Monografi me fakte historike mbi Preshevën dhe Abdulla Krashnicën
Hasan Emërllahu "žAbdullah Krashnica, Presheva dhe lufta e saj për bashkim kombëtar dhe vetëvendosje", "žVatra" Prishtinë, 2015, faqe, 475)Poeti, gazetari dhe publicisti i njohur Hasan Emërllahu, krijues i palodhshëm, sidomos sa i përket dy botimeve të karakterit monografiko- historike, njëra për veprimtarin e njohur preshevar Shaip Mustafën, tani me botimin e fundit kushtuar veprimtarit dhe heroit Abdullah Krashnicës me titull Abdullah Krashnica, Presheva dhe lufta e saj për bashkim kombëtar dhe vetëvendosje“, tregon qartë vendosmërinë e autorit të kësaj monografie të karakterit përkushtues e historik Hasan Emërllahut që të vjel shkrime, të dhëna të sakta, fakte të pakontestueshme lidhur me atë kohë kur zhvillohej lufta dhe në kohën kur Abdullah Krashnica dha kontributin e tij patriotik dhe heroik në mbrojtje të popullatës së Preshevës me rrethinë e sidomos në rastin e Masakrës së bullgarëve në fshatin Sopot më 27 tetor 1944, ku në xhami i kishin futur 71 burra, 68 prej të cilëve i kishin pushkatuar, por me ndërhyerjen e Abdullah Krashnicës shpëtuan shumë gra e fëmijë.
Në këtë libër voluminoz autori jep një pasqyrim sa më real për ndodhitë e viteve të dyzeta, përkatësisht nga viti 1941-1945, ku në territorin e Preshevës me rrethinë u zhvilluan luftra me okupatorin bullgar, në të cilën luftë rrol vendimtar kishte Abdullah Krashnica me bashkëluftëtarët e tij.
Autori i librit është mbështetur në dritën e shifrave dhe të fakteve si dhe në dokumentacione përkatëse , gjë që ia kanë lehtësuar punën e mundimshme kërkimore për të sjellur në dritë materiale të qëndrueshme lexuesve dhe historiografisë sonë shqiptare për gjarje e ndodhi si dhe për këtë personalitet të madh kombëtar e heroik siç është Abdullah Krashnica.
Kjo monografi historike përpos që është e pajisur me fotografi e ilustrime të tjera, ka shumë kapituj e nëntituj interesant dhe shumë të rëndësishme për lexuesit, duke u mbështetur edhe në intervista dhe burime të tjera të cilat veçsa e kanë forcuar vlerën dhe madhëstinë këtij libri.
Poashtu Hasani këtë monografi e ka rregulluar konform rregullave të një monografie që nga skeleti deri tek mbushja dhe mishërimi i saj me shumë të dhëna jo vetëm nga dora e parë, por edhe nga intervistat e zhvilluara nëpër kohë dhe situata të ndryshme, mandej edhe literatura e shfrytëzuar dhe profesionale, dhe në këtë drejtim është bërë fuqizimi dhe begatimi i librit me materiale të thukëta dhe të lloj-llojshme duke filluar nga biografia e protagonistit të monografisë, veprimtaria e tij atdhetare dhe patriotike e deri tek vdekja e tij në spitalin e Shkupit më 15 mars 1945.
Por jo vetëm kaq, autori i kësaj monografie me peshë historike ka sjellur poashtu materiale të shumta të cilat shumica e lexuesve, e sidomos brezat e rinj nuk i kanë ditur, nuk e kanë njohur këtë personalitet me peshë në Kosovën Lindore dhe më gjerë, për kontributin e tij në hapjen e shkollës së parë shqipe këtu në Preshevë, te Villa Letafet më 7 shkurt 1945, pronari i kësaj shtëpie intelektuali dhe dashamiri i arsimit Abdulla Haxhi Veliu.
Pjesë e kësaj monografie është edhe pasqyrimi i të dhënave mbi masakrat e kryera në fshatin Sopot, në IsëUkaj, vrasjet në Gosponicë dhe në vende të tjera, hudhja e bombës në xhaminë e re, në të cilat jep dëshmi dhe sqarime të thukëta.
Në këtë monografi pos të tjerash jepen numrat e të internuarve dhe të vrarëve gjatë luftës në rrethin e Preshevës, emrat e të vrarëve dhe të zhdukurve, të rënët në njësitet partizane, të plagosurit, e të burgosurit politikë.
Kjo monografi mjaft voluminoze, në të cilën një kohë të gjatë ka punuar autori Hasan Emërllahu, sheshon ngjarje me rëndësi historike gjatë kohës së lartëcekur, të zhvilluar në këtë nënqiell që fliste dhe flet shqip, e cila është dokumentuar me dokumente, ilustrime, fotografi, është e forcuar edhe me intervista të zhvilluara nga të moshuarit që disa prej tyre e kanë përjetuar luftën dhe e kanë ndjekur përsëafërmi aktivitetin atdhetar e patriotik të Abdulla Krashnicës dhe të bashkëluftëtarëve të tij deri në vdekjen e protagonistit të kësaj monografie Abdulla Krashnica.
Hasan Emërllahu ka bërë një punë të madhe dhe lavdëruese, sepse tani shumica e lexuesve dhe të tjerët, e sidomos ata që duan të studiojnë e të gjurmojnë këtë periudhë të luftës në Preshevë dhe veprimtarinë atdhetare e patriotike të Abdulla Krashnicës e kanë në këtë libër gjithpërfshirëse, e cila padyshim ka vlerën e vet historike dhe do të zë vend meritor në historiografinë shqiptare në përgjithësi... /Bilall Maliqi /Titulli.com/