parasë nga Qeveria shqiptare në llogari bankare të Komunës Preshevë për bashkëfinancim në projektin e maternitetit mund të shërbejë që pa pengesa të vazhdohet edhe në të ardhmen.

Fondin prej 100 000 eurove, sigurisht edhe një shoqatë e vetme kishte mundur ta grumbullojë. Mos ndoshta, ndihma në aspektin politik do të ishte më shumë e mirëpritur se sa kjo ndihmë në të holla?

Mendoj se aspekti politik është me miliona herë më frytdhënës se sa ai i ndihmës. Në anën tjetër, ky ka qenë rasti i parë dhe le të shërbejë si test për transferin e parasë nga Qeveria shqiptare në Tiranë Komunës Preshevë. Kur tani ky test ka rezultuar i papenguar dhe i suksesshëm, me siguri se hap rrugën për transfere tjera, kryesisht në projekte për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë, e sidomos të rimëkëmbjes ekonomike.

I nderuar, kemi edhe shumë pyetje të tjera për të bashkëbiseduar, shpresoj se do të kesh mirëkuptim. Janë shumë tema për të cilat besoj se lexuesit duhet të informohen, prandaj paksa po e zgjasim. Kur je takuar së fundi herë me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi? 

Dy javë më parë në Kukës, me rastin e shënimit të ditës së eksodit më masiv shqiptar pikërisht përkujtimin e pesëmbëdhjetë vjetorit të deportimit të dhunshëm të shqiptarëve prej Kosovës nga forcat paramilitare e militare të formacioneve ushtarako policore serbe.

mustafaThuhet se me z.Thaçi keni miqësi të mirë?

Është kënaqësi e madhe të ndërtohen miqësi, siç është autoriteti i kryeministrit të Republikës së Kosovës, zoti Hashim Thaçi. Ai është në gjendje ta kuptojë çdoherë shqetësimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe gjithmonë i interesuar për të gjetur forma demokratike e vëllazërore për t’i ndihmuar shqiptarët e Luginës.

Në Maqedoni, zgjedhjet parlamentare përfunduan dhe me këtë rast e përgëzuat kryetarin e BDI-së, z.Ali Ahmeti. Keni miqësi të mirë si duket edhe me z. Ahmeti?

Po natyrisht, sepse edhe zoti Ali Ahmeti e ka respektin e konsiderueshëm ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Duke qenë për sa kohë në skenën politike të regjionit si me zotin Thaçi, po ashtu edhe zotin Ahmeti shumë herë jemi takuar dhe gjithmonë i kam njoftuar drejtpërdrejt me shqetësimet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Nga takimet e numërto, transparenca, mirëkuptimi dhe të qenët bashkëkombës ndërtohen edhe miqësitë e sinqerta e dashamirëse, të cilat raporte gjithmonë duhet mbindërtuar dhe fuqizuar, për çka edhe jam interesuar gjithmonë.

Po me PDSH-në e Menduh Thaçit?

Politika shqiptare në Luginën e Preshevës ndërton raporte të mira me të gjitha subjektet politike shqiptare në regjion, përkatësisht në trojet shqiptare. Raportet më të dukshme dhe më të theksuara vërehen me subjektet politike që ushtrojnë pushtetet. Prandaj, duke qenë më të margjinalizuarit si politikë shqiptare dhe brenda Serbisë jemi të detyruar që të mbajmë raporte së paku vëllazërore me të gjitha subjektet politike shqiptare në trojet autoktone shqiptare.

T’i kthehemi Preshevës. U mbajtën zgjedhjet parlamentare në Serbi dhe partia që ju drejtoni me disa parti të tjera shqiptare që veprojnë në Luginë i bojkotuat ato. Pavarësisht bojkotimit, Lugina kësaj here do të jetë me dy deputetë, pra një më shumë se zakonisht. Komenti juaj?

Një pikë plus një pikë ujë në det!

Pse e gjithë kjo thyerje e spektrit politik në Luginën e Preshevës?

Sepse koha e njëmendësisë politike ka perënduar që në mbarim të shekullit të shkuar!

I keni thënë vetes që t’i bojkotoni zgjedhjet lokale?

Jo vetëm vetes, por edhe subjektit politik që e drejtoj. Kam shkuar edhe më larg duke kërkuar mbështetje të të gjitha subjekteve politike shqiptare në Luginën e Preshevës. Fatkeqësisht, akoma nuk ka një unitet në këtë drejtim, i cili, jo që është vetëm i nevojshëm, por edhe i domosdoshëm për të arritur qëllimin e popullit shqiptar të Luginës së Preshevës.

Çfarë u bë me lapidarin?

Lapidarin e dëshmorëve të kombit nuk e morën miqtë tanë, por armiqtë tradicionalë e patologjikë të shqiptarëve. Fati i tij akoma nuk dihet, presim mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për të na ofruar ndihmë në këtë drejtim. Serbia e fitoi një Qeveri të re, por jo mendësi tjetër për shqiptarët.

Është folur shumë për lapidarin, por, në anën tjetër, elita shqiptare e ka përshëndetur bashkë me Diasporën shqiptare. Keni kontakte me shoqatat e mërgimtarëve tanë që janë në Diasporë?

Sigurisht se po. Me të gjithë ata që shprehin gatishmëri për bashkëpunim. Edhe me afaristë të trojeve shqiptare në Perëndim dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë konsideroj se si shoqatat e shqiptarëve, si afaristët dhe çdo shqiptarë luajnë rolin e ambasadorit të mirë të Preshevës dhe Luginës në përgjithësi në Evropën Perëndimore dhe në SHBA.

Studentët e Luginës së Preshevës që studiojnë në Maqedoni kanë disa probleme në lidhur me disa viza që po u kërkohen. Mendoni se do ta zgjidhni atë çështje? 

Nuk është një problem i pakapërcyeshëm, por zbatim i një procesimi procedural, i cili mbase nuk është aq edhe i vështirë. Studentët duhet siguruar lejen e qëndrimit në Maqedoni në vendbanimin ku edhe janë të vendosur përkohësisht për qëllime studimi. Këtë e kërkon shteti maqedonas vetëm për studentët, e jo edhe për qytetarët tjerë. Duke qenë se rregullimi i vendqëndrimit kërkon kohë dhe kosto, e të cilat në masë të mjaftueshme nuk i disponojnë studentët, do të përpiqemi që me formimin e Qeverisë së re në Maqedoni, bashkë me partitë politike shqiptare që do të jetë në pushtetin qendror të Maqedonisë ta shqyrtojmë këtë, duke e shtruar si problem dhe t’i gjejmë zgjidhje të kënaqshme për studentët tanë shqiptarë në Tetovë, Shkup, Gostivar apo Strugë.

Keni pasur dhe keni takime me faktorin ndërkombëtar. Si e shohin zgjidhjen më të mirë të mundshme të çështjes së Luginës së Preshevës?

Faktori ndërkombëtar vazhdimisht mban takime me pushtetet lokale në Luginën e Preshevës. Në lidhje me gjendjen e shqiptarëve pa dyshim se shprehin shqetësim, por nuk ofrojnë ndonjë zgjidhje që do të ishte e parapëlqyer për ne. Rëndom kursehen në opinionin publik rreth zgjidhjes më të mirë. Mbase një ditë do të jenë në gjendje ta deklarojnë dhe ofrojnë zgjidhjen e shumëpritur të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Deri kur do të jetë e pazgjidhur nyja e kahershme për këto treva shqiptare? 

Gjer atëherë kur do të vijë dita fatlume edhe e shqiptarëve të Luginës njëlloj sikur e shqiptarëve të Kosovës në qershorin e vitit nëntëdhjetenëntë.

Shihet se shumë të rinj po i largohen Preshevës, e sidomos intelektualë. Por, kjo ka qenë edhe më herët sigurisht. Por, çka do të bëni Ju, si i pari i Preshevës që ta ndalni këtë gjë?

Të vazhdojmë luftën politike dhe institucionale për të siguruar në radhë të parë qëndrueshmëri politike, sociale, arsimore, shëndetësore, ekonomike, kulturore, sidomos identitet të pamohueshëm kombëtar të shqiptarëve në trojet tona autoktone. Duke i bashkërenditur aktivitetet edhe me subjektet e tjera politike, si dhe institucionet relevante brenda pushtetit lokal do të arrihet që të sigurohet qëndrueshmëri stabile edhe në Preshevë.

Ragmi Mustafa-Halimi-2Shumë rrugica të Preshevës kanë ndryshuar për të mirë. Janë asfaltuar shumë rrugë dhe, në anën tjetër, shihen ndërtime të mëdha në sektorin privat, por më shumë banesa e shtëpi. Keni ndonjë projekt që të ndërtohet ndonjë fabrikë dhe të punësohen banorë të kësaj pjese?

Duke iu referuar asaj që e përmenda më sipër, jam i bindur se projekti i zonës industriale në vendbanimin Çukarkë është dritë, qoftë edhe fare e zbehtë në fund të tunelit për të treguar drejtimin e lëvizjes për të dalë nga tuneli i errësirës dhe pashpresës. Aktivitetet rreth ndërtimit të zonës industriale kanë filluar, të interesuar për investime me prodhimet e tyre janë në nivel nga shumë investitorë, sidomos bashkatdhetarët tanë në Diasporë. Me fillimin e funksionimit të fabrikave që do të instalohen në zonën industriale do të shtohet, përkatësisht do të fuqizohet numri i vendeve të punës në komunën Preshevë.

Presheva ka pasur shumë fabrika dhe aty punëtorë të shumtë. E tash janë privatizuar dhe nuk është ai numër i madh i punëtorëve si më herët. Keni ndonjë kërkesë konkrete para Qeverisë së Serbisë që të investojë në Luginën e Preshevës?

Presheva ka pasur fabrika për prodhim të gjysmëfabrikateve. Që nga vitet e nëntëdhjeta të shekullit të shkuar, ato nuk kanë funksionuar. Por, edhe atëbotë kur kanë qenë në funksion, pjesa dërmuese e punëtorëve ishin nga Vranja dhe Kumanova, të përkatësisë serbe, e të mos flasim për serbët e komunës së Preshevës. Për këtë dhe shumë shkaqe tjera politike në komunën e Preshevës, për shqiptarët ka qenë i detyruar mërgimi drejt Evropës Perëndimore, fillimisht para më shumë se dyzetepesë vjetësh, e më vonë edhe drejt shteteve skandinave dhe SHBA-së. Në anën tjetër, gjer tani nuk ka një privatizim të të gjitha subjekteve të dikurshme shoqëroro-ekonomike, sepse privatizimi i tyre është kompetencë ekskluzive e Qeverisë serbe. Janë vetëm dy subjekte ekonomike që janë privatizuar dhe që në mënyrë serioze kanë hapur vende të reja të punës, fatmirësisht janë shqiptarë. Përderisa subjektin ekonomik shoqëror e privatizonin serbët, në mënyrë serioze dështonte dhe në gjitha rastet privatizimi është anuluar, sepse ata gjithmonë kanë qenë të interesuar për stërshitje dhe veprime të ngjashme, e asnjëherë në interes të shoqërisë preshevare. Edhe kësaj Qeverie, sikur edhe të gjitha qeverive tjera, që nga viti dymijë do t’i kërkojmë privatizim të drejtë, transparent dhe të qëndrueshëm të subjekteve shoqëroro-ekonomike të paprivatizuara gjer tani, duke u dhënë përparësi qytetarëve vendës të Preshevës si investitor potencial.

Kur mendoni se spektri politik në Luginën e Preshevës do të jetë i bashkuar?

Sa herë që shtrohet çështja e interesit të përbashkët kombëtar.

Zoti Mustafa, Lugina e Preshevës, siç dihet, e ka një numër të madh të bashkatdhetarëve. Si e kishit menduar Preshevën sikur një vit të mos vinin bashkatdhetarët, meqë kuptohet se me ardhjen e tyre vijnë edhe shuma të mëdha të të hollave?

Numri i madh i bashkatdhetarëve tanë me punë të përkohshme në Evropën Perëndimore është një burim shumë i qëndrueshëm dhe i rëndësishëm financiar për ekonominë e vogël dhe të mesme private në komunën e Preshevës. Për muajt e verës dhe pushimet e fund vitit zhvillohen aq aktivitete sa e shumëfishojnë qarkullimin e parasë në masë të madhe. Nga qarkullimi i parasë në masë, pa dyshim se krijohen përfitime te subjektet ekonomike private, ku gjen rrugën qarkullimi i parasë. Ekonomia private në Preshevë drejtpërdrejt për sa kohë është në gjendje varësie nga dinamika e frekuentimit në kohë të bashkatdhetarëve tanë me punë të përkohshme në Perëndim. Gati gjithë sektorët e ekonomisë së vogël private gjenden në gjendje varshmërie nga zhvillimi i aktiviteteve të bashkatdhetarëve tanë në kohën kur ata ndodhen për pushime në vendlindje.

E keni ndërmend ta vizitoni ndonjë shtet të Evropës ku ka bashkatdhetarë?

Rëndom vizitat jashtë Preshevës në vende të treta i realizoj shumë rrallë, sepse koha për çdo ditë e më tepër mungon. Koha është gjëja më e çmuar në jetë. Po nuk e ke kryer punën sot, për nesër e ke të dubluar, e të mos flasim për lënie pas dore për më shumë ditë punët e përditshmërisë, si ato politike, por edhe institucionale. Vitin e shkuar kam qenë në SHBA në gala-darkën e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, për disa ditë, sepse është shumë larg dhe janë realizuar një seri e takimeve, si me bashkatdhetarë, po ashtu edhe me autoritete amerikane dhe shoqata tjera gjithashtu shqiptaro-amerikane. Kujtoj se së shpejti do të kem vizitë edhe shteteve të Evropës. Me kënaqësi të madhe do t’i takoj bashkatdhetarët, shoqatat e bashkatdhetarëve tanë dhe autoritetet tjera brenda shtetit përkatës.

Cili do të ishte falënderimi më i mirë i mundshëm për bashkatdhetarët tanë? 

Falënderimi më i mirë për bashkatdhetarët tanë qëndron në atë se me kapacitetet e tyre financiare po investojnë në ekonomitë familjare të tyre në vendlindje. Me këtë në formë të vazhdueshme po i kontribuojnë ekonomisë së vogël private në komunën e Preshevës. Prandaj, i ftoj që të vazhdojnë me investime në sektorin privat duke e transferuar përvojën e mirë të zhvillimit ekonomik të Evropës Perëndimore edhe në vendlindjet e tyre.

Jemi në fund të kësaj interviste. Si duket, kohën e lirë po e kaloni në Shqipëri?

Sa herë kam pak kohë të lirë, me kënaqësi të madhe atë e kaloj në Shqipëri, sepse dikur ishte mollë e ndaluar të kalosh mbase edhe vetëm një sekondë në Shqipëri. Atje ndihem shumë rehat, është shteti amë i të gjithë shqiptarëve. Le të rrojë Shqipëria!

presheve- slvica santjkoviq, mustafaA do të jetë një ditë Ragmi Mustafa profesor në ndonjërin nga universitetet shqiptare?

Meqenëse kam arritur gradën shkencore Doktor i Shkencave të Teknologjisë dhe Sistemeve të Informacionit, është shumë e mundur që kjo të ndodhë shpejt. Megjithatë, do të dëshiroja që kjo të ndodhte në Preshevë.

Ishit edhe profesor në Gjimnazin e Preshevës. E keni vizituar këtë shkollë të mesme dhe cili është mendimi juaj për momentin për këtë tempull të dijes, në të cilin tashmë ka profesorë të rinj dhe shumica prej tyre janë larguar e i janë drejtuar Kosovës?

Nuk ka shumë që janë larguar drejt Kosovës. Por, ai numër i vogël që ka shkuar në Kosovë bashkë me numrin e të pensionuarve ka bërë që kuadrot e gjimnazit «Skënderbeu» në masë të madhe të jenë profesorë të rinj. Kam besimin e plotë se gjithë këto kuadro të reja janë në krye të detyrës dhe e bëjnë punën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme. Është evident fakti se në disa profile ende mungon kuadri përkatës profesional, por duke e identifikuar këtë problematikë tanimë që tre-katër vjetët e fundit një numër i konsiderueshëm i studentëve janë orientuar po në ato profesione, sepse e kanë kuptuar se me mbarimin e studimeve vendi i punës është duke e pritur. Vizitat gjimnazit dhe shkollave tjera janë të rregullta, sepse një jetë të tërë ia kam përkushtuar edhe arsimit, prandaj arsimi është pika më atraktive dhe më e këndshme për mua.

Shkolla fillore, si duket, është në një gjendje jo të mirë. Objekti i vjetruar dhe sipas disa nxënësve që i takuam para një kohë ishte rrëzuar një pjesë tavanit. Kush do të mbajë përgjegjësi, nëse do të ndodhë më e keqja?

Nuk mund të ndodhë një shembje e objektit në asnjë mënyrë, edhe pse ndërtimi i objektit është i viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të shkuar. Është shembur një pjesë e tavanit, ku janë nyjat sanitare për shkakun e lagështisë, e jo për shkakun e jostabilitetit teknik të objektit shkollor. Momentalisht është në sanim e sipër tavani, nyjat sanitare në të dy etazhet e objektit të shkollës dhe tërheqja e plotë e lagështisë. Në këtë shkollë, me bashkëfinancimin e Bashkimit Evropian, para një viti janë ndërruar të gjitha dritaret e shkollës më të madhe në Serbi, shkollës fillore «Ibrahim Kelmendi» në Preshevë. Këtë vit në kryerje e sipër është projekti i ndërrimit të dritareve në shkollën e fundit, atë «Abdullah Krashnica» në Miratoc dhe po arrihet efekti i efikasitetit energjetik, sepse në të gjitha shkollat tjera për tre-katër vjetët e kaluara janë kryer ndërrimet e dritareve. Do të vazhdohet edhe në të ardhmen me meremetimin e shkollave të vjetra, ndërtimin e sallave për kulturë sporti, pajisjen me inventar të sallave dhe shkollave, si dhe ndërtimin e terreneve sportive fushore në oborret e shkollave për nxënësit dhe të rinjtë gjatë sezonit veror. Fatkeqësisht, akoma nuk kemi mundur dhe nuk do të mund të fillojmë pajisjen e kabineteve nëpër shkolla, sepse janë kosto që nuk mund t’i mbulojë buxheti i Komunës. Megjithatë, për të gjitha këto investime është përgjegjëse Ministria e Arsimit në serbo, por ajo asnjëherë nuk është e interesuar për investime në shkollat shqiptare në Luginën e Preshevës. Në vend se të investohet në sektorin ekonomik me buxhetin e Komunës për shkakun e mosinteresimit të Ministrisë së Arsimit, jemi të detyruar që për hir të fëmijëve tanë buxhetin komunal në masë të konsiderueshme ta planifikojmë për arsimin. Në komunat tjera nëpër Serbi, Ministria e Arsimit është shumë aktive dhe e pranishme me fonde, si për rekonstruim, mirëmbajtje, sanim dhe ndërtim të objekteve shkollore.

Cila është kërkesa e fundit që ke marrë nga qytetarët e Preshevës?

Ta fillojë punën sa më parë materniteti!

Të falënderoj edhe një herë dhe Ju uroj punë të mbarë! Respekt dhe gjitha të mirat!

Ishte kënaqësi. Suksese edhe juve

Intervistoi: Dashnim HEBIBI, Preshevë  
KKSH: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese diskriminon shqiptarët e Luginës
Më 14 Maj në Rahovicë përkujtohen dëshmorët e kombit
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration