Lokale
Mustafa nuk do konfrontim me Thaçin
Kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa nuk është i prirë që të komentojë nëse shqiptarët është dashur të kundërshtojnë më vendosmërisht heqjen e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së, ashtu siç vlerëson kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Në një prononcim për Telegrafin, Mustafa ka deklaruar se nuk janë të interesuar që të konfrontohen me liderët shqiptarë, e as me Thaçin, sepse adresa e vërtetë e kundërshtarëve është treshja: Nikoliq, Daçiq e Vuçiq.
“Adresa e qartë e kundërshtarëve të shqiptarëve është treshja e zyrtarëve të lartë serbë, presidenti Tomislav Nikolic, kryeministri Ivica Daçiq dhe zv/kryeministri Aleksandar Vuçiq. Nuk është në interesin tonë që të komentojmë situatat që kanë kaluar dhe të konfrontohemi me kolegët tanë shqiptarë”, ka thënë Mustafa.
Në një intervistë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se është zhgënjim dhe turp i madh që liderët politikë dhe qytetarët e Luginës së Preshevës nuk bënë as edhe përpjekjen më të vogël për mbrojtjen e Monumentit të UÇPMB-së.
Xhandarmëria serbe ka hequr monumentin të dielën e ka kaluar, pa u përballur me kundërshtimin e shqiptarëve.
Vetëm një ditë më pas, në Preshevë ka pasur një protestë të madhe kundër këtij veprimi të autoriteteve serbe./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!